Raporti alarmues i OKB-së: 7 milionë fëmijë në botë nuk janë të lirë, shumë prej tyre janë në kampe

Rreth shtatë milionë fëmijë në vit nuk janë të lirë, pasi ata mbahen në burgje, paraburgim, qendra për ndalimin e migracionit, shtëpi për persona me aftësi të kufizuara ose institucione të mirëqenies, thuhet në një studim të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut.

Sipas autorëve, ky vlerësim bie në kundërshtim me Konventën e të Drejtave të Fëmijëve, që është një pakt i nënshkruar nga afro 200 vende të botës dhe që e lejon ndalimin nën moshën 18-vjeçare vetëm si masë afatshkurtër.

“Edhe pse është arritur përparim viteve të fundit për zgjidhjen e problemit, duhet të bëhet shumë më tepër për t’i nxjerrë fëmijët nga institucionet [e ndalimit] dhe për t’i dhënë fund ndalimit të emigrantëve nën moshë”, tha Manfred Nowak, studiues austriak i të drejtave të njeriut, njëherësh udhëheqës i studimit. OKB thotë se një fëmijë emigrant vdes çdo ditë në botë. Ekipi i Nowak-ut zbuloi se të paktën 410,000 fëmijë mbahen çdo vit në burgje dhe paraburgim, ndërsa 1 milion mbahen në arrest policor.

Për më tepër, 80 vende i kanë të ndaluar 330,000 fëmijë emigrantë, thuhet në raport. “Rreth 5.4 milionë fëmijë të tjerë jetojnë në institucione të mirëqenies, të cilat për nga natyra e tyre, nuk janë në gjendje të operojnë pa i privuar fëmijët nga liria”, thekson po ashtu raporti.

Ekspertët e të drejtave të njeriut analizuan në mënyrë të veçantë zonat e konfliktit, si Siria dhe Iraku, ku mijëra fëmijë të ekstremistëve të supozuar të grupit Shteti Islamik thuhet te mbahen neper kampe, e mes tyre, ka edhe dhjetëra të mitur shqiptarë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment