Senatorët amerikanë letër Tillersonit: Shqipëria e rrezikuar nga krimi dhe droga

0
294

Senatori Mike Lee (Republikan, nga shteti Utah) dhe një grup Senatorësh i bënë thirrje sot Sekretarit të Shtetit Rex W. Tillerson të hetojë menjëherë se si fondet amerikane po përdoren nga DSH dhe USAID për mbështetjen e grupeve politikë të së majtës së qendrës dhe ndikojnë politika që anojnë nga e majta në vende sovrane, pavarësisht dëshirës së tyre për vetëvendosje.

Një grup i tillë është Open Society Foundation, përfitues i shumë granteve nga USAID dhe i krijuar nga George Soros. Senatori Lee dhe kolegët e tij besojnë se kjo sjellje është e papranueshme dhe duhet të ndalohet menjëherë.

Letra është nënshkruar edhe nga Senatorët Inhofe (Republikan, Oklahoma), Tillis (Republikan, North Carolina), Cruz (Republikan, Teksas), Perdue (Republikan, Georgia) dhe Cassidy (Republikan, Louisiana).

Duket se ky shqetësim është ngritur nga senatorët pas takimeve të shumta që ka zhvilluar në Washington, kreu i PR-së Fatmir Mediu, me vetë sekretarin e Shtetit dhe senatorë të shumtë.

“Gjatë muajve të fundit, zyrtarë të zgjedhur dhe liderë politikë të vendeve të huaja kanë ardhur tek unë me lajme dhe raporte zhgënjyese për veprimtarinë e SHBA në vendet e tyre. Aty përfshihen njoftime për diplomatë që bëjnë favore politike, për fonde të USAID-it që mbështesin aktivistë politikë ekstremistë e disa herë të dhunshëm dhe për qeverinë  amerikane që punon për anashkalimin e të moderuarve dhe konservatorëve në rolet udhëheq[s ”, thotë Senatori Lee. “Ky lloj favoritizmi politik nga misionet tona nëpër botë është i papranueshëm dhe vë në rrezik marrëdhëniet tona dypalëshe”.

Letra i bën thirrje Sekretarit Tillerson “… të investigojë të gjitha fondet për promovimin e demokracisë dhe qeverisjes dhe të rishqyrtojë programet, llogaritë dhe numrin e organizatave amerikane të përfshira në aktivitete të tilla. Ne duhet … të shqyrtojmë se si përdoren paratë e taksave tona, në mënyrë të të ndalim aktivitete që nxisin trazira polike, mosrespektim të vendeve sovrane dhe shoqërisë civile dhe që minojnë përpjekjet tona për të ndërtuar marrëdhënie të vlefshme ndërkombëtare”.

Pasoja më e dëmshme e një kontributi kaq të madh të SHBA në një anë të vetme të spektrit politik jashtë vendit është ajo që ne përjashtojmë shumë qytetarë të huaj që tradicionalisht i kanë përkrahur marrëdhëniet e forta me SHBA. Përçarje të tilla u lejojnë hapësirë oportunistëve agresivë si Rusia për të operuar dhe shkaktuar dëme të mëtejshme.

Senatori Lee shpreson se Sekretary Tillerson do të veprojë me shpejtësi për këtë çështje dhe pret të bashkëpunojë me të në të ardhmen.

Letra e Senatorëve

I dashur Sekretari Tillerson,

Urime për detyrën si Sekretar i Shtetit. Ne presim me padurim të punojmë me ju për shumë çështje të politikës së jashtme me të cilat do të përballet vendi ynë në vitet që vijnë.

Siç jeni pa dyshim në dijeni, Maqedonia i ka hyrë procesit të ndërtimit të koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve të dhjetorit 2016. Fatkeqësisht, kemi marrë raporte të besueshëm se, gjatë viteve të fundit, Misioni i SHBA atje ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikën partiake në Maqedoni, duke ndikuar edhe në krijimin e ambientit mediatik e të shoqërisë civile, shpesh duke favorizuar grupe politike me prirje nga e majta, para të tjerëve. Këto raporte i konsiderojmë dekurajues dhe, nëse janë të vërtetë, shumë problematikë.

Ambasadorit amerikan në Maqedoni i janë dërguar disa letra, me të cilat kërkohen shpjegime për rolin që Misioni i SHBA në Maqedoni luan në shpërndarjen e ndihmës amerikane atje, në peizazhin politik shpeshherë të trazuar maqedonas dhe në formimin e ambientit mediatik e të shoqërisë civile në Maqedoni. Përgjigjet për këto letra nuk na e kanë lehtësuar shqetësimin.

Një pjesë e mirë e aktivitetit shqetësuar në Maqedoni është vënë në lëvisje përmes fondeve të USAID-it, dhënë organizatave të tilla si Open Society Foundations të George Sorosit. Si marrës i shumë granteve e duke shërbyer si kontraktor i USAID-it në implementimin e projekteve në këtë vend të vogël me 2.1 milionë banorë, ndihma jonë e jashtme, e financuar nga paratë e taksapaguesve, shkon shumë larg, duke lejuar që Fondacioni Open Society Macedonia (FOSM) të zhvillojë një axhendë majtiste dhe të gjallërojë të majtën politike. Ndihma jonë e jashtme ekonomike duhet të përdoret në promovimin e një axhendë politike vetëm nëse është interesin ekonomik apo të sigurisë të vendit tonë, madje edhe në një rast të tillë duhet të jemi të kujdesshëm e të tregojmë respekt. Ne duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm në promovimin e politikave që që mbeten kontradiktore edhe në vendin tonë dhe që kanë potencialin për të dëmtuar marrëdhëniet tona me qytetarët e vendeve të tjera.

Ky problem nuk kufizohet vetëm në Maqedoni, por duket se ka një model aktiviteti alarmues në rajonin e paqëndrueshëm. Liderë të respektuar nga Shqipëria kanë pasur ankesa të ngjashme për diplomatë amerikanë dhe organizata të përkrahura nga Soros që nxistin për rezultate të caktuara politike në vendin e tyre.

Fondacioni Open Society Albania (FOSA) dhe ekspertët e tij, me fonde nga USAID kanë krijuar dokumentin kontradiktor strategjik për Reformën në Drejtësi. Disa liderë besojnë se këto “reforma”kanë si qëllim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi drejtësinë.

Efektet destabilizuese të veprimeve të tilla në një vend anëtar të NATO-s janë të qarta, ashtu si dhe kërcënimi për përshkallëzim të mëtejshëm, teksa Shqipëria është në prag të zgjedhjeve parlamentare. Kjo është veçanërisht shqetësuese në dritën e raporteve ndërkombëtare për rritjen e korrupsionit qeveritar në Shqipëri dhe për rritjen e fuqisë së grupeve kriminalë dhe të trafikut të drogës në vend.

Me këto dhe situata të tjera në mendje, është shqetësuese që kjo sjellje është bërë dominuese në shumë nga ambasadat tona, misionet e USAID dhe diplomatike kudo në botë. Përherë e më tepër, liderë të huaj që vijnë në Washington na kanë shprehur shqetësimin se si fondet e taksave amerikane po përdoren në mënyrë joproduktive në vendet e tyre. Situata në Shqipëri e Maqedoni është shembull i qartë i kësaj, por kemi pasur shqetësime të ngjashme edhe nga vendet e Amerikës Latine dhe Afrikës.

Ju kërkojmë me respekt që të përdorni autoritetin tuaj për të investiguar të gjitha fondet për promovimin e demokracisë dhe qeverisjes dhe të rishqyrtojë programet, llogaritë dhe numrin e organizatave amerikane të përfshira në aktivitete të tilla. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment kritik, në fillimin e administratës së re, për të shqyrtuar se si përdoren paratë e taksave tona, në mënyrë që të ndalim aktivitete që nxisin trazira politike, mosrespektim të vendeve sovrane dhe shoqërisë civile dhe që minojnë përpjekjet tona për të ndërtuar marrëdhënie të vlefshme ndërkombëtare.

Presim të vazhdojmë punën me ju në të ardhmen dhe shpresojmë të nisim një marrëdhënie dëshire reciproke për përgjegjësi dhe transparencë në programet tona diplomatike dhe të ndihmave.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here