RREZIK!!!! Kumbaro do të shkatërrojë Gjirokastrën

0
529

Në Gjirokastër po rrënohen banesat monument kulture, ndërsa Ministria e Kulturës merret me fjalë. Kështu shprehet akademiku Emin Riza njëkohësisht dhe hartues i dosjes së Gjirokastrës për në UNESCO. Në intervistën e tij për SOT.com.al, akademiku flet për problemet për të cilat ai dhe specialistë të tjerë të fushës së trashëgimisë kanë reaguar, por që duket se nuk kanë pasur vëmendjen e institucioneve. Sipas akademikut, Ministria e Kulturës nuk i merr parasysh mendimet dhe reagimet e specialistëve, sepse është diletantizmi politik që sundon dhe nuk sundon profesionalizmi. Akademiku shprehet se janë më shumë se njëzet vjet, që ka munguar vëmendja në Gjirokastër dhe gjendja është që po shkon drejt rrënimit. Sipas tij, nëse do të ishin bërë investime dhe do të ishin bërë me kohë ndërhyrjet në Gjirokastër gjendja nuk do të ishte kjo që tregohet sot për banesat monument kulture. Akademiku flet për projektin “Bypass” në Gjirokastër, që kundërshtohet nga 30 emra të njohur të shkencës, fushës së trashëgimisë kulturore, urbanistikës e më gjerë. Akademiku pohon se përmes një peticioni është kërkuar anullimi i këtij projekti, që sipas tyre prish imazhin e qendrës historike. Për hartuesin e dosjes së Gjirokastrës në UNESCO ai projekt nëse ndërtohet  e zhbën si qytet muze. Duke folur më tej për problemet, e rëndësishme sipas tij është që paratë që jepen për atë projekt të shkonin për restaurimet e banesave monument kulture. Sipas akademikut duke parë sot gjendjen që ka Gjirokastra nuk duhen fjalë, por para për restaurimet e banesave monument kulture dhe kjo sa më parë pasi është gjendje alarmante dhe ritmi i rrënimit të banesave shkon përherë në rritje.

-Jeni shprehur kundër projektit “Bypass” në Gjirokastër. Keni firmosur një peticionin ku kërkoni anulimin e tij…

Nuk jam dakord për ndërtimin e “Bypass” në Gjirokastër. Ai projekt nëse do të ndërtohet atje e zhbën si qytet muze Gjirokastrën. “Bypass” zhbën vlerat e Gjirokastrës. Është përgatitur një relacion për problemet në Gjirokastër dhe unë e kam firmosur peticionin, ashtu si janë dhe të tjerë emra, ku të gjithë jemi dakord për mos ndërtimin e “Bypass”. Në atë relacion ku shfaqen problemet e Gjirokastrës më ka bërë përshtypje një përpjekje profesionale dhe njerëzore, për ruajtjen e vlerave të papërsëritshme të qytetit. Të gjitha problemet që janë në relacionin për Gjirokastrën ndihmojnë të vërtetën e padiskutueshme. Nëse do të bëhet ai projekt do ti jepte një goditje të padiskutueshme vlerave historiko-kulturore dhe ambientale të Gjirokastrës. Në atë projekt janë dhe banesa monument kulture, që për “Bypass” duhet të prishen nëse ndërtohet. Turistët nuk vijnë në Gjirokastër për të bërë udhëtim me makinë, por kjo është një marri arvanite. Nuk vijnë turistët të bëjnë xhiro më makinë në Gjirokastër, por ata vijnë për të shijuar Gjirokastrën siç e kanë shijuar ndërtuesit e saj. Pra vijnë në Gjirokastër për të ecur në këmbë dhe për ta parë qytetin, qendrën historike. Edhe ne kur shkojmë në Malin e Dajtit nuk shkojmë me makina të shëtisim në mal, por ecim në këmbë. Është absurde të mendosh një projekt si “Bypass” në Gjirokastër. Unë nuk e di se si mund të japësh fonde për atë projekt, kur e dimë që Gjirokastrën e kemi drejt rrënimit.

– Jeni hartues i dosjes së Gjirokastrës në UNESCO dhe pohoni se është drejt rrënimit. Por kemi dhe Ministrinë e Kulturës që flet për ruajtjen dhe mbrojtjen e qytetit. Çfarë po ndodh me Gjirokastrën?

Gjirokastra është drejt rrënimit të saj, por ne duhet ti harxhojmë paratë për projektin e “Bypass”? Kjo është absurde. Paratë nëse janë për një projekt të tillë të shkojnë për restaurimet e banesave monument kulture në Gjirokastër. Kjo është e drejtë, që të shkojnë për restaurimet e banesave, por jo për një ndërtimin e “Bypass”. Unë e di se si është gjendja në Gjirokastër. Rrënimi i banesave vjen sepse thelbi i restaurimit është vazhdimësia e ndërhyrjeve mirëmbajtëse dhe duke lënë një plagë të vogël ajo zmadhohet dhe mund të kalojë dhe në kancer. Edhe këtu po ashtu po ndodh. Edhe një gur që të bjerë nga një mur në Gjirokastër nëse nuk e vendos në vendin e parë, atëherë hapet një gropë e madhe. Kjo gropë e madhe bën uljen e muraturës. Bie një pjesë e çatisë dhe kështu shkatërrohet gjithë banesa. Janë më shumë se njëzet vjet, që nuk është vënë dorë në Gjirokastër dhe gjendja është kjo që është drejt rrënimit. Nëse do të ishin bërë me kohë ato ndërhyrje që duhen në Gjirokastër do të ishte me shpenzime shumë të vogla dhe do të ruanin theksueshëm vlerën origjinale të monumentit. Por sot në Gjirokastër edhe rindërtimet që janë të domosdoshme të pjesshme sigurisht, ato praktikisht fusin struktura të reja që nuk ka vlerën origjinale në tërësinë e monumentit.

-Ju dhe më herët keni reaguar ndaj problemeve dhe ashtu si dhe të tjerë specialistë të fushës vazhdoni të pohoni se Ministria e Kulturës nuk merr parasysh reagimet për probleme të ndryshme në fushën e trashëgimisë kulturore. Në gjykimin tuaj si e shikoni këtë?

Ministria e Kulturës nuk i merr parasysh mendimet dhe reagimet e specialistëve, sepse këtu tek ne është diletantizmi politik që sundon dhe nuk sundon profesionalizmi. E them sërish që projekti i “Bypass”-it në Gjirokastër në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar të ndërtohet. Për Gjirokastrën ka shumë probleme të tjera, që duhet të ishte menduar për zgjidhjen e tyre, duheshin investime, etj, por jo të mendohet një projekti i tillë. Kemi Institutin e Monumenteve të Kulturës sot, por në fushën e trashëgimisë kulturore nuk mund të bëjë dot gjë, sepse mungojnë fondet. Çfarë mund të bëjë Instituti i Monumenteve të Kulturës me këtë gjendje që është për trashëgiminë kulturore, për të parë gjendjen reale të monumenteve kur nuk ka mundësi sepse mungojnë fondet? Punët nuk bëhen me fjalë, që duhet bërë kjo apo duhet bërë ajo, jo bëhen rregullore apo nuk bëhen rregullore, caktova monumentet e kulturës së kategorisë së dytë që ishin aty, etj. Por unë them që nuk duhen fjalë, por para për restaurimet e banesave monument kulture dhe kjo sa më parë dhe është gjendje alarmante. Ritmi i rrënimit të banesave shkon përherë në rritje.

-Ministria flet për prioritete…

Për Gjirokastrën nuk ka pasur prioritete, deri sa dhe tani thonë do bëjmë rrugën nuk ka pasur. Ju pohova që në fillim jam kundër projektit të “Bypass”. Keni dëgjuar ndonjëherë të ketë shumë vëmendje për Gjirokastrën? Vetëm tani po flasin shumë se kanë projektin e rrugës. E kam thënë që më mirë të bëhet një rrugë çdo vit pesë kilometra më pak dhe ato para ti shkonin Gjirokastrës. E them këtë sepse rruga bëhet më vonë, ndërsa origjinaliteti, autenticiteti i monumentit është i pakthyeshëm. E përsëris është i pakthyeshëm.

-Fusha e trashëgimisë kulturore ka jo pak probleme. Ku mendoni se duhet të kishte pasur vëmendje nga institucionet?

Puna e institucioneve matet me ndërhyrjet mirëmbajtëse dhe restauruese, që bëhen për monumentet e kulturës. Kjo është puna e institucioneve dhe nuk matet me kaq drejtori apo rregullore. Rregulloret janë bërë që në vitin 1962 apo dhe ’73. Tani marrin dhe ngatërrojnë më tepër rregulloret, si thonë tani për Gjirokastrën jo monumente kulture të kategorisë së dytë nuk janë të gjithë, por duhen hequr këta, por megjithëse hiqen prap nuk shkatërrohen. Pra broçkulla. Kjo është me gënjyer ata që nuk janë as për së largu njohës të kësaj fushe, që thonë sa mirë i paskan caktuar. Por ai që është specialist tamam është i shqetësuar. Të gjithë ndërtimet në zonën muze dhe në zonën e mbrojtur, që nuk janë të cilësuara monumente të kategorisë së parë janë automatikisht monumente të kategorisë së dytë. Çfarë cilësimi duan? Është mirë që më vonë të përcaktohen emrat dhe jam dakord, nuk kam kundërshtim, por jo të ndahen këto nuk janë monumente dhe këto janë monumente, por dhe këto që nuk janë monumente nuk prishen. Atëherë pse i ndave si monument kulture? Ministria i heq nga lista se thotë nuk kanë vlera, por kjo nuk është e drejtë, sepse prishet ansambli. Ajo është zona muze, që i ka të gjitha banesat me vlera, zona e mbrojtur i ka me vlera më të pakta, por gjithsesi rreth zonës muze dhe i jep qytetit një dimension më të gjerë hapësinor.

Burimi: Sot.com.al

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here