Shoqata e Gazetareve Profesioniste, denoncon ndaj mbylljes se emisionit investigativ nga pushteti

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë për mbylljen e emisionit investigativ “Publicus” në Vizion plus. Kolegët e këtij emisioni raportojnë se episodi I tretë I emisionit “Publicus”, i titulluar “Kodrinat e Vdekjes”, (një investigim mbi vdekjen tragjike të 17 vjecarit Ardit Gjoklaj, që humbi jetën teksa punonte në kushte pasigurie në Landfillin e Sharrës, pronë e Bashkisë së Tiranës e që e bashkëadministronte me një kompani private riciklimi) I programuar për transmetim të dielën e 10 Tetorit 2016 ora 20:10 është anulluar. Kolegët bëjnë të ditur se emisionit I është hequr mbështetja financiare për vazhdimin e tij, për shkak të këtij investigimi.
Kjo është një ngjarje e rëndë në detyrën që ka media për të raportuar e investiguar mbi punën e institucioneve publike, transparencën e mënyrën se si përdoren paratë e taksapaguesve.
Kjo është një goditje e përsëritur ndaj medias që investigon punën e Bashkisë së Tiranës. Në muajin Gusht të këtij viti, drejtorja e informacionit të A1Neës u pushua nga puna, pikërisht pas transmetimitk të një kronike investigative në landfillin e Sharrës, ku humbi jetën Ardit Gjoklaj, në të cilën përcilleshin dëshmi të punonjësve të pasiguruar dhe minorenë në atë landfill.
Një investigim I ngjashëm I BIRN Albania në landfillin e Sharrës, “Vdekja e Ardit Gjoklajt zbulon kantierin cnjerëzor në landfillin e Sharrës” (23 Gusht 2016), nuk u botua në asnjë nga gazetat e mëdha kombëtare, sic ndodh zakonisht me raportimet e rrjetit të gazetarëve investigativë të Ballkanit. E njëjta situatë edhe me investigimin më të fundit të Birn Albania, I datës 8 Tetor 2016, “Biznesi i pisët i tenderëve për pastrimin e Tiranës”, që ka në qendër Bashkinë e Tiranës, u shmang nga botimi në gazetat kombëtare.
Këto raste janë dëshmi konkrete të censurës në media, pas publikimeve të rasteve flagrante të abuzimit me detyrën të shtetarëve publikë, deri edhe në largimin e tyre nga puna, si mënyrë për t’u mbyllur gojën.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë u bën thirrje ambasadës së SHBA në Tiranë, delegacionit të BE, OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Shqipëri, që po investojnë fonde për gazetarinë investigative në vendin tonë, të reagojnë ndaj këtyre akteve kaq flagrante të cënimit të medias.
U bëjmë thirrje kolegëve gazetarë e shoqatave të medias të reagojnë, duke mos pranuar këtë realitet që po përpiqet të instalohet në mënyrë graduale në Shqipëri. Të gjitha këto shembuj nuk janë më rastësi, por një taktikë e pastër censure që funksionon, nëse të gjithë bashkë nuk reagojmë në mbrojtje të punës tonë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment