Shqipëria rilind Republikë Kanabiste

0
303

“Krenaristi Kanabist” e etikentonte Lapsi.al Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në një koment të vetin pas debutimit të tij në emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare në Ora News. Thelbi i debutimit të “Krenarist Kanabist” ishte fjalimi i Skënderbeut në Krujë kthyer mbrapsht, pra “Kanabisin nuk jua solla unë Saimir Tahiri, (as Edi Rama), por e gjetëm këtu midis jush dhe ne, rilindësit, po e shkullim”.

Vënë përballë fakteve të mbjelljes masive këtë vit të kanabisit në gjithë vendin rilindësi Tahiri, duke dashur të mos pranojë këtë fakt, u rrek të mbrohej duke thënë se në kohën e demokratëve nuk mbillej vetëm në Lazarat por mbillej më shumë dhe në gjithë Shqipërinë dhe se demokratët nuk e shkulnin ndërsa ai dhe shefi i tij po e shkulin kudo.

Tahiri ose harron ose bën sikur harron se ç’tha me mburrje një vit më parë në Pallatin e Kongreseve. Në shtator një viti më parë, duke huazuar edhe “çertifikimin italian” deklaroi se në vitin 2015 ishin mbjellë 44 ha me kanabis por ai kishte shkatërruar 99.2 % të të gjithë kësaj sipërfaqeje, apo 690 mijë bimë. S’kishte lënë kanabis në këmbë. Kishte pastruar gjithë Shqipërinë.

Ndërsa thotë se sivjet deri në këtë moment paska shkatërruar 1,5 milionë bimë nuk pranon se është shumëfishuar sipërfaqe e mbjellë. “Ku mbillet sot është mbjellë edhe vjet, parvjet, parsivjet e kështu me radhë” – tha ai.

Nëse pranojmë të vertetë ç’thotë sivjet Tahiri, del se ai paska qenë fare i verbër vjet dhe është mburrur kot së koti. Nëse pranojmë se vjet është mburrur plot se ploti, paska ndodhur gjëma sivjet, e mburret kot së koti.

Këtë dilemë ta zgjidhë Tahiri me veten ose shefin e vet. Sa për shqiptarët, ata sytë në ballë i kanë. Shohin fare saktë e fare qartë se ç’mbolli Rilindja vjet e sivjet.

Shqiptarët arrijnë të përfytyrojnë fare qartë edhe se sa do të mbillet në vitin e ardhshëm zgjedhor. Kërkush nuk e besonte por ja që mrekullia rilindëse ndodhi. Republika Kanabiste e Lazaratit vdiq për të rilindur Republikën Kanabiste të Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here