Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike sapo ka përfunduar një studim mbi perceptimin publik të korrupsionit, ku zbulohen disa gjetje shqetësuese mbi përhapjen dhe sofistikimin e tij. Sipas studimit, publiku sheh si grupet më pak të korruptuar mësuesit, gazetarët, mjekët, ndërsa treguesit dhe renditja e korrupsionit për zyrtarët ka mbetur thuajse i pandryshuar nga viti 2016.
Grupet e perceptuara si më të korruptuara nga publiku vazhdojnë të mbeten gjyqtarët, prokurorët, nëpunësit e doganave dhe tatimeve, nëpunësit e administratës së drejtësisë, partitë politike dhe drejtuesit e tyre. Studimi zbuloi se afro gjysma e qytetarëve të anketuar u shprehën që administrata i ka bërë presion për rryshfet në këmbim të shërbimeve publike. Po ashtu gjysma e të anketuarve pohuan se kanë dhënë rryshfet për të marrë shërbime publike, pra rezistenca ndaj presionit për korruptim është minimale. Mbetet për t’u parë vënia në funksionim e prokurorisë speciale si dhe të gjykatës së posaçme, që të kalohet nga fushatave e fjalëve në fushatën e veprave. Fillimi i funksionimit të këtyre institucioneve shënon fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë, por shënon në të njëjtën kohë edhe fillimin e ndarjse së pushteteve, për të cilën vendi ynë vuan shumë, sidomos gjatë dekadës së fundit .