Serbët, shqiptarët dhe mallkimi i Nemanjiçëve

Në fillim të shek.XIV mbretërit serbë ishin fuqizuar jashtëzakonisht falë politikës së tyre të jashtme agresive. Kjo politikë nxitej veçanërisht nga aristokracia feudale serbe, armike e përhershme e Bizantit. Në vitet 1318-1319 ata i zgjeruan zotërimet e tyre në tokat shqiptare duke arritur deri në Shkumbin, pastaj u tërhoqën deri në lumin Ishëm. Pushtimet serbe u zgjeruan edhe në drejtim të Maqedonisë, duke u ndeshur me interesat e Bullgarisë. Mbreti serb Stefani Uroshi II (1282-1321) mori Shkupin dhe e shpalli kryeqytet. Mposhtja e bullgarëve në betejën e Velbuzhit më 1330 i hapi rrugë avancimit të sundimit serb në gadishullin e Ballkanit.

Kulmin e fuqizimit politik, ekonomik dhe ushtarak Mbretëria e Serbisë e pati gjatë sundimit të Stefan Dushanit (1331-1355).  Kariera e rrufeshme e Dushanit, krijimi i një monarkie feudale të centralizuar në personin e tij dhe shtrirja pothuajse në të gjithë Ballkanin e pushtimit dhe e pushtetit serb janë këto dimensionet kryesore të këtij udhëheqësi që la gjurmë të thella në historinë e Serbisë, por edhe në përgjithësi të Ballkanit.

Historia e ngritjes së Stefan Dushanit në majë të hierarkisë politike serbe të sjellë në memorie subjektet makabre të tragjedive të famshme të Shekspirit. Heroi i serbëve ishte qartazi në ambicien e tij një makbeth, një rikard i tretë, një klaud si te “Hamleti”, një personazh që i shtohet listës së gjatë anti-heronjve historikë. Por duket se edhe një herë historia vërteton se kush i ngjit shkallët e pushtetit duke shkelur mbi kufoma, përfundon në pellgun e gjakut që vet krijon. Në fakt e gjithë historia e dinastisë Nemanja në Serbinë Mesjetare është e mbushur me ngjarje të kësaj natyre.

Stefan Dushani lindi në vitin 1308 dhe ishte djali i Stefan Deshanskit të Serbisë dhe Teodorës së Bullgarisë. Pas verbimit dhe dëbimit të Deshanskit nga njerka e tij, Stefani i vogël jetoi në Konstandinopojë në vitet 1314-1320. Këtu mësoi greqishten dhe u lidh fortësisht me traditat kulturore dhe shtetërore të Perandorisë Bizantine. Pas kthimit nga mërgimi, i ati i tij mori fronin serb dhe u kurorëzua mbret në vitin 1322 nën emrin Stefani III Uroshi. Biri i tij, asokohe vetëm katërmbëdhjetë vjeç u kurorëzua princ i Zetës.  Qartazi si djali më i madh ai meritonte të ishte trashëgimtar i fronit mbretëror serb. Por Stefani III Uroshi kishte një mendim tjetër. I nxitur nga gruaja e tij e re Ana Paleologina, një princeshe bizantine që i fali atij një djalë të ri (Simeonin), mbreti u përpoq ta distanconte djalin e tij të madh nga ambiciet e tij të ligjshme. Kjo politikë ishte në favor të interesave të Konstandinopojës pasi synohej me këtë vënia fre e ekspasionit serb në dëm të Perandorisë Bizantine.

Aristokracia feudale serbe nuk ishte aspak dakord me këtë devijim nga planet e zgjerimit territorial drejt jugut. Fisnikët i trembeshin rritjes së influencës bizantine. Për pasojë ata mbështetën Stefan Dushanin në pretendimet e tij për fronin. Dushani nga selia e tij në Shkodër fortifikoi veten në Zetë kundër forcave mbretërore. Lufta mes atit dhe birit shpërtheu sërisht për të nxirë edhe një herë një tjetër pasazh të historisë së popullit serb. Stefani i Ri, i përkrahur edhe nga aristokracia serbe, i bëri thirrje atit të tij të dorëzohej. Shpesh herë thuhet se cari i ardhshëm i serbëve ishte gati t’ia falte jetën Stefan Plakut, por ishin pasuesit e tij që këmbëngulnin për sigurimin e fronit përmes atë-vrasjes. Por sidoqoftë mbreti gjashtëdhjetë vjeçar u kap, u burgos dhe u mbyt nga partizanët e birit të tij në vitin 1331, pesë javë pas kurorëzimit të Stefanit njëzet e dy vjeçar më 8 shtator 1331. Duke filluar prej këtij momenti cari i madh i Serbisë, Stefan Dushani  mori mbiemrin me të cilin njihet botërisht edhe sot.

Fjala “Dushan” (Душан, Dušan) rrjedh nga folja “dušiti”( Дусити) në gjuhën serbo-kroate, që në shqip do të thotë “asfiksim”. Pra mbiemri i carit të madh serb nuk është gjë tjetër veçse një përcaktim që tregon një të vërtetë të tmerrshme. Në shqip do të mund të përkthehej si Stefan Mbytësi, ose Asfiksuesi. Thuhet se në vdekje e sipër, Stefan Uroshi III e mallkoi birin e tij mizor dhe gjithë dinastinë e tij. Përpjekje të mëdha u bënë nga Stefan Dushani për të justifikuar këtë krim të madh dhe për t’ju shmangur mallkimit të babait. Kështu ai e varrosi me nder e dinjitet mbretin e vrarë dhe ndërtoi shumë objekte kulti të ritit orthodhoks. Madje kronikanët serbë i referohen Stefan Uroshit III si martir dhe shenjtor . Natyrisht mbreti plak nuk ishte më pak mizor se i biri. Kujtojmë këtu që shfronësoi babain, eliminoi gjysëm-vëllain si dhe me gjasë, po të mundte do të vriste edhe vet Dushan-Mbytësin e tij.

Menjëherë pas kurorëzimit, Stefan Dushani plotësoi dëshirat feudalëve serbë për t’u zgjeruar në Maqedoni. Gjatë kësaj kohe kufijtë e shtetit serb arritën lumin Struma dhe pushtuan qytetin Strumica. Por në vitin 1332 ekspasioni i mëtejshëm serb në dëm të Bizantit u vonua për shkak të një kryengritjeje të shqiptarëve dhe serbëve në Zetë. Fisnikët malazezë udhëhiqeshin nga Bogoje, ndërsa shqiptarët nga bujari Dhimitër Suma. Kjo kryengritje është paraqitur shpesh si një përpjekje çlirimtare nga sundimi serb dhe në fakt ka një lloj të vërtete në këtë interpretim. Por nuk duhet të harrojmë faktin se aristokracia e Zetës e mbështeti fuqimisht revoltën e Stefan Dushanit dhe luajti një rol kryesor në fitoren e tij kundër Stefan Uroshit III. Historiani amerikan John van Antwerp Fine, profesor i historisë së Ballkanit dhe Bizantit në Universitetin e Miçiganit, shkruan se fisnikëria e Zetës shpresonte në shpërblime të shumta pas kurorëzimit të Dushanit, por mesa duket ata u zhgënjyen. Kryengritja edhe pse pati një shtrirje të gjerë u shtyp me forcë nga serbët më 1332.

Sigurisht që Stefan Dushani nuk erdhi në pushtet me një plan të qartë e të detajuar për t’u bërë zot i Ballkanit. Pushtim mbas pushtimi ai konceptoi idenë e shndërimit të Konstandinopojës në kryeqytet të tij dhe të gjunjëzimit të sundimtarëve të saj të dobët. Duke parë situatën politike në rajon mund të themi se kushtet ishin perfekte për dominimin serb të gadishullit: Hungaria, ambiciet ekspasioniste të së cilës shpesh kërcënonin Serbinë, ishte zhytur në luftë me Venedikun për zotërimin e Adriatikut; Bullgaria, e reduktuar në vasale të Serbisë, ishte e pazonja të mbronte veten e jo më për të sfiduar Dushanin; ndërkohë Perandoria Bizantine, një fuqi dikur dinjitoze, ishte rrënuar nga gjithë sëmundjet e një shteti në vdekje e sipër.

Deri në vdekjen e Andronikut III (1341) duket se Stefan Dushani nuk kreu ndonjë veprim kundër Bizantit. Më 6 gusht 1334 mbreti serb bëri marrëveshje armëpushimi  me perandorin bizantin. Madje në vitin 1335 të dy këta sovranë u takuan duke kaluar shtatë ditë sëbashku. Bizantinët ishin të shqetësuar se mos serbët shkelnin traktatin e vitit 1334. Diskutimet ishin frytdhënëse dhe Stefan Dushani ra dakord që të mos ndërmerrte asnjë sulm në Maqedoni, duke i dhënë mundësi Bizantit të përdorte trupat e tij në Anatoli dhe ishujt e Egjeut.

Por kjo marrëveshje nuk e pengonte aspak mbretin serb që të zhvillonte veprime  ushtarake në territoret shqiptare. Objektivi i tij ishte areali midis Matit dhe Shkumbinit, toka kyçe për vijimin e ekspasionit serb drejt jugut dhe lindjes. Kështu duke filluar nga viti 1336 Stefan Dushani sulmoi Shqipërinë e Mesme, por pati pak sukses. Faktor përcaktues në ndaljen e ekspasionit serb ishte aristokracia arbërore e cila në këtë kohë u lidh me anzhuinët për të përballuar Stefan Dushanin. Andrea II Muzaka në emër të fisnikëve shqiptarë nënshkroi aleancë mbretin Robert në vitin 1336 dhe u bë vasal i mbretit anzhuin. Dy vjet më vonë (1338) edhe konti Tanush Topia nënshkroi një aleancë të ngjashme me Napolin. Meqë forca nuk dha rezultat, atëhere mbreti serb përdori edhe diplomacinë me fisnikët shqiptarë duke bindur një pjesë prej tyre të njihnin formalisht epërsinë e tij.

Për shkak të kësaj situate të komplikuar dhe të paqëndrueshme të sundimit serb në Arbanon, depërtimi i trupave serbe për të pushtuar territore në jug të Shkumbinit u bë nga lindja. Nga Ohri (1339) u nisën trupat serbe të cilat pushtuan zonën e Elbasanit dhe që u përpoqën të shtriheshin edhe më në jug duke kërcënuar hapur territoret shqiptaro-bizantine. Në këtë kontekst bizantinët u gjendën siç thotë dhe historiani Pëllumb Xhufi në një aleancë të panatyrshme me anzhuinët. Aq të gjalla ishin mëritë e vjetra mes Napolit dhe Konstandinopojës saqë asnjë lëvizje nuk u bë për të mbrojtur Shqipërinë Jugore: anzhuinët sepse mesa duket nuk donin të luftonin për toka që gjendeshin nën sundimin bizantin, ndërkohë që paleologët sepse s’mund të mbronin territore ku princat e tyre kishin nënshkruar traktate vasaliteti me Napolin. Këtë e tregon edhe bizantintologia Angjeliki Laiou, e cila pohon se i vetmi afrim me perëndimin i Andronikut III ishte martesa e tij me Anën e Savojës dhe asgjë më tepër. Kështu shqiptarët u përballën të vetëm me invazionin serb pa ndonjë ndihmë të rëndësishme nga jashtë .

Vetëm sëmundja e Stefan Dushanit në vitin 1340 e vonoi për njëfarë kohe nënshtrimin e këtyre territoreve. Por mbas vdekjes së Andronikut III (1341) dhe luftës civile që shpërtheu në Bizant, Dushani i cili gëzonte tashmë shëndet të plotë, gjeti rastin ideal për të kënaqur orekset e tij pushtuese. Territoret e provincave të Beratit e të Epirit ishin tani nën darën e presionit serb.

Në vitin 1343 frocat ushtarake serbe nënshtruan tokat e Arbërisë dhe kështjellën e Krujës. Në vazhdim, në vitet 1343-1348 mbreti i Serbisë pushtoi me rradhë Kosturin, Beratin, Kaninën, Vlorën, si dhe gjithë krahinat e Epirit, Thesalisë dhe Maqedonisë, përveç Selanikut. Pushtimi i Arbërisë dhe Epirit u përshpejtua edhe nga“Vdekja e Zezë”, një sëmundje e tmerrshme që u përhap në këto territore në vitet 1347-48 dhe që bëri që jo pak feudalë shqiptarë të bashkoheshin me serbët.

Pasi fitoi besnikërinë e tyre i la të qeverisnin pronat e tyre sipas zakoneve vendase dhe shumë prej tyre shërbyen në ushtritë serbe. Kështu, Balsha Plaku ishte zhupan në ushtrinë serbe të Stefan Dushanit, ndërsa Andrea Topia, zot i tokave mes lumenjve Mat dhe Shkumbin, duhet të ketë bërë betimin e vasalitetit ndaj Dushanit në kundërshtim me angazhimet e tij të mëparshme ndaj anzhuinëve. Kjo duhet të jetë në fakt dhe arsyeja e vrasjes së Andrea Topisë me porosi të mbretit Robert I Anzhu. Kufijtë e shteti serb në të cilin sundonte tashmë Stefan Dushani shtriheshin nga Danubi në Egje (shih hartën më lart). Pas gjithë këtyre sukseseve  ai e kishte dyfishuar sipërfaqen e drejtuar prej tij.

Për pasojë Stefan IV braktisi titullin e “Krajlit të Serbisë” për atë të “Carit”. Në një ceremoni solemne të organizuar në Shkup nën prezencën e klerikëve serbë e bullgarë dhe të fisnikëve serbë, grekë e shqiptarë, të dielën e pashkëve të 16 Prillit 1346, Stefan Dushani u kurorëzua “Mbret besnik i Krishtit të Perëndisë dhe perandor i Serbisë dhe Romanisë” nga patriarku i ri i Serbisë, i ngritur në këtë detyrë nga vet ai përmes një sinodi lokal. Ky moment me të drejtë konsiderohet nga serbët si më krenari në historinë e tyre.

Por stolitë e xhevahiret e përdorura, si dhe popmoziteti i ceremonialit të kurorëzimit , një imitim i ritualit të vjetër perandorak bizantin, nuk mjaftonin për të realizuar një shtet të konsoliduar. Perandoria e Stefan Dushanit ishte një shtet heterogjen që përbëhej nga popuj të ndryshëm, ku proceset e feudalizimit kishin arritur kulmin e tyre në shek.XIV. Kur flasim për feudalizëm nënkuptojmë përqëndrimin e pushtetit në duart e lordëve të fuqishëm, ku në majë të hierakisë politike qëndronte perandori. Falë fitoreve ushtarake, Stefan Dushani i dha prestigj të madh titullit të lartë që zotëronte. Megjithatë asgjë nuk e garantonte se pas vdekjes së tij kohezioni i perandorisë që vet krijoi do të ruhej. Koha vërtetoi të kundërtën.

Pushtimi serb nuk solli ndonjë ndryshim të madh. I vetmi ndryshim ishte shtrirja e pushtetit provincial në plan familjar. Kështu djali i tij, Stefan Uroshi, mori titullin e krajlit të Serbisë; Simeon Uroshi, gjësëmvëllai i tij, u bë despot i Epirit; në Thesali u vendos çezar Prjelubi, ndërsa në Berat despot Ivan Komnen Aseni. Ky i fundit ishte kunat i Stefan Dushanit, dhe njëherazi pinjoll i dinastisë Asenide të Bullgarisë, nga e cila ishte dhe gruaja e carit serb, Helena.

Përgjithësisht në territoret bizantine të Stefan Dushanit u ruajt rendi ligjor dhe administrativ paraekzistues. Me të drejtë edhe Pëllumb Xhufi shkruan: “Pëtej dallimeve etnike, sundimi i gjatë bizantin kishte gatuar këtu një sërë modelesh të përbashkët ekonomikë, socialë, juridikë, politikë e kulturorë, të cilët pushtuesit e rinj nuk mund t’i zhduknin e t’i zëvendësonin me të tjerë. Përkundrazi, ata përfunduan t’i përshtateshin ata vetë modeleve të tilla”. Dhe ç’është e vërteta, sa më shumë Stefan Dushani zgjerohej në kuriz të Bizantit, aq më shumë shteti i tij bizantinizohej. Provë për këtë është edhe “Zakonik-u” (në serbisht: “Законик”), kodi juridik i Stefan Dushanit,  ku përmblidhej e drejta zakonore serbe bashkë me një sërë huazimesh nga e drejta bizantine të përshtatura në kushtet e Serbisë.

Synimi kryesor i Stefan Dushanit ishte pushtimi i Konstandinopojës. Për këtë u përpoq të siguronte edhe përkrahjen e Venedikut për realizimin e  qëllimit të tij, por këto përpjekje nuk dhanë asnjë rezultat. Republika e Shën Markut as që kishte ndër mend të prishte traktatin e rinovuar me Bizantin në vitin 1349 dhe për më tepër nuk preferonte të shembte një shtet të dobët për të krijuar një më të fortë në duart e Stefan Dushanit. Cari serb bëri edhe disa orvartje për t’u afruar me papën në vitin 1354, duke premtuar madje edhe konvertimin, por pas tejkalimit të rrezikut hungarez, dëshira false për kalimin në katolicizëm u harrua.

I zhytur siç ishte në planet për pushtimin e Konstandinopojës, krejt papritur Stefan Dushani vdiq më 18 dhjetor 1355 në moshën dyzetë e shtatë vjeçare. Në dukje ai vdiq nga një sëmundje. Nuk është e pamundur që ai të ishte duke mbledhur një ushtri në atë kohë për të shkatëruar Perandorinë Bizantine, por nuk ka dokumenta që të faktojnë vërtetësinë e këtyre veprimeve, apo mënyrën e vdekjes së tij. Legjenda që u ngrit mbi figurën e carit serb tregon se ai u helmua nga grekët në kohën kur ishte duke marrshuar drejt qytetit perandorak me një ushtri prej 80.000 vetësh. Por nëse një ushtri e këtyre përmasave do të kishte qenë jashtë mureve të Bizantit, vallë nuk do ta përmendnin kronistët bizatinë? Përtej këtyre hipotezave vepra e carit serb nuk pati jetë të gjatë. Koha vërtetoi mallkimin e të atit të tij: Perandoria e Stefan Dushanit u shpërbë dhe biri i tij, Stefan Uroshi V ishte sundimtari i fundit i dinastisë Nemanja në Serbi.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment