Shkëlqimi dhe rënia e Principatës Zenebishe të Gjirokastrës

0
505

Nga Panajot Çakalli

1. ORIGJINA E ZENEBISHËVE

             Zenebishët, sikundër edhe Shpatajt, si fis përmenden për të parën herë në dokumentet anzhuine të vitit 1304. Qartazi ata duhet të ishin një familje e rëndësishme të paktën që nga gjysma e dytë e shek.XIII. Por dokumentacioni që disponojmë nuk na tregon specifikisht se ku shtriheshin zotërimet e tyre në fillim të shek.XIV. Në këtë kontekst, duke u nisur marrëveshja e 1304-ës si dhe nga antroponimia e tij, (emrat Gjin apo Gjon nuk janë në traditën toske), logjika na shtyn të mendojmë se zotërimet e hershme feudale të Zenebishëve kanë qenë në kuadër të territoreve, ku shtrihej “Mbretëria e Arbërit”, përkatësisht në tokat mes Lezhës dhe Vlorës, ose me përafërsi mes Matit dhe Vjosës.

             Duke iu referuar ndarjes jo të rastësishme të familjeve që iu njiheshin privilegjet në diplomat e 5-6 shtatorit 1304: nga njëra anë Matrëngat (Materango), Blinishtët (Blenisci) e Balshajt (Blasio) me dokumente të veçanta, dhe nga ana tjetër të Albëve (Albos), Shpatëve (Spatos), Katrukëve (Catarucos), Biskesinëve (Bischesini), Arianitëve (Aranitos), Lecenëve (Lecenis), Tubacejve (Turbaceos), Markazejve (Marchaseos), Skurajve (Scuras), Zenebishëve (Zeneuias), Logoreskëve (Logorescos) dhe Matesejve (Mateseos) në një kategori, historiografia shqiptare ka shprehur mendimin se Zenebishët, sikundër edhe Shpatajt, meqë bënin pjesë në këtë grup kishin zotërime në Shqipërinë e Poshtme.

             Gjasat janë që zotërimet feudale të Zenebishëve të shtriheshin në arealin mes Shkumbinit dhe Vjosës, paralelisht me feudalë të tjerë të njohur të asaj kohe si: Muzakajt, Arianitët, etj. Nuk duhet të harrojmë se tokat e “Mbretërisë së Arbërit”, ose të Shqipërisë së Mesme të sotme ishin në këtë kohë edhe një zonë e ndërmjetme në pikëpamjen kishtare, ku përziheshin orthodhoksët me katolikët. Zenebishët duhet të ishin katolik, qoftë për shkak të origjinës gege, qoftë edhe për marrëdhëniet me kryezotin e tyre, mbretin anzhuin, të paktën në këtë kohë.

2. ZENEBISHËT MARRIN PUSHTETIN NË GJIROKASTËR

             Mospërmendja e Zenebishëve në marrëveshjen e vitit 1336 që Andrea Muzaka bëri me anzhuinët në emër të aristokracisë shqiptare tregon se vërtet fuqia e tyre në këtë kohë nuk krahasohej me kryenegociatorin, por njëkohësisht kjo nuk duhet të nënkuptojë se ata nuk ishin pjesë e marrëveshjes. Koha tregoi se territoret arbërore ishin mjaft të ekspozuara ndaj invadorëve serbë në vitet ’40 të shek.XIV. Sulmet e vazhdueshme të Stefan Dushanit, urrejtja dhe persekucioni i tij ndaj katolikëve, si dhe “Vdekja e Zezë” e viteve 1347-48, përshpejtuan jo thjesht nënshtrimin e Shqipërisë nga Serbia, por edhe zhvendosjen masive të një pjese të shqiptarëve drejt jugut, deri dhe nw Greqinw e sotme.

             Kjo zhvendosje përveçëse forcoi prezencën numerike të popullsisë shqiptare, i krijoi mundësinë Zenebishëve të fuqizonin pozitat e tyre në këtë provincë. Sigurisht ndoshta ky fis shqiptar duke parë triumfin serb në veri, menduan se do të ishte e pavend vijimi i rezistencës kundër Stefan Dushanit. Ata qëndruan në pritmëri duke fuqizuar vetveten dhe me gjasë në gjysmën e dytë të shek.XIV arritën të dominonin Gjirokastrën dhe trevën  rreth saj, pas vdekjes së Stefan Dushanit (1355). Në vitet 70 të shek.XIV zotërimet e Zenebishëve përfshinin, veç Gjirokastrës dhe luginës së Drinos, edhe Delvinën si dhe Vagenetinë (Çamërinë e Sipërme) deri në rrjedhën e poshtme të lumit Gliki.

             Shkëlqimin më të madh kjo principatë e pati gjatë sundimit të Gjon Zenebishit (1370-1418), i cili ishte dhëndër dhe aleat i despotit të Artës, Gjin Bua Shpatës. Së bashku me këtë të fundit, Gjon Zenebishi ndërmori inkursione të vazhdueshme kundër kështjellës së Janinës, ku sundonte despoti serb Thoma Preljuboviçi, armiku i betuar i shqiptarëve. Por edhe me pasuesin e tij, Izau Buondelmondin, marrëdhëniet Gjirokastër-Janinë vazhdonin të ishin të acaruara.

3. PËRPLASJA E PARË GJIROKASTËR-JANINË

             Me ndihmën e forcave osmane despoti i Janinës arriti dhe i shkëputi Zenebishëve portet dhe tregjet e rëndësishme të Sajadhës dhe Kastrovilës (Çamëri). Por princi i Gjirokastrës as që kishte ndër mend të hiqte dorë nga zotërimet e vetme që i siguronin daljen në det të principatës së tij.

             Pas mobilizimit të dyja ushtritë u nisën kundrejt njëra-tjetrës për një përballje që do të zgjidhte përfundimisht çështjen e të drejtës së zotërimit të këtyre territoreve. Kjo betejë u krye pranë fshatit Dhivër (Mesopotam), më 9 prill 1399. “Kronika e Janinës” në fakt nuk na tregon në fakt se sa ushtarë kishin të dyja palët, por na lë të kuptojmë se despoti Izau kishte epërsi numerike. Por princi i Gjirokastrës e shpartalloi despotin e Janinës, madje arriti ta zinte rob bashkë me një pjesë të mirë të arkondëve të tij. Pas robërimit Buondelmondi u burgos në kështjellën e Gjirokastrës. Duket se robëria pas beteje ishte një episod që u përsërit për të dytën herë në jetën e despotit Izau dhe në të dyja rastet përgjegjës ishin princër shqiptarë.

             Sidoqoftë, përtej kësaj ironie të fatit, burgosja e despotit Izau të Janinës në kalanë e Gjirokastrës pas humbjes turpëruese në betejën e Mesopotamit ishte një ngjarje që pati një jehonë të gjerë ndërkombëtare. Familjarët fiorentinë të Buondelmondit u interesuan pranë komunitetit të Venedikut dhe mbasi pyetën për despotin shkuan te bajli i Korfuzit. Të gjithë aleatët e Izaut: Mbretëria e Napolit, Venediku, e deri dhe komandanti osman i Thesalisë i kërkuan Gjonit lirimin e tij. Të njëjtën gjë i kërkoi edhe despoti i Artës, Gjin Bua Shpata. Kështu princi Gjon Zenebishi pranoi përfundimisht të lejonte despotin Izau të kthehej në Janinë kundrejt një shpërblimi të majmë, prej 10.000 florinjsh.

             Pas kthimit në Janinë , Izau Buondelmondi vendosi marrëdhënie paqësore me shqiptarët. Madje edhe pas vdekjes së Gjin Bua Shpatës (1399), despoti i Janinës, pasi u divorcua nga vajza e Shpatës-Irena, u martua përsëri me një shqiptare, Eudoksinë, vajzën e Konstandin Balshës. Martesa me Eudoksinë prodhoi një djalë, por me vdekjen e Izaut në vitin 1411, kjo foshnjë nuk e arriti kurrë fronin e despotit. Gjon Zenebishi, princi i Gjirokastrës ishte në kulmin e fuqisë së tij. Por lufta për pushtet nuk merr fund me mposhtjen e një kundërshtari.

4. ZENEBISHËT NË KULMIN E FUQISË

             Pas vdekjes së despotit fiorentin të Janinës, Izau Buondelmontit, të gjitha palët që synonin dominimin bënë çdo përpjekje për të marrë zotërimet e tij. Këtu nënkuptohet në rradhë të parë princi Gjon Zenebishi i Gjirokastrës, despoti Muriq Shpata i Artës, si dhe Karlo Toko.

             Që prej fitores në betejën e Mesopotamit (1399) dhe robërimit të despotit Izau, Gjon Zenebishi ishte në kulmin e pushtetit të tij. Duke përfituar edhe nga vdekja e vjehrrit të tij, despotit Gjin Bua Shpatës dhe përshtjellimeve që u krijuan te pasardhësit e tij, princi i Gjirokastrës kishte pa dyshim në plan marrjen e kontrollit mbi Janinën dhe pse jo edhe të vet Epirit. Por propaganda e emisarëve të Tokosë në Janinë bindi popullsinë greke të këtij qyteti për t’u hedhur në krahët e kontit. Vejusha Eudoksia, që ishte shqiptare, dhe djali i saj u dëbuan nga Janina dhe u strehuan në Gjirokastër. Pas këtyre ngjarjeve Karlo Toko hyri triumfues si despot i ri i Janinës.

             Por këto zhvillime nuk shuan ambicien e Gjonit. Përkundrazi, ai grumbulloi forca të shumta të cilat i përdori për nënshtrimin e Tokosë. Në aleancë me princin e Gjirokastrës u bashkua edhe Muriq Shpata, sikundër u kërkua edhe ndihma e Muzakajve. Në betejën e zhvilluar mes dy ushtrive në Krane (afër Mesopotamit) në vitin 1412, Zenebishi triumfoi, ndërkohë që despoti i ri i Janinës u kthye kokëulur në qytetin e tij në krye të një ushtrie të shpartalluar. Në këtë betejë shqiptarët kishin jo vetëm një epërsi të madhe numerike, por edhe në armatim. Kësisoj, një pjesë e madhe e arkondëve dhe gjeneralëve të Tokosë përfunduan burgjeve të kështjellës së Gjirokastrës për dy vite rresht, dhe kësaj rradhe s’kishte aq flori sa për t’i liruar nga qelitë si në rastin e Buondelmontit. Por sidoqoftë shqiptarët nuk arritën ta merrnin Janinën.

             Karlo Toko ishte në kulmin e zemërimit. Për t’u hakmarrë ndaj fitores në Krane të aleancës shqiptare nën udhëheqjen e Gjon Zenebishit, despoti italian i dha për grua Musa Beut, pretendentit për fronin sulltanor, vajzën e tij për ta tërhequr kundër shqiptarëve. Ndërkohë pas këtyre akteve, aleanca Zenebish-Shpata u prish. Karlo Toko kaloi nga urrejtja, në miqësi me Gjon Zenebishin, të paktën përkohësisht. Por dukej se kjo atmosferë nuk kishte për të zgjatur shumë.

4. PUSHTIMI OSMAN I GJIROKASTRËS (1418)

             Presioni osman, i cili ishte veçanërisht i fortë në zotërimet e Zenebishëve dhe të Shpatajve të Artës, e shtyu Gjon Zenebishin të kërkonte aleancë me Republikën e Venedikut. Në korrik të vitit 1414 ai i kërkoi kësaj të fundit t’i vinte në dispozicion 30 balestrierë, me të cilët shpresonte të mbronte kështjellat e tij dhe të ndalte përparimin osman drejt brigjeve të Jonit. Në të njëjtën kohë, princi i Gjirokastrës kërkonte nga Venediku që të lejohej të blinte disa prona në Korfuz, ku të mund të strehohej në rast se do të detyrohej të largohej nga vendi i tij.

             Në verën e vitit 1418 një ushtri osmane prej 30.000 vetësh e thirrur nga Karlo Tokoja hyri në zotërimet e Zenebishit. Pasi pushtoi mjaft vise e kështjella, Hamza Beu, dhëndër i Tokosë, rrethoi Gjirokastrën. Sundimtari plak i Gjirokastrës mundi t’i bënte ballë sulmit të parë mbi kryeqendrën e tij. Por kur turqit u kthyen përsëri në vjeshtë të të njëjtit vit me një forcë goditëse më të madhe, Gjon Zenebishi kishte vdekur tashmë dhe trashëgimtarët e tij nuk arritën dot t’i rezistonin atyre. Në pamundësi për të mbrojtur tokat e të atit ata u strehuan në Korfuz.

             Për pushtimin e Gjirokastrës dhe për barbaritë osmane në të, “Kronika e Tokosë“ jep këtë përshkrim: “Kështjellat dhe fshatrat e tyre i lanë dhe ikën nga luginat, nga greminat , në malet dhe në hendeqet, asgjëkundi nuk shpëtonin që të mos ziheshin. Ushtri kishte të tepërt dhe e mbushi vendin dhe aspak nuk i lehtësonte ndonjë që t’i shpëtonte. Një çfarosje e madhe po bëhej tek shqiptarët. Atëherë u çrrënjos raca e Albanit, çdo njeri të mirë që e zinin i prisnin kokën.”

             Qartazi, Gjirokastra qe viktima e parë e dallgës osmane në trevat shqiptare. Kështu pra perëndoi Principata e Zenebishëve. Sundimtarët e saj të ligjshëm nuk u kthyen më kurrë në të si të tillë dhe Shqipëria e Jugur iu nënshtrua sundimit të gjatë osman deri në Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, dhe më 4 Dhjetor 1912 me ngritjen e flamurit kombëtar në Gjirokastër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here