Raporti i Freedom House, shqetësimet më të mëdha për Shqipërinë

0
171

Raporti i fundit i organizatës Freedom House tregon se Shqipëria ka humbur një pikë, duke kaluar në një vlerësim nga 68 në 67.
“Kjo i atribuohet në pjesën më të madhe përplasjeve të fuqishme politike që ndodhën gjatë vitit në vend”, thotë Naoah Buyon, koordinator i kërkimeve për Evropën dhe Euroazinë për raportin Freedom in the World.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, eksperti thotë se bojkotimi i institucioneve dhe zgjedhjeve nga opozita vitin e shkuar ka bërë që praktikisht të jetë vetëm një parti që drejton vendin dhe kjo është shqetësuese.
“Si rezultat i këtyre prirjeve, efektivisht është vetëm një parti politike që drejton vendin dhe ne jemi të shqetësuar se kjo do të kufizojë aftësinë që legjislacione të debatueshme, si paketa anti-shpifje që të shqyrtohen dhe sfidohen ashtu siç duhet ”, u shpreh ai.
Në raport Shqipëria pësoi rënie në cilësinë e qeverisjes demokratike ndërsa në kategoritë e tjera nuk pati ndryshime. Megjithatë eksperti thotë se ata po ndjekin me shqetësim zhvillimet në vend ku ndër to veçon ecurinë e paketës anti-shpifje dhe procedurën e shkarkimit të presidentit.
“Po ndjekim me shumë kujdes ecurinë e paketës së ligjeve të ashtuajtur anti-shpifje. Po ashtu po presim të shohim se si do të shkojë procedura e nisur për shkarkimin e presidentit. Ka shqetësime që kjo procedurë mund të bëhet në mënyrë të politizuar ”, tha Byron.
Rezultatet e Shqipërisë në lidhje me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar “të lënë për të dëshiruar” siç thotë dhe Byron. Masat për luftimin e këtyre fenomeneve sipas tij mungojnë dhe ato pak gjyqe që bëhen për të goditur korrupsion të profilit të lartë bëhen për arsye politike.
“Krimi i organizuar vazhdon të jetë një sfidë e përhapur, pra nuk po shohim atë nivel përparimi që duam të shohim për këto çështje. Kjo vazhdon të mbetet një pike kyçe në përpjekjet e disa prej këtyre vendeve për të hapur bisedimet me Bashkimin Evropian. Ne besojmë se stimujt nga jashtë ekzistojnë, besojmë se qytetarët e meritojnë një klasë politike dhe një qeveri që të mos jetë e përzierë me interesa të veçanta, korrupsion apo kapje shteti. Prandaj jemi thellësisht të shkurajuar që kjo sfidë vazhdon të mbetet në pjesën më të madhe e pazgjidhur në disa drejtime në gjithë rajonin. Rezultati për shumë nga këto vende në këtë kategori, lë shumë për të dëshiruar dhe ka shumë hapësirë për të rënë edhe më shumë ”, deklaroi eksperti i Freedom House.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here