Reagim ndaj një reagimi disi cinik për “dhjetoristët”

Nga Roland Bejko

Në fakt s’mund të jenë më mirë ata që bënë diçka në 8 dhjetor a në 20 shkurt dhe zgjodhën të iknin nëpër botë duke parë punët e tyre në liri, në raport me ata që ndenjën këtu dhe u përpoqën të bënin diçka mes hajnisë për 28 vjet.
Dhe meqë nuk u bë siç duhet kjo demokracia shqiptare, faji qenka i protagonistëve të atëhershëm të dhjetorit 90, që s’u bënë dot heronjtë e sotëm duke e çuar në fund kauzën e tyre e si të tillë nuk kanë të drejtë morale sipas dikujt, të flasin tani me krenari për ato kohë. Kjo nuk shkon.
Kauzën e tyre e mori në dorë politika dhe kryesisht PD, dhe kjo ishte normale për një vend që aspiron demokracinë.
Më mirë që janë, thonë a bëjnë diçka ishprotagonistët studentët e atyre viteve sot për 8 dhjetorin ’90 dhe shkurtin ’91 se ndryshe dhe një datë historike që s’është komuniste do ta përvetësonin pinjollët e tyre për ta veshur me dekor të kuq “lavdie”.
Soji i tyre, të rimë shtrembër dhe të flasim drejtë, ia dinë vlerën simbolit në vetvete për të mbajtur të bashkuar në breza unitetin e çeliktë rreth partisë.
Kurse ne të tjerët, edhe ato pak data ngjarjesh të rëndësishme që kemi jo vetëm që nuk i vlerësojmë, por i banalizojmë, i tallim, u heqim peshën ose i shvlerësojmë me cinizëm.
A duhet të kishin bërë më shumë protagonistët e atyre viteve për ta ndihmuar demokracinë shqiptare të ishte aty ku duhej?
Po, patjetër.
Konformizmi me të padrejtën për interesa personale, dobësitë për të përballuar jetën, mungesa e reagimit aktiv dhe të organizuar, besimi absolut se PD dhe lidershipi i saj e dinin mirë se çfarë bënin me këto aspirata, ishin faktorët që i bënë ish dhjetoristët që u angazhuan në politikë këto 29 vite, “heronj” vetëm të së djeshmes, por jo të së sotmes. Ai që guxoi ti kindërvihej deformimit flagrant të demokracisë, u vra. Kush guxonte të fliste brenda partive, anatemohej dhe luftohej deri në largim. Nuk ishin të preferuar për nivelet vendimarëse ishstudentët, por vetëm disa prej “pedagogëve” të tyre. Ata u bënë, u çbënë, u bënë u çbënë ministra e deputetë, por studentët e tyre mbetën për ta vetëm studentë që duhet tu shërbenin që këta të bëheshin e çbëheshin ministra e deputetë për gjatë 29-viteve dhe akoma dhe sot. Pra, edhe nuk i lanë, i penguan, dhe ata që guxuan, fshshshët i fshinë !
Por gjithsesi gabimi mbetet te ish studentët dhjetoristë e pa organizuar, u kthyen në hije të vetvetes në pamundësi për të qenë figura udhëheqëse dhe vendimarse gjatë këtyre viteve, kjo për të keqen e tyre dhe të vendit, sigurisht. Por ama kjo nuk i bën ata me faj që Shqipëria është sot në këtë gjendje mjerane.
Gjithsesi, edhe pse nuk ja dolën “ta bënin Shqipërinë si gjithë Evropa” ata mbetën në tërësinë e tyre njerëz idealistë dhe besimplotë se Shqipëria do ia dalë të bëhet një vend evropian. Për aq sa bënë në dhjetor 90 e shkurt 91, meritojnë respekt, dhe jo tallje cinike.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment