Shqipëria me satelitë në hapësirë, a po imiton Rama projektin e Erdogan

Kryeministri Edi Rama shtangu të gjithë kur foli në seancën e shkuar në parlament për ngritjen e dy satelitëve shqiptarë në hapësirë.

Deklarata surprizuese shkaktoi jo pak habi, por edhe një lumë reagimesh ironizuese në rrjetet sociale.

Pavarësisht se salla shpërtheu në të qeshra, Rama insistoi se me satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” do të bëhet e mundur përmirësimi i luftës kundër krimit.

Sot, po ashtu, Rama publikoi në Facebook një video me ngritje satelitësh si dhe bisedën me një ekspert të “Space X”.

Sipas videos sateliti Albania 1 do të lëshohet në orbitë në muajin mars, ndërsa thekson se sateliti Albania 2 do të lëshohet në hapësirë në qershor.  

Por, si erdhi ideja e Ramës?

Kryeministri shqiptar nuk e ka fshehur asnjëherë marrëdhënien e ngushtë me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Mazhoranca socialiste prej 8 vitesh ka ‘përfituar’ shumë nga bashkëpunimi dhe marrëdhenia shumë e ngushtë e Ramës me Erdoganin edhe për projekte të tjera në këtë drejtim si ai me ‘Air Albania’.  

Prestigjiozja “The Guardian” shkruan për një plan hapësinor 10-vjeçar të presidentit Erdogan, ambicia e të cilit përfshin prekjen e Hënës, si dhe lëshimin e satelitëve inteligjentë.

“Në janar Erdogan zhvilloi një telefonatë me Elon Musk, drejtorin e SpaceX, kompanisë private amerikane për eksplorimin e hapësirës, për të folur mbi bashkëpunimin me kompanitë turke. Në bashkëpunim me SpaceX, Ankaraja prezantoi gjeneratën ere të satelitit të komunikimit Turksat 5A, i cili do të përdoret si për qëllime civile ashtu dhe ushtarake”, shkruan The Guardian.

Operatori satelitor shtetëror i Turqisë, Turksat, nënshkroi një kontratë në fund të vitit të kaluar me me Airbus Defense and Space për dy satelitë komunikimi të gjeneratës së re, Turksat 5A dhe Turksat 5B.

Mbetet për t’u parë si do të zhvillohet ky projekt madhor dhe ku do t’i gjejë Rama të ardhurat financiare për zbatimin e tij, që kapin pa frikë shifra të majme, krahasuar me standardet e një vendi si Shqipëria.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment