Reagon kreu i PD Bejko: Puç institucional në Gjirokastër, organizatorët e të ashtuquajturës mbledhje të KB, do të përgjigjen para ligjit

Kryetari i PD Gjirokastër Roland Bejko, ka sqaruar opinionin publik për zhvillimet e sotme të së ashtuquajturës mbledhje e Këshillit Bashkiak të thirrur vetëm nga anëtarët e PS dhe dy këshilltare të LSI.

Zoti Bejko e quan NUL mbledhjen e sotme pasi sipas ligjit për qeverisjen vendore, mbledhjet i thërret kryetari i Këshillit Bashkiak dhe në mungesë të tij, nënkryetari.

Në rastin e sotëm asnjë nga drejtuesit nuk kanë thirrur mbledhjen e legjislativit vendor dhe rrjedhimisht mbledhja quhet ilegale dhe për këtë do përgjigjen para ligjit organizatorët dhe thërritesit e saj.

 

SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK DHE MEDIAT nga Roland Bejko kryetar i PD Gjirokaster

 

Dëshiroj ti bëj me dije gjithë opinionit publik se sot, ditën e mërkurë dt. 30 Maj 2018 nëpërmjet mediave lokale jam njohur me një lajm se në një mënyrë krejt ilegale na qenëkërka mbledhur Këshilli i Bashkisë Gjirokastër, por që askush nga këshilltarët e PD nuk ka pasur dijeni. Ndërsa sipas një njoftimi publik të LSI-së Gjirokastër dy këshilltare nga grupi i tyre kanë qenë prezent në të ashtuquajturën mbledhje.

Në bazë të Ligjit për Vetqeverisjen Vendore mbledhjen e Këshillit e thërret Kryetari i Këshillit dhe në mungesë të tij Zv/kryetari.

Njoftimet për mbledhjen i bën Sekretari i Këshillit jo më pak se 5 ditë nga dita e zhvillimit të mbledhjes. Sekretari mban dhe protokollin e mbledhjes.

Përderisa këtë mbledhje nuk e ka thirrur as Kryetarja e Këshillit Bashkiak Gjirokastër, as Zv/ kryetarët, atëherë kush e ka thirrur?!!

Në këto kushte kjo e ashtuquajtur mbledhje këshilli është e paligjshme dhe për pasojë çdo vendim i marrë në të është NUL si vetë nulat që e kanë mbledhur nën urdhërat e Partisë Socialiste.

Nga fotoja që vështrova në një portal lokal, e ashtuquajtura mbledhje e Këshillit Bashkiak dhe të ashtuquajturit të mbledhur në këtë mbledhje, më ngjanë me ato celulat ilegale të kasolles së Galigatit për të cilat fliste Tarasi, apo me ato mbledhjet e komunarëve të Komiteteve të Shpëtimit Publik të Revolucionit Francez ku Jakobinët mernin vendimet e kobshme për prerjen e kokës së mbretit dhe prejet e kokave të kundërshtarëve politikë.

Ky akt që ka bërë sot Grupi i Këshilltarëve të PS dhe dy të rekrutuarat e radhës nga LSI, është thjesht një PUÇ i shëmtuar institucional.

Një parti serioze operon me ligje dhe sipas ligjeve. Një parti partizane dhe karagjoze vepron në këtë mënyrë, duke rekrutuar këshilltarë me forma të ndryshme për të bërë një mazhorancë që nuk e ka nga votat e qytetarëve, por as nga luajaliteti i aleancave politike.

Me prishjen e koalicionit me LSI, Partia Socialiste ka humbur shumicën në këshill, kështu që nxori nga arsenali skenaret e zinj të traditës komuniste që aty ku nuk hyn luajaliteti, hyn blerja, ku nuk hyn blerja hyn shantazhi, ku nuk hyn shantazhi hyn dhuna. Dhe kështu mesa duket ja doli që me këto metoda ti rrëmbente 4 këshilltarë LSI dhe 1 PDIU pasi nuk i shkoi shantazhi, joshja, apo dhuna me nënkryetarin e këshillit z. Gramoz Braho.

Nëse PS pas blerjeve, shantazheve, apo joshjeve, metoda që e kanë zanafillën e tyre që në gjenezë të saj në vitin 1941, ka bërë të mundur të rifitojë shumicën në Këshillin e Bashkisë Gjirokastër, atëherë mund të priste mbledhjen e rradhës, apo një mbledhje jashtë radhe të thirrur nga Kryetarja e Këshillit legjitime, me një rend dite, ku do njoftoheshin të gjithë këshilltarët të paktën 5 ditë para nga Sekretari po legjitim i Këshillit.

Për këtë shkelje të rëndë,për këtë puç institucional dikush do përgjigjet përpara ligjit.

PS: Këtu më poshtë janë dhe nenet përkatëse për thirrjen dhe zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak sipas Ligjit për Vetqeverisjen Vendore.

NENI 53
…………….
3. Këshilli mblidhet në çdo rast:
a) me kërkesën e kryetarit të bashkisë;
b) me kërkesën me shkrim të jo më pak se 1/3 së anëtarëve të tij;
c) me kërkesën e motivuar të prefektit për çështje që lidhen me ushtrimin e funksioneve
të tij.
4. Thirrja për mbledhjen e këshillit bëhet nga kryetari i këshillit dhe njoftimi për
mbledhjen bëhet, si rregull, jo më pak se 5 ditë para datës së zhvillimit të saj. Njoftimi
përmban datën e mbledhjes, orën, vendin dhe rendin e ditës.
5. Rendi i ditës miratohet nga këshilli.
6. Në periudhën nga data e zgjedhjeve e deri në konstituimin e këshillit të ri, këshilli i
mëparshëm bashkiak ushtron kompetenca të kufizuara dhe merr vendime vetëm në raste të
situatave emergjente.
7. Mbledhja e këshillit bashkiak quhet e vlefshme kur në të merr pjesë shumica e të
• gjithë anëtarëve të këshillit, me përjashtim të rasteve kur kërkohet një shumicë tjetër për
marrjen e vendimeve, sipas përcaktimeve në nenin 55 të këtij ligji.
8. Mbledhjet e këshillit pasqyrohen në procesverbalin e mbledhjes. Mënyra e mbajtjes së procesverbalit dhe e vërtetimit të tij përcaktohen sipas legjislacionit në fuqi

Neni 56

Kryetari i këshillit bashkiak
1. Kryetari dhe zëvendëskryetarët e këshillit bashkiak zgjidhen nga radhët e anëtarëve të
këshillit. Propozimi për shkarkimin e tyre bëhet me shkrim nga të paktën një e treta e
anëtarëve të këshillit.

2. Kryetari i këshillit kryen këto detyra:
a) thërret mbledhjen e këshillit, në përputhje me nenin 53 të këtij ligji;
b) drejton mbledhjet e këshillit, në përputhje me rregulloren e tij;
c) nënshkruan aktet që nxjerr këshilli;
d) kryen detyra të tjera, të përcaktuara në rregulloren e këshillit.
3. Në mungesë të kryetarit të këshillit, detyrat e tij i kryen zëvendëskryetari.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment