Rama në panik nga protesta e të shtunës, shpall armiq të integrimit këdo që i bashkohet

Më 26 Maj, këtë të shtunë, opozita e bashkuar ka paralajmëruar një protestë të madhe përpara kryeministrisë.

Si “sebep” zyrtar i këtij tubimi është dhënë mbrojtja, që po i bën kryeministri Rama ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i akuzuar si i përfshirë direkt në mbrojtjen e veprimtarisë së të vëllait trafik aktiv droge dhe i dënuar me 7.2 vite burg, në Itali.

E vërteta është se Partia Demokratike dhe aleatët e saj, po shfrytëzojnë momentin, për të testuar zemërimin e qytetarëve, të mbledhur për 1001 arsye të tjera si pasojë e keqqeverisjes tashmë, 5-vjeçare të Edi Ramës.

Vetë ky po e shpreh hapur, se më shumë se për rastin Xhafaj, duket ka frikë nga mllefi popullor që është duke shpërthyer, pas një qeverisje skandaloze të Rilindjes. Situata e rënduar ekonomike, rritja e papërballueshme e taksave, mungesa e investimeve dhe vendeve të punës, polarizimi ekstrem i shoqërisë me individë pranë qeverisë që pasurohen me shpejtësi dhe të varfër që kanë kapur tavanin e mbijetesës etj, e tejkalojnë skandalin e radhës.

Në këtë situatë, i vetmi argument që kryeministrit i ka mbetur për tu mbrojtur është akuza që artikulon fortë, se opozita po bën gjithçka përfshi edhe organizmin e kësaj proteste, me synimin e vetëm pengimin e hapjes së negociatave nga BE.

Në intervistën e mbrëmshme për “ABC”, kur u pyet për protestën e të shtunës, Rama nuk e fshehu panikun duke kaluar nga akuzat për opozitën, edhe për vetë qytetarët që pritet ti bashkohen asaj.

Sipas tij, “të gjithë ata që do shkojnë në protestë, do të kuptojnë sa keq janë përdorur dhe sesa pabesisht janë tërhequr në një rrugë proteste, që nuk është një rrugë për të udhëhequr vendin”.

“Kjo protestë nuk është aksion opozitar, por opozita ka marrë përsipër një gjë shumë të rëndë, të minojë çeljen e negociatave. Të gjithë ata që do shkojnë në protestë, do të kuptojnë sa keq janë përdorur dhe sesa pabesisht janë tërhequr në një rrugë proteste, që nuk është një rrugë për të udhëhequr vendin”, deklaroi mbrëmë Rama duke mos e fshehur në mimikën e tij shqetësimin dhe frikën për tubimin e 26 Majit.

E vërteta e thjeshtë është, që në të gjitha takimet që kryeministri ka bërë në kancelaritë e Europës dhe në të gjitha mesazhet që kanë ardhur prej tyre, asnjëherë nuk është përmendur opozita si fajtore, për një “Jo” të mundshme për çështjen e hapjes së negociatave.

Kapja e shtetit nga krimi i organizuar (ku hyjnë edhe rastet Tahiri&Xhafaj), korrupsioni galopant i qeverisë, emigrimi biblik i shqiptarëve drejt vendeve të BE-së etj, janë kushtet dhe “parakushtet” e Holandës, Francës dhe Gjermanisë, të cilat Edi Rama nuk i kapërcen dot.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment