Rriten shpenzimet e shqiptarëve për shëndetin, ja qyteti që mban rekordin

0
142

Gjatë vitit 2018 shqiptarët kanë rritur shpenzimet ndaj shëndetit, duke vërtetuar se barra e sëmundjeve po ndikon edhe në strukturën e buxhetit të familjeve.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se sëmundjet janë rritur në popullatë dhe kjo është reflektuar edhe te shpenzimet e familjeve shqiptare. Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, shpenzimet për shëndet u rritën nga 3.9% e totalit të shpenzimeve të familjes në 4.2% të totalit.
Edhe për vitin 2018, qarku i Fierit mbante rekord për sa i përket këtyre shpenzimeve, ku rreth 6% të totalit shkonin për shëndetin. Në krahasim me një vit më parë fierakët rritën shpenzimet me 0.9 pikë përqindje.
Pas Fierit, shpenzimet më të larta janë regjistruar në Kukës dhe Shkodër, me përkatësisht 5.2% dhe 4.9%.
Në anën tjetër shpenzimet më të ulëta ndaj shëndetit kanë qenë në qarkun e Elbasanit.
Shpenzimet kanë qenë të ulëta edhe në qarkun e Korçës dhe Durrësit, ku kishin të njëjtën peshë prej 3.5%. Me një diferencë të vogël edhe shpenzimet në Vlorë dhe Lezhë ishin sa 3.6% e totalit, ndjekur nga Dibra me një peshë prej 3.7%.
Dibra, gjithashtu, ishte një nga qarqet ku pesha e shpenzime shënoi rritje me gati 1.6 pikë, nga 2.1% në 3.7%.
Në qarkun e Gjirokastrës, ndonëse prej kohësh po përjeton plakjen e popullsisë me ritme të shpejta, shpenzimet ndaj shëndetit janë më të ulëta se mesatarja e vendit, të cilat ishin sa 3.9%.
Anketa e Buxhetit të Familjes është një vrojtim statistikor që kryhet pranë njësive ekonomike familjare (NjEF) dhe jep një panoramë të situatës socio-ekonomike të NjEF në Shqipëri. Anketa e Buxhetit të Familjes 2018 u krye nga INSTAT përgjatë gjithë vitit, me një kampion prej 9.384 NjEF. Në përfundim të vrojtimit u intervistuan rreth 7.559 NjEF të shpërndara në mënyrë uniforme në të gjithë territorin e Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here