Replikë me Xhufin/Pse Muhameti e ka mbiemrin Krishti në Lazarat?

0
221

Nga Panajot Çakalli

 Para disa ditësh degjova me habi një intervistë të historianit të njohur Pëllumb Xhufi. Ai u shpreh se Gjirokastra ka qenë vatër e infeksionit të murtajës, domethënë “Vdekjes së Zezë”, që pllakosi mbarë Europën që në shek.XIV dhe se strehë për të sëmurët ka qenë Lazarati. Sipas Xhufit, lazarate quheshin të gjitha ato vende ku karantinoheshin këta të sëmurë. Në mendimin e tij, vet emërtimi Lazarat lidhet me këtë dukuri fatkeqe. Por çështja është a qëndrojnë këto hipoteza?

            Sigurisht që gazetarja e intervistoi Xhufin, sepse në librin e tij të fundit me titull “Arbërit e Jonit – Vlora, Delvina e Janina në shek.XV-XVII” , prej 1500 faqesh, ai i dedikon një syth të veçantë prej 20 faqesh fenomenit të murtajës në Shqipërinë Jugore. Megjithatë, duhet të kuptojmë diçka, që Xhufi focus kryesor të studimit të tij ka pasur bregdetin jonian, por jo Gjirokastrën, Përmetin, Korçën, e aq më pak Lazaratin. Në këtë kontekst, është e natyrshme që ai të gabojë dhe të shprehë qëndrime të pamenduara mirë, të ngrejë hipoteza të pambështetura në burimet e kohës, dhe të nxjerrë për pasojë deklarata të tilla joshkencore, alogjike, fyese dhe të paranueshme për botën akademike dhe opinionin publik.

            Të thuash se Gjirokastra ka qenë vatër infeksioni është si të thuash që “Vdekja e Zezë”, që përgjysmoi popullsinë e Europës në shek.XIV siç thotë dhe Xhufi në fq.1219, lindi në “Qytetin e Gurtë”! Në fakt, nëse Xhufi do të thellohej pak në burimet e kohës të mesit të shek.XIV, ai do të kuptonte se në Shqipëri përhapja e murtajës ka ardhur nga veriu në drejtim të jugut. Nuk ishte, siç pretendon Xhufi, Kostandinopoja “kryeqyteti i perandorisë së të keqes”(shih fq.1224), por përkundrazi ishin anijet veneciane, që i binin kryq e tërthor Mesdheut, ato që e sollën Murtajën nga Lindja e Mesme në Europë. Perandoria Bizantine në këtë kohë ishte rrudhur dhe me veshtirësi të mëdha mbante një ushtri prej 3000 ushtarësh: 2000 në Azinë e Vogël dhe 1000 në zotërimet e saj ballkanike. Bizanti s’kishte flotë të sajën, sepse republikat e Italisë së Veriut ishin bërë zotër të deteve të tij, që përpara rënies së Kostandinopojës më 1204 në duart e latinëve (shih: Netherlands Organisation for Scientific Research. The Byzantine Imperial Acts to Venice, Pisa and Genova, 10th – 12th Centuries . Hague: Dafni Penna/Eleven International Publishing, 2012).

            Siç dihet, ishin “miushat” që u futën në anijet veneciane që e përhapën murtajën në Europë. Por këto anije, para se të shkonin në Veneti, bënin me patjetër një ndalesë në zotërimet e Republikës në Shqipëri, dhe konkretisht në portin më të madh të Adriatikut Shqiptar, në Durrës. Unë nuk di, që Gjirokastra të ketë pasur ndonjëherë port detar! Kështu që, se nga u bë Gjirokastra vatër infeksioni dhe Lazarati karantinë e të sëmurëve, këtë vetëm Xhufi mund të na i thotë, por kursesi s’mundet të na i vërtetojë.

            Xhufi merret dhe trajton më shumë periudhën e shek.XV-XVII në librin e vet dhe ka evidentuar me të drejtë mjaft raste interesante kur ka rënë murtaja në Shqipëri dhe normalisht dhe në Gjirokastër. Por vala më e fuqishme e infeksionit ka qenë në vitin 1348, kohë në të cilën shqiptarët përballeshin me sulmet car Stefan Dushanit të Serbisë dhe Xhufi ka heshtur totalisht për këtë. Po pse vallë?! Sepse shqiptarët përballë “Vdekjes së Zezë” dhe shpatës serbe kishin vetëm dy rrugë për të shpëtuar: ose të bashkoheshin me serbët dhe të fitonin privilegje, siç e bënë disa në fakt, ose të arratiseshin në drejtim të jugut, që ishte dhe i painfektuar dhe i papushtuar nga Serbia.

            Por Xhufi, me një këmbëngulje hipokrite mohon migrimin e madh të shqiptarëve në mesin e shek.XIV, kur Stefanaq Pollo e Kristo Frashëri në veprën “Historia e Shqipërisë” vëllimi I, i botuar para 1990 e pohojnë dhe e pranojnë si fenomen. Ne si studentë të Masterit Shkencor Histori, nën udhëheqjen e Prof.Dr.Fatmira Ramës, e kemi studiuar në dy semestra këtë dukuri shqiptare. Ky është fakt i pamohueshëm që e gjithë historiografia e njeh si të tillë, sepse burimet e kohës së shek.XIV, që Xhufi i njeh shkëlqyer, e pohojnë këtë gjë. Xhufi deklaroi se Gjirokastra u boshatis nga njerëzit, për shkak të murtajës në shek.XIV, por ai qartazi e ngatërron këtë rast me masakrën që kryen turqit pas pushtimit të Gjirokastrës në vitin 1418. Për barbaritë osmane në të, “Kronika e Tokosë“ jep këtë përshkrim:

            “Kështjellat dhe fshatrat e tyre i lanë dhe ikën nga luginat, nga greminat , në malet dhe në hendeqet, asgjëkundi nuk shpëtonin që të mos ziheshin. Ushtri kishte të tepërt dhe e mbushi vendin dhe aspak nuk i lehtësonte ndonjë që t’i shpëtonte. Një çfarosje e madhe po bëhej tek shqiptarët. Atëherë u çrrënjos raca e Albanit, çdo njeri të mirë që e zinin i prisnin kokën.”(Akademia e Shkencave R.P.të Shqipërisë,Burime Tregimtare Bizantine për Historinë e Shqipërisë, vep.e cit.,f.312)

            Tani le të ndalemi pak tek historia e Lazaratit, ose Lazëratit siç e emërtojnë banorët e zonës.          Lazarati, sikundër edhe shumë venbanime të tjera të Pellgut të Drinos, është një nga habitation-et më të hershme të kësaj zone, me një histori të gjatë dhe me një popullsi prezente historikisht në territorin që shtrihet dhe sot. Tërësia e gjurmëve të së shkuarës duke përmendur këtu: rrënojat e ndërtesave të të gjitha periudhave (Antikitetit, Mesjetës e Kohës Moderne), emrat e vendeve (toponimet) e të njerëzve (antroponimet), si dhe burimet e tjera të pakta historike të karakterit dokumentar apo tregimtar, vërtetojnë përgjithësimin e shprehur më sipër.

            Pa dyshim emri i këtij vendbanimi (Lazërat siç e thonë dhe banorët e tij), automatikisht të ngjall një kureshtje të pamatë dhe një habi të thellë, sepse bëhet fjalë për një toponim të krishterë në një fshat të banuar nga myslimanë. Por kjo habi fillestare është e kapërcyeshme, nëqoftëse studiohet me themeli historia e tij. Sinqerisht, i sugjeroj të gjithëve, edhe Xhufit, të lexojnë librin e kardiologut të njohur Islam Bucit me titull “Lazarati në rrjedhat e historisë”, i shkruar me një kujdes shumë të madh në bashkëpunim me bashkautorët Sali Rabi, Hodo Çelo, Niazi Mahmuti dhe Hito Brahimi, si dhe në konsulencë me profesorët e nderuar të Departamentit të Historisë të Universitetit “Eqrem Çabej”. Me të vërtetë ky punim duhej lexuar nga Xhufi, përpara se të bënte ato deklarata.

            Origjina e Lazaratit është e hershme dhe fillon që nga Antikiteti. Lazaratasit e vjetër thonë një shprehje: “Neve jemi nga Sopoti, aty ku ka vënë dorën Zoti”. Kjo është provë e një ndërgjegjeje të fortë të vendit ku ishte vendosur dikur ky vendbanim në Antikitet. Dëshmi për këtë është historiani i madh romak, Polibi. Gjatë Mesjetës, “Kronika e Gjirokastrës” dëshmon krijimin e një qendre të fortifikuar në Kollorocë (Kordhoca e sotme). Por emërtimi i sotëm i fshatit Lazarat lidhet me manastirin, që me gjasë ka qenë i Shën Lazërit, prandaj dhe banorët e quajnë Lazërat vendbanimin e tyre, të paktën që nga fillimi i shek.XVII sipas dokumentacionit osman.

            Emërtimi që përmend Xhufi duket se nuk qëndron, jo sepse jugu i Shqipërisë nuk u kap nga murtaja, por sepse lazaretet ekzistonin vetëm në zonat e interesit dhe të influencës së drejtpërdrejt të Venedikut. Asnjëherë brendësia e territorit shqiptar nuk ka qenë nën influencë venedikase. Lazaretet ishin tipike psh në Korfuz dhe Xhufi e përmend këtë në fq.1231 te vepra “Arbërit e Jonit”. Por kjo s’ka lidhje logjike me Lazaratin. Edhe në ato raste kur Zenebishët e Gjirokastrës krijuan lidhje me venedikasit, kjo bëhej jo se Venediku donte Lazaratin, por se donte Gjirin e Sarandës përballë Korfuzit dhe kontrollin e rrugës detare joniane. Por le të thellohemi pak në mikrohistorinë e këtij fshati të rëndësishëm.

   Në Lazarat, ekziston realisht një banor i nderuar që e ka emrin Muhamet dhe mbiemrin e ka Krishti. Sigurisht ky contrast onomastik mes dy udhëheqësve të feve më të mëdha monoteiste në botë, fillimisht të befason. Por në histori asgjë nuk ndodh rastësisht. Mbiemri “Krishti” është dëshmi për argumentimin e faktit se këtu kemi të bëjmë me një prej fiseve më të vjetra që ekzistojnë ende sot në Lazarat, një fis që mbart kujtimin e së shkuarës kristiane, të një fshati dikur orthodhoks dhe thellësisht besimtar te Zoti.

Islam Buci na bën një rezyme të dhimbshme të një persekucioni të gjatë të lazaratasve në të gjitha periudhat. Konvertimi nga kristianizmi në islam ishte po aq i dhunshëm. Është e njohur gojëdhëna se si rreth mesit të shek.XVIII, kur zhvillohen edhe luftërat e para ruso-turke dhe kur një fuqi e madhe orthodhokse u interesua për orthodhoksët e Perandorisë Osmane, u intensifikua islamizimi i dhunshëm edhe i Lazaratit.

Lazaratasit u detyruan të dilnin të punonin tokat të Dielën e Pashkës, ditës më të shenjtë të krishtërimit. Ata refuzuan dhe në vend që t’i nënshtroheshin osmanëve vendosën të largoheshin duke vënë patkonjtë e kuajve së prapthi që turqit të mos i ndiqnin. të larguarit përfunduan në ishullin e Lefkadhës, ku në qëndër të ishullit, larg detit, ata krijuan një fshat me emrin e vendit të origjinës, Lazarati, sikundër është dhe sot. Pjesa tjetër e popullsisë që mbeti, që nuk deshi të largohej nga vndlindja, u detyrua të konvertohej në islam. Kështu shpjegohet se pse Muhameti e ka mbiemrin Krishti në Lazarat. Sigurisht që fshati nuk mbeti bosh, por u popullua edhe nga fise më të reja, kryesisht të ardhura nga Krahina e Labërisë, por Krishtajt janë dëshmitarët e gjallë dhe të vërtetë të historisë së lashtë dhe mesjetare të Lazaratit .

 Pëllumb Xhufi duhet të jetë më i kujdeshshëm në deklaratat që bën, por edhe në veprat që shkruan. Mediave u intereson lajmi dhe për pasojë ato bëhen gjuetare të gënjeshtrës dhe mëma të mashtrimit. Por historiani i vërtetë duhet t’i nënshtrohet së vërtetës dhe qasjes objektive në raport me realitetin dhe jo verbërisë, komplekseve, apo paragjykimeve. Vetëm me anë të së vërtetës përparon shkenca, përndryshe mbretëron gënjeshtra.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here