Rama drejt kapitullimit*

0
144

Nga Red Varaku                                                                                                   George Orwell shpjegon se një udhëheqës me prirje totalitare fillimisht i manipulon njerëzit nëpërmjet një komunikimi që i drejtohet shqisave dhe jo arsyes. Nëpërmjet mashtrimeve, gënjeshtrave, teorive konspirative dhe lajmeve kontradiktore, ai e lodh dhe kësisoj e kalon çdo agjent kundërshtues në overdozë, si pasojë, fantazia ia zë vendin realitetit, ndërsa ata që e kontestojnë shndërrohen menjëherë në armiq, ndaj të cilëve fillon menjëherë një proces zoologjik “domestikimi”.

Sepse vetë Edi Rama është produkt i një shoqërie të tillë, e cila tashmë, pasojë edhe e çorbës magjike që servir çdo minutë propaganda qeveritare, ka kaluar në anarki të plotë. Ai pasi nënshtroi edhe atë grup rebelësh, që kishte mbetur nga partia e Fatos Nanos, tani kërkon të nënshtrojë çdo faktor që ka potencialin të kërcënojë pushtetin e tij.

Kështu, ai tani ka futur nën kontroll të gjitha institucionet, përfshi këtu gjykatat dhe median. Ndërkohë Partinë Socialiste e ka kthyer tërësisht në funksion të axhendës së tij personale, në një organizatë, e cila prej kohësh funksionon si një sekt okult, pa rregulla, ku të gjithë anëtarët kanë vetëm një sfidë, besnikërinë ndaj tij, sepse dihet se besnikëria ndaj tij është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.

Ndërsa vetë ai është kthyer në një oportunist mizor. Ai është gati të bëjë gjithçka për të ruajtur pushtetin e tij. Ai është gati t’i shesë të gjithë sepse ai tashmë ka vetëm një axhendë, axhendën e tij personale dhe as që do t’ia dijë për hallet dhe dertet e askujt, aq më tepër për ligjet dhe kushtetutën, të cilën ‘e shkep dhe arnon’ sa herë t’i teket.

Rama për nga natyra është narcis. Ai kërkon bindje dhe nënshtrim total. Me spektrin e pushtetit në dorë ai përkëdhel ose fshikullon cilindo. Duke qenë se është edhe paranojak, ai kërkon të kontrollojë gjithkënd dhe gjithçka. Ai nuk e honeps dot kritikën e askujt ndaj shpërthen me histeri ndaj çdokujt që thotë të vërtetën. Ai i ndëshkon rreptë cilindo që guxon të sfidojë qoftë edhe hijen e tij. Ai është gjithmonë dyshues, i frikësuar dhe i pasigurtë. Por vuajtjen që i shkakton pasiguria dhe frika ai di ta fshehë mjaft mirë, nën petkun e ngjyrave dhe bojnave. Është amoral dhe tejet abuziv. Njerëzit i konsideron si lodra dhe me ta sillet si një fëmijë kapriçioz, pra pasi i përdor, mund t’i flakë kur t’i teket si t’i teket.

Ai nuk bën asnjë përpjekje për t’i zgjatur dorën askujt, për shkak të delirit dhe përbuzjes. Ai është vazhdimisht në kërkim të pushtetit. Ai nuk ndalet edhe pasi i ka marrë të gjitha.

Ai reagon vetëm ndaj një emocioni,-frikës.

Ai tërhiqet dhe bën kompromis vetëm kur ka frikë dhe ndjehet i kërcënuar. Nëse percepton sado pak rrezik, ai kthehet në një krijesë të butë dhe të bindur, për mëshirë, ama në momentin kur rreziku kalon, arroganca dhe hakmarrja e tij nuk njeh kufij. Si piktor, ai pikturon me zgjuarsi në mendjet e njerëzve një kërcënim të vazhdueshëm, i cili vjen gjithmonë nga “ata të Saliut”.

Përpjekjet e opozitës për të diskredituar Ramën dhe sivëllezërit e tij po japin disa fryte, por gjithsesi janë të pamjaftueshme. Kryqëzata e nisur prej saj po përcillet si një telenovelë nga opinioni publik. Përpjekja për ta reduktuar krizën e thellë të shoqërisë tonë tek një figurë qesharake si Rama do të sjellë largimin e Ramës, por jo zgjidhjen e krizës. Refuzimi për t’i shkuar deri në fund arsyeve që e shkaktuan këtë krizë perceptohet si mungesë serioziteti nga opinioni publik.

Ideja e vetingut në politikë dhe ligjit antimafia, të cilat mund ta çlirojnë vërtet sistemin dhe ta çmontojnë makinerinë kriminale, me ç’duket nuk do të pranohen kurrë nga Rama, kështu që Partia Demokratike duhet të heqë dorë përkohësisht nga programi i saj politik, për të hartuar dhe më pas shpallur planin e saj të emergjencës për të rrëzuar Ramën dhe për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza morale, që me gjasa shumë shpejt mund të degradojë edhe në një krizë ekonomike me pasoja të paimagjinueshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here