Rauf Fico, diplomati gjirokastrit që la gjurmë të hershme në historinë shqiptare

0
265

Gati 75 vjet me pare eshte ndare nga jeta diplomati Rauf Fico me origjine nga Gjirokastra.

Rauf Fico ishte një nga funksionarët e parë të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës në pozicione të ndryshme. Më pas kreu detyrën e Shefit të Kabinetit të Kryeministrit gjatë qeverisjes së Princ Wiedit. Gjate luftës Rauf Fico u dekretua nga austro-hungarezët si Nënprefekt i Tiranës, post që e mbajti deri në Kongresin e Lushnjës 1920. Gjate kryerjes së kësaj detyre, ai urdhëroi që e gjithë veprimtaria zyrtare shkresore e verbale të kryhej domosdoshmërisht në gjuhën shqipe.

Mbas Kongresit të Lushnjës dhe krijimit të qeverisë së re në Shqipëri, në janar 1920 Rauf Fico u emërua Sekretar Shteti i Ministrisë së Punëve të Brendëshme deri në fund të vitit 1922, kohë kur filloi fushatën e kandidaturës për deputet. Nga viti 1923 deri në janar 1926, ai ishte i zgjedhur deputet i Durrësit në Asamblenë Kushtetuese. Gjatë kësaj periudhe atij ju akorduan disa dekorata nga Ministria e Jashtme franceze, Akademia Ndërkombëtare e Letërsisë dhe e Shkencës së Napolit, Akademia Mbreterore italiane, President francez , Mbreti bullgar, për veprimtarinë e tij shoqërore dhe personalitetin e spikatur.

Në shërbimin diplomatik shqiptar Rauf Fico hyri në shkurt të vitit 1926, kur u dekretua Ministër i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë në Turqi e Bullgari, me residencë në Ankara. Këtë detyrë e kreu deri në fund të vitit 1928. Me 14 janar 1929 Rauf Fico u dekretua si Minister i Punëve të Jashtme, dhe si i tillë sherbeu deri në 6 mars 1930. Njohes i mirë i 8 gjuhëve të huaja, Fico u përpoq ti jepte një vizion perendimor strukturës dhe fuksionimit të shërbimit të jashtëm shqiptar, si dhe të përcaktonte qartë prioritetet në politikën e jashtme shqiptare, marrëdhënie të mira me fqinjët dhe përfshirjen e Shqipërise në nismat më te mira evropiane për sigurine kolektive e bashkepunimin ekonomik midis dy luftrave boterore, siç ishte projekti i MPJ francez Briand për Federatën Ekonomike Evropiane.  Ai miratoi Ligjin e pare Organik të Ministrisë së Punëve të Jashtme ne 1929, dhe Ligjin Konsullor. Fico  përcaktoi juridiksionin e konsullatave shqiptare dhe Konsullatave të Nderit të Shqipërisë jashtë vendit.

Në mars 1930 , Mbreti Zogu I, e dekretoi Ficon edhe Ministër të Punëve të Brendëshme. Me këto dy funksione ai shërbeu deri në 20 prill 1931.

Me 27 janar 1932, Fico u dekretua si Ministër Fuqiplotë në Beograd. Këtë detyre ai kreu deri në maj 1937. Me 12 qershor 1937  ai u transferua në Athinë përsëri si Ministër Fuqiplotë dhe shërbeu atje deri me 15 gusht 1938. Në këtë kohë ai u dekretua Ministër Fuqiplotë në Berlin ku qëndroi deri në fund të qershorit 1939, kohe kur përfaqesitë diplomatike e konsullore shqiptare u shkrine me ato italiane.

Gjate kryerjes së këtyre detyrabe, dokumentacioni arkivor flet qarte për përpjekiet e Ficos për mundësimin e mësimit të gjuhës shqipe kudo ku jetonin shqiptaret, e vecanarisht hapjen e shkollave shqipe në Çamëri.  Ai perdori çdo mjet diplomatik e patriotik për bashkimin e kolonive shqiptare  jashtë vendit, për shmangien e dasive mes tyre, dhe për mbrojtjen e interesave të tyre  nga shteti shqiptar . Fico gëzonte një reputacion dhe konsideratë të lartë nga diplomate të huaj që e takuan apo ndoqën veprimtarinë e tij diplomatike kudo ku ai shërbeu.

Në fund të qershorit 1939, Rauf Fico u kthye ne atdhe, por vazhdoi të paguhej nga Zyra e Likuidimit, si e fundit strukture e mbetur per te permbyllur funksionet e MPJ, deri sa doli në pension në fund te vitit 1941. Ai nuk u pajtua me fashizmin, ndaj u internua në Itali ku mbahet disa muaj. Vdiq në Tiranë me 23 janar 1944 mbasi ishte kthyer nga internimi në Itali, dhe u percoll me respekt te madh nga shqiptarët brenda e jashtë kufijve që mbërritën në Tirane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here