Shansi i fundit që dogji Edi Rama, pas vrasjes së Klodian Rashës

0
135

Vrasja e një qytetari pa asnjë shkak, të pa armatosur dhe në prag të derës së shtëpisë së tij nga policia, është padyshim vija e kuqe që ndan shtetin ligjor demokratik nga një Juntë.

Ky ishte rasti i të riut, Klodian Rasha, që nga shumëkush u quajt si një vrasje e paralajmëruar pasi veprimet dhe fryma e kryeministrit do të çonte me se s`bën në këtë ditë.

Pas këtij akti kriminal i cili nuk u krye thjesht nga arma e shtetit siç thotë kryeministri, por nga punonjësi i shtetit që ka ngritur ai, Edi Rama, kishte një shans të madh për ti treguar kujtdo se nuk është ai që është vizatuar nga kritikët brenda dhe jashtë vendit.

Kishte të gjitha mundësitë, që të mbante dhe shpërndante përgjegjësi në gjithë hierarkinë e policisë dhe të ministrisë së Brendshme.

Që të urdhëronte një analizë dhe reflektim për mënyrën se si funksionon policia shqiptare, e cila tashmë është kthyer në një trup parapolitike dhunuese me gaz e shkopinj gome kundër çdo proteste, duke harruar detyrën e saj themelore, parandalimin dhe shpënien para drejtësisë të krimit.

Nuk bëri asgjë nga këto, sepse duket qartë se ai njeh vetëm Kodin e Mafies: Dhunë ose pazar e blerje.

Ndaj 3 ditë rresht pas vrasjes së Klodianit nuk foli as një fjalë. Ndërkohë policia e Veliut kishte bërë të sajën për të nxjerrë viktimën e vetë fajtore, duke shpërndarë disa komunikata kontradiktore e të turpshme, të cilat duhet të hetohen si përpjekje e organizuar për fshehjen e një krimi.

Vetëm kur pa pemën e tij të dashur të Vitit të Ri poshtë zyrës që u zhduk në flakë, kur lexoi mllefin dhe revoltën e akumuluar te mijëra të rinj që pushtuan Tiranën, nisi të marrë masat.

Jo si një kryeshtetar, por si një krye-mafioz që ka qeveri.

Detyroi ministrin Sandër Lleshaj që të dorë-hiqet, por duke e shpallur burrë të mirë dhe zyrtar të suksesshëm. Njësoj siç bëri edhe me Saimir Tahirin.

Kur kuptoi se kjo nuk mjaftonte, u detyrua që të shkonte në shtëpinë e viktimës së shtetit të tij.

Pastaj i shkoi edhe për herë të dytë fshehurazi. Nxori një VKM-lëmoshë duke tentuar që të blejë heshtjen e familjes.

Edhe në këtë akt, u tregua i lig dhe mafioz. Me vetëm një togfjalësh të futur në tekstin e vendimit për pension, tentoi që ta zhbëjë krimin e shtetit të tij, duke e cilësuar ‘aksident’.

Kur pa reagimin e babait të Klodianit që e quajti këtë tentativë për të ndikuar drejtësinë një, ‘Vrasje të dytë të djalit’, atëherë shkoi për herë të tretë në familjen e tij.

E padëgjuar kjo që bën një kryeministër si Edi Rama.

Shumëkush mendon se po përpiqet që të mbrojë e shpëtojë demaskimin e policisë që ka ndërtuar, sipas fytyrës dhe modelit të tij qeverisës.

Por nuk është kaq e thjeshtë. Ai po funksionon njësoj si një krye-mafioz që në ditë të vështira del në ballë të organizatës dhe merr përsipër çdo gjë.

Me të vetmin qëllim; tu tregojë ushtarëve se fati i tyre dhe i tij janë një. Se siç lufton ai personalisht shefi i madh për ata, njësoj dhe ca më shumë duhet të luftojnë edhe ata për atë.

Sidomos në betejën e fundit dhe vendimtare, të 25 Prillit 2021!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here