Qeveri pa mazhorancë, apo qeveri teknike?

Nga Enton Abilekaj

Janë disa qëndrime që mund të përmblidhen në të njëjtën zgjidhje. I pari, qëndrimi i opozitës, që duket se do ta bojkotojë deri në fund Parlamentin dhe ndoshta edhe zgjedhjet, nëse nuk pranohet kërkesa e vetme e protestës, qeveria teknike. Pastaj qëndrimi i fortë i Brukselit, që duket krejt i pa interesuar për situatën dhe përqendrohet tek vazhdimi i punës së Parlamentit, me qëllim që t’i hapet sa më shpejt rruga Vettingut. Pastaj qëndrimi i Edi Ramës që buron nga protesta e opozitës. Kryeministri e përcakton bojkotin e Kuvendit si një tentativë për të bllokuar Vettingun. Në fund qëndrimi i Ilir Metës, që nuk buron nga protesta e opozitës, por nga mungesa e transparëncës që karakterizon Edi Ramën. Petrit Vasili, në funksionin e Ministrit të Drejtësisë, vuri në diskutim masën e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve ne procesin e Vettingut nëpërmjet Bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Pastaj Meta shtoi kushtin e Transparencës për Reformën. Në Korrik 2016, vetëm 1 javë përpara miratimit të Reformës në Drejtësi, kryeparlamentari propozonte qeveri teknike për zbatimin e saj, ndësa sot kërkon transparencë nga aleati në qeveri, apo nga bashkëkryetari i koalicionit.

Kjo pra është situata, një qeveri që ka brenda saj qëndrime krejt të kundërta për reformën e vetme që po bën, dhe një koalicion ku njëri nga aleatët është aq i mosbesues dhe aq i lodhur nga pabesitë e tjetrit, sa detyrohet ta vërë si kusht transparencën. Kërkohet një marrëveshje e re në koalicion për të rimandatuar të njëjtën qeveri ku Ministri i Drejtësisë, ai që duhet ta vërë në zbatim reformën në Drejtësi, denoncon mënyrën se si kërkon  ta vërë në zbatim Kryeministri. Në këto kushte qeveria vetëm e pengon, e vonon, në vend që ta bëjë të zbatueshëm Vettingun. Edhe nëse shmanget puna e qeverisë për reformën dhe i adresohet përgjegjësia vetëm Parlamentit, situata nuk ka zgjidhje. Jo për shkak të bojkotit të opozitës. Edhe nëse opozita do të ishte në komisione, do të ishte koalicioni qeveritar bllokuesi. Pa transparencë, pa u sqaruar çështja e Bordit të ONM, LSI nuk bën asnjë hap përpara. E gjithë kjo nuk lidhet me mosbesimin ndaj faktorit ndërkombëtar. Të gjitha palët i shohin ndërkombëtarët si arbirtrin e vetëm të pakorruptueshëm. Mosbesimi i LSI në këtë rast, por edhe i PD në të gjitha rastet, lidher me Edi Ramën. Ata kanë frikë se pas disa përfaqësuesve ndërkombëtarë, fshihet projekti i Rilindjes për të marrë në kontroll Drejtësinë dhe për ta përdorur atë për eliminimin e kundërshtarëve apo konkurentëve.

Në kushtet kur opozita bërtet bulevard që është gati të zhbllokojë Reformën në Drejtësi, nëse pranohet qeveria teknike, bllokuesit e vërtetë janë në dy krahët e bulevardit. Ndërkombëtarët që e kërkojnë nga opozita zhbllokimin, duhet të ndryshojnë shënjestrën180 gradë, tek ata që kërcënojnë se pas reformës do burgosin kë të duan me një drejtësi që do të reflektojë vullnetin e tyre, dhe tek aleatët e tyre që nuk pranojnë nënshtrimin ndaj këtij vullneti. Nëse opozita e kërkoi për realizimin e zgjedhjeve, Qeveria Teknike është më e vlefshme për Reformën ne Drejtësi, për kthimin e besimit të palëve se nuk do të avantazhohet askush ne sistemin e ri që po ndërtohet. Ndaj Qeveria Teknike, më shumë se nga opozita duhet të kërkohet nga ndërkombëtarët. Kjo zgjidhje krijon një qeveri me konsensus për reformën, një parlament funksional që voton pro vettingut në kushtet e mirëbesimit dhe u hap rrugë edhe zgjedhjeve të lira.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment