Shqiperia ne BE?

Nga Afrim Krasniqi                                                                                             Shqipëria në BE? E kanë fajin gjeopolitika dhe paragjykimet e Berlinit, Parisit, Amsterdamit? Jo dhe jo. Faji ndodhet në Tiranë, madje në një rreth prej 120 metra katrorë, në “Tempullin e Demokracisë”. Aty ku duhej të kishte politikë dhe përfaqësim, vizion dhe profesionalizëm, burrështetas dhe lidership, sens mase dhe përgjegjësie, – pikërisht aty gjenden gjithçka na pengon, – një elitë e korruptuar, arrogante dhe e paaftë politike. Ka dhjetëra shembuj e fakte. Ja një prej tyre: në 7 muajt e legjislaturë së re dy deputetë humbën mandatin nga dekriminalizimi, një deputet dha dorëheqje për shkak të akuzave të rënda të lidhjeve me krimin, dy të tjerë dhanë dorëheqje pa zhurmë (njëri për shkak të dekriminalizimit), tre deputetë aktual janë në hetim nga Prokuroria, 12 deputetë janë penalizuar për shkelje të rënda të etikës dhe rregullave në Kuvend dhe monitorimi tregon psh, se një numër i madh i deputetëve, sidomos drejtuesit kryesorë politikë të palëve në parlament, – kanë ligjërim politik e publik konfliktual, denigrues, fyes dhe jashtë çdo standardi etik.

Kodi i Sjelljes thotë midis të tjerash se deputetët duhet të shmangin konfliktin e interesit me detyrën, dhe në fundin e listimit të rolit të tyre të arrijnë qëllimin moral “të jetë model për zgjedhësit dhe të sillet në mënyrë që të nxisë zbatimin e standardeve më të larta të sjelljes edhe për të rinjtë që përfshihen në politikë”. Ata model? Për zgjedhësit? Ata inspirim për standarde të larta për të rinjtë që duan të përfshihen në politikë? Ka disa emra që përbëjnë model, disa që zakonisht flasin pak, qëndrojnë larg rrëmujave, i shikon me ndonjë lider në dorë dhe nuk kanë problem të ecin në këmbë rrugëve të qytetit. Por shumica e atyre që kanë vendimet në dorë, që janë protagonistë, janë pikërisht vizioni i kundërt me atë që duam, që na nevojitet dhe që mund të kishim.

Kjo shumicë produkt i karrierave të emëruara dhe të marra peng, s’ka dilemë se janë modeli që nuk duhet ndjekur, janë modeli që nuk frymëzon, por janë modeli që ka larguar në aventurën e emigrimit gati 10% të popullsisë gjatë viteve të fundit, janë modeli që inspiron (sipas sondazheve) që mbi 65% e të rinjve të duan largimin nga vendi, janë modeli që ka çuar në rënien drastike të besimit publik tek përfaqësimi politik (në të njëjtin nivel me kuotat më negative të sistemit gjyqësor). Në fakt, prej tyre nuk ka përse të ketë zhgënjim, e çuditshme do të ishte që ndaj tyre të kishte besim. Dhe zhgënjimi vjen vetëm kur fillimisht i ke besuar. Ata janë produkti i një tranzicioni informal, korruptiv, abuzues, jo konkurrues, dhe dukshëm para-demokratik. Dhe prej tyre, do ishte utopi të pritej demokraci e shtet funksional. Janë koncepte që ata as i kanë njohur, as nuk i njohin dhe as duan ti njohin. Sepse demokracia, liria, konkurrenca, moraliteti, integriteti, ligji e kushtetuta janë kërcënimi kryesor për karrierën dhe sojin e tyre.

Nuk kam dilemë. Ata dhe sidomos shefat e tyre, nuk e kanë dashur dhe as e duan integrimin e vendit, nuk e kanë dashur dhe as e duan mbështetjen amerikane, gjermane, franceze dhe të shteteve të tjera perëndimore. Vlerat dhe standardet e Evropës janë kërcënim për ta, janë gjithçka ata nuk janë dhe nuk mund të jenë. Ndaj deri në qershor dhe pas shtyrjes, deri në dhjetor, dhe pas shtyrjes tjetër, deri në vitet e ardhshme kur do ketë një përgjigje pozitive për Shqipërinë, të gjithë duhet ta kemi të qartë: përgjegjësia ndodhet këtu, e kemi live 24 orë në TV, janë ata që erdhën në politikë duke premtuar të na shërbejnë dhe çdo ditë në pushtetin që të ofron mazhoranca apo opozita, investohen në konflikt apo konsensus për ta kthyer shoqërinë në shërbëtore të tyre. Fatkeqësisht ia kanë arritur. Dhe në Bruksel, Berlin e Paris e dinë këtë. Nuk kanë nevojë për raporte dhe “findings mission”. E kuptojnë për 3 minuta, sapo i takojnë, sapo dëgjojnë fjalët e para të tyre, sapo ndezin TV dhe sapo bisedojnë me qytetarin e parë që nuk është pjesë e rrjetit të oligarkisë.

Fotografia e Afrim Krasniqi
SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment