Rrugët e Libohovës mbulohen nga shkurret

Bashkia Libohovë ka probleme të theksuara për sa i përket infrastrukturës rrugore. Mbi 50% e rrugëve në territorin e kësaj bashkie janë të pa asfaltuara, ndërsa ka edhe fshatra të cilat nuk kanë rrugë fare.

Por, si të mos mjaftonte kjo, kësaj situate aspak të mirë të gjendjes së rrugëve i shtohet edhe mos-mirëmbajtja e tyre, duke e shndërruar udhëtimin dhe zhvendosjen e qytetarëve nëpër këtë bashki një kalvar të vertetë.

Qytetarët ankohen së rrugët po i mbulojnë shkurret dhe bimësia, duke i bërë ato edhe më të pakalueshme. Rruga që lidh Zagorien me Libohovën është një monopat i vertetë. Zagoritët prej kohësh po kërkojnë rikonstruksionin dhe asfaltimin e saj, por nuk po marrin as më elementaren, mirëmbajtjen e rrugës.

Ndoshta është koha që institucioni i bashkisë të zgjohet nga gjumi dhe ti futet punës. Këto janë shërbime elementare që duhet ti ofrohen qytetarëve.

Mirëmbajtja e rrugëve, një shërbim shëndetësor i përshtatshëm që i përgjigjet nevojave të qytetarëve, krijimi i kushteve të duhura për një proces mësimor normal në gjithë territorin, furnizimi korrekt i qytetarëve me ujë të pijshëm, e të tjera si këto, janë shërbimet më elementare që një bashki duhet tu ofrojë qytetarëve. Nqs bashkia nuk bën këto, atëherë çfarë pune bën bashkia?

Nga ana tjetër, kryebashkiakja Luiza Mandi të dëgjojë shqetësimet dhe problemet e qytetarëve sepse për këtë është zgjedhur dhe kjo është një ndër punët e saj si kryebashkiake. Të ndalojë praktikën abuzive që i heq mundësinë e të shprehurit qytetarëve dhe ti futet punës nëse dëshiron të marrë vetëm lëvdata nga ta.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment