“Qeshu rini, qeshu”! Rama sulmon Metën e opozitën: Shqipëria do të vazhdojë drejt përpara

0
155

Kryeministri Edi Rama sulmon Presidentin Ilir Meta dhe opozitën duke i akuzuar sërish se qëndrojnë pas protestave të ditëve të fundit pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga efektivi i policisë në Tiranë. Kreu i qeverisë thotë se Shqipëria do të vazhdojë përpara.
“ Por Iliri dhe Saliu duhet ta harrojnë se e kthejnë prapë Shqipërinë për përsheshin e tyre dhe sado ëndrra të shohë Luli duke mbajtur lugën në dorë që t’i vijë gjella e Monikës, Shqipëria do të vazhdojë drejt përpara, me mund e durim, për t’u bërë ajo që duan fëmijët e saj!
Sipas Ilir Metës policia nuk duhet të reagojë, po duhet të dorëzojë Tiranën dhe veten në duart e dhunuesve të verbër, që ai bashkë me Saliun të bëjnë Lulin dhëndërr të pushtetit dhe Monikën arkëtare të shtetit, si në kohët e arta të bashkëqeverisjes me plumba mbi protestuesit!
Kur policia reagoi ndaj një provokatori famoz gjatë ushtrimit të dhunës opozitare tek Kuvendi, Ilir Meta vrapoi në spital për të vizituar heroin e dhunës! Kur policit të shtetit, i nxjerrin syrin dhunuesit me kapuçë të nxitur prej tij e Saliut, Ilir Meta dënon dhunën policore ” shkruan ai.
E ndërsa kryeministri Edi Rama e akuzon për nxitje të protestave së bashku me opozitën, Presidenti Ilir Meta paraditen e sotme në një bisedë me të rinjtë i ktheu përgjigje në mënyrë indirekte. Kreu i shtetit tha se të rinjtë nuk mund të presin më, por duhet të marrin politikën në dorë.
“ Nuk mund të presin të rinjtë nga politika të hapë dritare për ta, po të ishte do ta kishte hapur prej kohësh. Duhet ta marrin në dorë politikën dhe nëse 30 vite më parë do të kishim pritur nga prindërit tanë të bënin ndryshim nuk do të kishte ardhur as sot e kësaj dite. Qeshu rini qeshu, bota është e jotja” tha Meta.
Prej tre netësh radhazi janë zhvilluar protesta në Tiranë dhe thuajse në të gjitha qytetet e tjera të vendit, ndërsa dita e katërt, sot nisi me tubim në Shkodër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here