Sekretarin e partisë Nazif, e gjejmë kudo

0
156

Nga Pëllumb Nako

Në vitet 1985-1986, në kohën që kam punuar mësues në një fshat, me kujtohet figura specifike e një individi. Ai quhej Nazif. E kishim shumë frikë. Sepse ai dinte gjithçka nga që të gjithë i spiunonin. Fizikisht Nazifi ishte njeri shëndetplotë, por aspak i shëndoshë. Thinja më të bardha dhe më fisnike si të tijat nuk më kanë zënë sytë. Faqet, të kuqe, nuk kishin humbur ngjyrën e tyre edhe në ato vite kur ishte plakur. Njeri i ushqyer mirë, thoshin të gjithë. Por nën zë ose me dikë tek i cili duhej pasur besim. Ishte koha kur të gjeje një kokërr vezë duhej pak fat. Kur trahanaja dhe dhalli dominonin dietën ushqimore. Bëhet fjalë për jetën në fshat. Nazifi ishte sekretari i partisë së shkollës sonë.

Arsimin e mesëm e kishte bërë po aty dhe kënaqësinë më të madhe e ndjente kur u nxinte jetën pikërisht mësuesve që i kishin dhënë shkollën kot. Për të, thuhej se kishte aq shumë pula në shtëpi sa që arriti të dallojë se disa i mungonin, kur një çoban aty afër i kishte vjedhur e ngrënë rreth dhjetë syresh. Legjendë apo e vërtetë, fakti mbetet. Nazifi vërtet kishte shumë pula. Opinioni i përgjithshëm i nxënësve dhe sidomos i mësuesve ishte se me profilin që kishte Nazifi, në çdo rrethanë e në çdo kohë do të ishte vetëm sekretar partie. Edhe sikur të ishte parti tjetër. Qoftë dhe fashiste. Partia për të ishte thjesht një instrument për t’u përdorur. Për të përfituar.

Në kundërshtim jo vetëm me ideologjinë, parimet e shenjta dhe të paprekshme komuniste, por edhe me ligjin. Profili i Nazifit të jep përsëritjen ekzakte të asaj që reflekton në tërësinë e tij, pushteti i sotëm. Paradokset e trashëgimisë së tij. Por sidomos paradoksi në të cilin disa mendimtarë të lirë e të njohur, kërkojnë t’i japin opozitës si kal për betejën kundër qeverisjes. Këto ditët e fundit, pena të tilla po i mëshojnë disa fakteve të cilat të paktën nuk të bindin për produktivitetin e tyre. Në shkrimet antiqeveritare, ata po godasin me artileri në llogoret e trashëgimisë së Nazifit si sekretar partie. Duke harruar faktin se Nazifi ynë ishte njëkohësisht më i pasuri, në një fshat që kaurdisej me shumicë te trahanaja. Më i kamuri në kushtet kur pasuria në mos ndalohej, kufizohej. Kur parimet e afishuara dhe për të cilat Nazifi ishte në krye të organizatës komuniste, predikonin krejt të kundërtën. Kur ai shkelte gjithçka me këmbë dhe në vend të kishte frikë, na fuste tmerrin ne të tjerëve.

Madje këtë trashëgimi ideologjike, penat në fjalë po rreken ta gjejnë edhe brenda radhëve të opozitës. Kryesisht në oborrin e Partisë Demokratike. Të personifikuar te “bijtë e etërve”. Ndërkohë që, besoj se duhet të përqendrohen e të kontribuojnë kundër trashëgimisë  së “modeleve të etërve si Nazifi”. Dhe jo si trashëgimi gjenetike, por si mënyrë e ndërtimit e të drejtimit të qeverisjes. Të merresh dhe të luftosh bijtë e etërve komunistë gjenetikisht, kudo që janë, duket mision i vështirë. Për më tepër bosh, pa leverdi. Po ashtu edhe i pamundur. Për fat të keq, në kohën e diktaturës, komunistët, familjet dhe lidhjet e tyre të ndryshme ishin kaq të shumta sa të kujtojnë mizërinë e ushtrisë romake. Kur perandoria romake ra, ishin të shumtë pikërisht këta ushtarë që i dhanë jetë lindjes dhe krijimit të kombeve të reja të grupimit latin. Po ashtu edhe te ne, kur ra komunizmi, mizëria ish-komuniste, farefisnitë, lidhjet, krushqitë e tyre populluan gjithë partitë a pasdiktaturës.

Në kohën që mënyra sesi qeveriset sot vendi ynë përkufizohet se është komuniste dhe nuk ka respekt për pronën private, do të thotë të merresh me trashëgiminë e Nazifit si sekretar partie. Betejë e humbur. Kohë e kaluar. Kjo sepse në ekonomi, Kryeministri ynë po harton, madje me shumicë, kontrata Partneritet Publik-Privat të cilat në terma ekonomikë përkthehen si privatizim i fshehtë e pronës publike. Duke i shtuar ato me shumicë si pulat e Nazifit. Dhe ky veprim nuk duket mentalitet komunist. Nazifi nuk e shtoi pasurinë sepse ishte komunist. Por ai u bë komunist, pikërisht për të përfituar. Ndërkohë kur nga ana tjetër, e njëjta qeveri, me në krye po këtë Kryeministër që privatizon pronën publike, grabit pa mëshirë e pa bazë ligjore pronën private të individëve jo klientë, fenomeni nuk rezulton fare me ngjyrim politik. Ai reflekton plotësisht trashëgiminë e Nazifit të pasur që nuk e ka problem të shkelë gjithë normat politike, morale, ligjor për t’i siguruar familjes së tij mirëqenie e pasuri. Kjo sepse njëlloj si Nazifi sekretar partie, edhe sot nuk reflektohet asnjë qëndrim i cili të dëshmojë respekt për ligjin. Ai shkelet.  As respekt për pronën private. Ajo grabitet e po kështu për atë publike. Ajo lejohet të degradojë që më pas të privatizohet për llogari të kupolës. Gjithçka për të kënaqur një grupim. Grupim në formën e një kupole. Kjo nuk është trashëgimi komuniste. Por byroiste. Edhe Nazifi, pavarësisht se jetonte në një fshat prapa maleve, në thelb ishte një byroist. Në këtë kontekst, shënjestra e sulmeve opozitare me objekt komunizmi, ndoshta duket korrigjuar.

Gjithçka që po ndërton qeveria sot nuk ka lidhje me ideologjinë. As me atë komuniste. Trashëgimia e reflektuar në veprimet e lidershipit të sotëm qeveritar nuk lidhet me ideologjinë zyrtare të etërve, por me komponentin mafioz të saj. Siç u tha në rreshtat e parë, të gjithë ne në fshat mendonim se Nazifi do të ishte sekretar organizate, edhe sikur të ishte parti tjetër. Edhe ky konstatim më së shumti i padjallëzuar, pa dashje, sot reflekton filozofinë me të cilën qeveriset. Pragmatizmin e saj absolut, në ndryshim të plotë me çdo lloj filozofie politike. Ndryshe nga ajo çka i rekomandohet opozitës. Një filozofi e djathtë. Në kohën që “bijtë e etërve nacionalistë” janë shumë të zënë duke qëlluar me top ata “të etërve komunistë” që popullojnë oborrin e Partisë Demokratike, Kryeministri solli në atdhe eshtrat e kreut nacionalist shqiptar të Luftës së Dytë Botërore. Të shoqëruara me ceremoni zyrtare. Në ceremoni ai përshëndeti personalisht. Ky nuk është mentalitet komunist. As ripërtëritje hipokrite e Mukjes.

Po ashtu, një kanal televiziv, fare i afërt me Kryeministrin, në të njëjtat valë me të, shfaqi në ekran emisione të tëra lidhur me nacionalistët e vendit tonë të pushkatuar pa gjykim dhe të varrosur në disa varreza nën kujdesin e qeverisë. As ky nuk është mentalitet komunist. Veteranët komunistë rrudhën buzët. E sulmuan shefin e qeverisë. Të gjithëve ai u kujtoi se “L’Etat c’est moi”, Shteti jam unë. E gjitha kjo është pragmatizëm. Thjesht përdorim për të zgjeruar shtresën që të mban në pushtet. Komunistët veteranë shtrënguan dhëmbët, u fyen. Pak rëndësi ka. Sepse nesër, kur t’i duhen për pushtet, ata do të jenë të gjithë aty, në rresht për të dhënë votën. Nëse me ta, të kënaqur nga riatdhesimi i eshtrave të udhëheqësit shpirtëror do të bashkohen edhe disa nacionalistë, nuk është humbje. Në thelb, edhe sot si Nazifi dje, gjithçka është e mirë për të siguruar pasuri dhe pushtet. Njëlloj hyjnë në punë komunistët, nacionalistët, të blerët, të shiturit, kriminelët. Radha është e gjatë dhe mund të shtohet nëse “bijtë e etërve” në kampin tjetër sulmojnë njëri-tjetrin me artileri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here