Shqipëria, ndër vendet me numrin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet rrugore

Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet në rrugë në raport me popullsinë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT dhe përllogaritjet e Monitor, në vitin 2017 kishte 78 vdekje për 1 milion banorë, nga 50 që është mesatarja e Bashkimit Europian, sipas Eurostat.

Kjo është një ndër shifrat më të larta të regjistruara në Europë. Në vlerë absolute, numri i vdekjeve nga aksidentet gjatë 2017-s në Shqipëri ishte 222. Prej këtyre, 173 vdekje janë shkaktuar nga sjellja e drejtuesit të mjetit.

Në fakt, vendet e rajonit kryesojnë renditjen për numrin më të lartë të vdekjeve të shkaktuara nga aksidentet në rrugë. Në vend të parë renditet Bosnjë dhe Hercegovina, ku sipas të dhënave statistikore në 2017-n kishte 157 vdekje për çdo 1 milion banorë. Ndjekur nga Mali i Zi, në vendin e dytë me 107.

Ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian, rekordin për numrin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet rrugore, e ka shënuar Rumania dhe Bullgaria me përkatësisht 99.3 dhe 99 vdekje për 1 milion banorë atje, sipas Eurostat.

Shifra të larta janë regjistruar edhe në Lituani me një normë prej 82.8 dhe në Kroaci me 79.7.

Vendet e tjera të rajonit, si Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë regjistruar një normë më të ulët aksidentesh në raport me popullsinë e tyre. Në Serbi, numri i të vdekurve nga aksidentet për 1 milion banorë ishte 74, ndërsa në Maqedoninë e Veriut përllogaritet rreth 10 më pak.

Në të gjithë Bashkimin Europian, gjatë vitit 2017 u regjistruan rreth 25 mijë aksidente, mesatarisht 50 aksidente me pasojë vdekjen për 1 milion banorë.

Norma më e ulët e vdekjeve të shkaktuara nga aksidentet është shënuar në Norvegji, ku sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat kishte rreth 20.2 të tilla për 1 milion banorë. Po ashtu edhe vende si Suedia (me 25.3), Zvicra (me 27.3), Anglia (me 28.2), apo dhe Danimarka (me 30.4), janë ndër vendet me normën më të ulët të aksidenteve.

Në vendet fqinje si Italia dhe Greqia, norma e vdekjeve nga aksidentet gjatë 2017-s përllogaritet të jetë përkatësisht 55.8 dhe 67.9, sipas Eurostat.

Burimi: Monitor.al

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment