Shqipëria po plaket dhe varfërohet, shtesa natyrore më e ulëta në rajon

0
146

Emigracioni nga varfëria, ulja e lindshmërisë dhe numri i lartë i vdekjeve, pritet të shkrijnë popullsinë shqiptare me 25% deri në vitin 2050. Në vendin tonë, lindjet kanë shënuar pikën më të ulët që prej 60 vitesh.  Nga ana tjetër 80% e emigrantëve shqiptarë janë në moshë vitale duke thelluar më tej fenomenin e ‘ikjes së trurit’.

Shqipëria pritet të humbasë 25% të popullsisë deri në vitin 2050, pasi politika e 30 viteve të fundit nuk ka mundur ta ndalë emigracionin dhe uljen e lindshmërisë, referuar të dhënave të Eurostat. Popullsia e vendit po tkurret me ritme më të shpejta se parashikimet, si rrjedhojë e rënies së lindshmërisë, por edhe emigracionit. Nga viti 1990, kurba demografike ka pësuar tkurrje, madje më të mëdha se projeksionet e bëra nga organizmat kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Nga viti 1989 deri më 2020, grupmosha 15-29 vjeç ka pësuar rënie me 30%, kjo pasi emigrimi i tyre ka qenë në nivele të larta, duke u pasuar ndjeshëm edhe me norma negative lindshmërie nga viti në vit. Në Shqipëri lindjet kanë shënuar pikën më të ulët që prej 60 vitesh, duke rënë në 1.37 fëmijë për një grua në moshë riprodhuese, nga 2.1 që është kufiri i nevojshëm për ruajtjen e popullsisë dhe kjo situatë është e lidhur ngushtësisht me emigracionin dhe faktorë të tjerë ekonomik të brendshëm.

Sipas të dhënave të Eurostat, nga viti 2010 deri në vitin 2019 kanë aplikuar për azil në vendet e BE-së, 219 mijë shqiptarë, 80% e të cilëve të moshës nën 34 vjeç. Arsyet e dhëna nga ta, në sondazhe lidhen me papunësinë dhe mungesën e shpresës. Emigracioni në nivele të larta i njerëzve të arsimuar nga vendi do të varfërojë ekonominë shqiptare dhe gjithashtu ndikon negativisht në rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

Shqipëria renditet e para edhe për numrin e studentëve që ndjekin arsimin jashtë vendit, me përkatësisht 18,181 studentë, e ndjekur nga Serbia me 15,749 studentë. Një factor më shumë ky ër të kuptuar se popullsia shqiptare po shkon drej plakjes me largimin e të rinjvë në moshë vitale. Ekspertët analizuan se ikja e trurit sjell një rënie ekonomike duke ulur edhe më shumë mirëqenien e kombeve më të varfra. Ky fenomen shkakton probleme komplekse shoqërore që e lënë vendin të pazhvilluar nga ana intelektuale dhe teknologjike, si dhe thellon edhe më shumë hendekun midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim.

Krahas emigracionit dhe ikjes së trurit, Shqipëria është goditur në humbje njerëzore edhe prej situatës me pandeminë. Një raport i Komisionit Europian njoftoi se Shqipëria kishte shtesën e vdekjeve në vitin 2020 më të lartën në Europë, si pasojë e përhapjes së Covid-19.

Sipas të dhënave kombëtare nga INSTAT në total, në vitin 2020-n, humbën jetën 27,605 persona, me një rritje prej rreth 26% në raport me vitin e mëparshëm, ose rreth 5,700 persona më shumë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here