Rokadat politike/Nga Roland Bejko

opinion-paneli paneli-opinionDuke ndjekur debatin në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu nga njëra anë, dhe komentet në  rrjetet sociale nga ana tjetër vura re një  farë  habie prej komentuesve të shumtë  për pozicionimin e të  ftuarve në  panel. Një pjese të mirë ju dukej e pazakontë vendosja e zotrinjve Spartak Ngjela dhe Henri Cili si avokatë  të  qeverisë  Rama në  anën  e majtë  të  studios përkrah deputetes socialiste Olta Xhacka e cila për hir të  së  vërtetës ishte aty në  pozicionin e saj natyral. Ndërsa gazetarin Ylli Rakipi që  ishim mësuar ta shikonim  vite më  parë  të  mbronte programin e Rilindjes e gjejmë  përkrah konservatorit Mark Marku dhe liberales së  djathtë  Grida Duma duke u shfaqur këtë  rradhë  si një  kritik i fortë  i Ramës.Tek e fundit, Ylli u kthye në shtëpi.

Ashtu, si në  një  fushë  shahu ku figurat kanë  bërë  një  rokadë  të  cuditshme dhe në pozicione të  pazakonta për atë  c’ka jemi mësuar ti shikojmë  këta panelistë  në  të kaluarën e afërt të  tyre, mu kujtua një  dialog midis gazetarëve dhe presidentit të  SHBA-ve Ronald Reagan.

Pas largimit të  tij nga Partia Demokratike ku militoi për vite me rradhë  duke u bashkuar me Republikanët gazetarët e pyetën se cila ishte arsyeja që  i braktisi demokratët? Reagan u përgjigj: “Nuk isha unë   që  u largova nga Partia Demokratike, por e kundërta, Partia Demokratike u largua nga bindjet e mia. Kështu që  unë  u qëndrova besnik bindjeve të mia politike, i ndoqa ato dhe pashë  që  më  konverguan me programin e republikanëve”.

Henri Cili dhe Spartak Ngjela janë  të  njohur nga publiku si ithtarë  të  liberalizmit apo neoliberalizmit që  në  thelb të  ideologjisë  që  pretendojnë  se mbrojnë  qëndron një  qeveri e vogël dhe efikase me një ekonomi liberale të  tregut, me një  system fiskal me taksa të ulta,me një  drejtësi si garante për të  drejtën natyrore të  pronës dhe rregullat e konkurrencës ekonomike, duke respektuar dhe mbrojtur liritë  e individit etj. Por cuditërisht në  “Opinion” ata gjendeshin në  krahun e majtë  të  panelit, aty ku zakonisht spikerët e ftuar flasin për forcimin e shtetit social dhe rritjen e rolit të  tij në  shoqëri si i vetmi garant i zhvillimit ekonomik dhe i cdo lloj prosperiteti, bazuar mbi taksën progresive; aty ku zakonisht ulen deputetët apo analistët që  në  pesë  fjali tre i kanë  për burgjet dhe kërbacin si mënyrë  shpëtimi nga e keqja që  për ta janë  kundërshtarët e tyre politikë; aty në  të majtë  të  studios ulen ata që  mburen për ngjyrat dhe fasadat dhe me një  prapagandë  të sofistikuar flasin pak ose aspak për tregun dhe për zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqënies dhe liritë  e individit, madje nuk thonë  asnjë  fjalë  për varfërinë dhe papunësinë etj.

Në  këtë  rikonfigurim panelistësh politikë, pyetja që shtrohet është: Cfarë  ka ndodhur me këtë  ripozicionim të  Cilit dhe Ngjelës në  krahun e majtë  të  panelit? Janë  larguar ata nga bindjet e tyre neoliberale për të  shkuar drejt Ramës, apo Rama ka braktisur a “tradhëtuar” programin e tij socialisto-rilindas me të  cilin ju mori votat shqiptarëve, për tu afruar drejt neoliberalizmit të  Cilit dhe Ngjelës?

Nëse është  ajo që  thotë  Henri Cili se Rama e ka braktisur programin e Rilindjes për të pasur sukses në  qeverisje ngaqë  me atë  program që  u votua në  2013 do ta kish të pamundur të  kryente reforma, afërmendsh i bie që Rama duhet të  japë  dorheqjen si mashtrues e gënjeshtar i popullit dhe i votuesve të  vet. Rëndom  në  vendet perëndimore dhe sidomos në  ato anglo-saksone ky është  një  skandal i ndëshkueshëm, e, në mos ligjërisht, të  paktën moralisht dhe si të  tillë pra, po ta besojmë për të  vërtetë  atë  që  thot Cili për Ramën, qytetari i mashtruar njëherë nuk duhet ta votojë  më  këtë  të  fundit në zgjedhjet e rradhës. ( sa shumë  kërkon  ti, do të  thoshte dikush. Këtu turpi nuk ka kut). Por, me sa kemi parë   dhe kemi dëgjuar nga ato që  thotë  vet Rama dhe makineria e tij prapagandistike ai vazhdon të  këmbëngulë  se i ka qëndruar besnik pikë  për pikë  programit të  tij të  Rilindjes, dhe na i prezanton madje edhe si  të  suksesshëm atë , pavarësisht se krimi i organizuar bën ligjin kudo.

Në  rastin e Cilit dhe të  Ngjelës kësaj i thonë  tellalli e shet, i zoti se jep!

Prandaj, me të  drejtë , për shumëkënd, rokada e ndodhur në  panelin e studios Opinion u duk e pazakontë  dhe e pasinqertë . Dikush është  vendosur në  pozicionin e gabuar, në kuadratin e gabuar në  fushën e shahut politik dhe si i tillë  rrezikon që të  vritet dhe të dalë  përfundimisht nga “loja” politike.

 

 

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment