Show i radhës i Policisë me një mitdhënës

Show i radhës i Policisë në denoncimin e rasteve të rryshfetit ndaj punonjësve të saj. Një 40 vjecar nga Lushnja, ka qenë “gjahu” i sotëm nga ana e policëve rrugorë, të cilët e kanë denoncuar rastin në fjalë, si “trofeun” e ri të ndëshkimit të rryshfetit. Sipas njoftimit të Policisë së Gjirokastrës, kanë qenë specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë, ata që prangosën në flagrancë Aurel Balin nga Lushnja. Ky i fundit u arrestua pasi ka dashur të korruptojë me 500 lekë, punonjësit e Policisë Rrugore teksa e kishin ndaluar për të ushtruar kontroll dokumentacioni të mjetit të tij. Ngjarja ka ndodhur në aksin nacional Gjirokastër-Kakavije në afërsi të fshatit Dervician ku patrulla e Policisë Rrugore ka ushtruar kontroll. Në këtë moment Bali, i ka  ofruar 500 lekë punonjësit të policisë rrugore për të mos vazhduar proçedurat administrative ndaj tij në kushtet kur ai nuk dispononte liçencë për TAXI. Por polici rrugor, nuk ka pranuar të korruptohet për 500 lekë duke i treguar prangat. Në momentin e ndalimit, mjeti i drejtuar nga Bali drejt Kakavijes, kishte në bord 4 pasagjerë. Ndaj tij, rëndon vepra penale e korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Ky është rasti i pestë këtë vit që drejtues mjetesh pa licensë taksie, arrestohen nga autoritetet policore, për mitdhënie.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment