Rënia e lirë e Ramës/ Si u shpërfill në Poloni dhe ‘braktisja’ në Bosnje

0
156

Nuk duhet shumë zotësi për të kuptuar se po bëhet shumë kohë që kryeministri i shqiptarëve, Edi Rama del nëpër vizita jashtë vendit vetëm kur ka samite zyrtare.

Por ai nuk është më i ftuar nëpër Europë nga homologët, pasi vizitat e fundit zyrtare i ka zhvilluar vetëm në Lindjen e Mesme.Në samitin e fundit ku mori pjesë, atë të Poznanit në Poloni, kryeministri Edi Rama, që e pati nisur Procesin e Berlinit duke qenë gjithmonë i pari në krah të kancelares gjermane Angela Merkel, ishte i shpërfillur.

Aq shumë ndjehej, sa kjo situatë prodhoi dhjetëra meme online. Shqipëria doli duarbosh nga ky samit, jo dhe aq për shkak të sharmit të Ramës, por sepse administrata shqiptare nuk është në gjendje të thithë projekte të rëndësishme.

Për të huajt, kjo administratë është më shumë një imazh i qeverisjes, pasi përdoret zakonisht për të mbushur kutitë e votimit për partinë në pushtet.

Një vëzhgues i vëmendshëm i samitit të Poznanit i tha gazetës MAPO se kjo shpërfillje e Edi Ramës ndjehej përgjatë kohës ku qëndroi aty, pasi i vetmi qëllim i tij dukej se ishte ndonjë përpjekje për të lëshuar batuta me ‘peshat e rënda të samitit’, Angela Merkel dhe Theresa May.

Kurse ‘ylli’ i samitit ishte kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, që u përpoq të ishte modest dhe të bënte vazhdimisht thirrje për marrëdhënie sa më të mira në rajon. Për ironi, dy kryeministrat shqiptarë në samit, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, e shfaqën hapur ftohjen mes tyre.

Megjithatë, kjo nuk e pengoi kryeministrin Edi Rama, që të bojkotojë një samit në Bosnje, pikërisht në emër të Kosovës.

Qeveria bojkotoi Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore, pasi presidenti kosovar Hashim Thaçi u ankua se do prezantohej vetëm me emër.

Por në samit mori pjesë presidenti Ilir Meta, që pati edhe debate për njohjen e Kosovës nga Bosnja dhe u përplas me kryeministren serbe, Ana Brnabiç.

Një tjetër njohës i mirë i këtij samiti tha se ishte paradoksale mungesa e Shqipërisë, pasi në këtë samit marrin pjesë edhe vende të BE.

Jo vetëm kaq, por jo pak vende në këtë samit kanë probleme mes tyre, megjithatë kjo nuk i pengon që të jenë të pranishme aty. Për ironi, në këtë samit do ishte Kosova që do merrte drejtimin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore.

Një burim i tha MAPO-s se është e habitshme që kryeministri shqiptar, që ka takuar disa herë presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe duket se ka përkrahur një tezë të rrezikshme, atë të shkëmbimit territorial, tashmë shfaq anën e tij nacionaliste në emër të Kosovës.


LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here