Shqiptarët më të varfrit në rajon, jetojnë me më pak se 10 dollarë në ditë

0
169

Rreth 80% e popullsisë së Shqipërisë jeton me më pak se 10 dollarë në ditë. Sipas portalit Our World in Data, i cili ka përpunuar të dhënat e Bankës Botërore, për shpërndarjen e popullsisë sipas pragjeve të ndryshme të varfërisë, vetëm 20.44% e popullsisë jetonin me mbi 10 dollarë në ditë, pjesa tjetër, 79.56% jetonte me më pak se 10 dollarë në ditë. Të dhënat e Bankës Botërore, të vlefshme për të gjitha shtetet e botës, janë për vitin 2013.

Krahasuar me rajonin, Shqipëria ka përqindjen më të ulët të popullsisë që e kalojnë pragun prej 10 dollarësh në ditë. Më pas renditet Kosova me 25.15% të popullsisë që jeton me më shumë se dhjetë dollarë në ditë, Maqedonia me 38.98%, Serbia me më shumë se gjysmën e popullsisë 58.25%, Mali i Zi me thuajse tre të pestat e popullsisë, apo 60%, që e kalonin pragun prej 10 dollarësh, dhe Bosnja me katër të pestat e popullsisë.

Shqipëria ka gjithashtu edhe përqindjen më të lartë të popullsisë që jeton me pragun 3-10 dollarë në ditë, me 73.22% të popullsisë. Në Kosovë, përqindja e popullsisë që jeton në këtë prag është 71.3. Përqindjen më të ulët e ka Bosnja me 19.2%.

Për sa i përket përqindjes së popullsisë që jetojnë me më pak se 1.25 dollarë në ditë, përqindjen më të ulët e ka Mali i Zi, ku sipas të dhënave të Bankës Botërore, të cilat janë analizuar prej Our World in Data, është 0. Më pas renditet Bosnja me 0.03%, Serbia me 0.06%, Shqipëria me 0.18% të popullsisë që jeton me më pak se 1.25 dollarë, Kosova me 0.2% dhe me përqindjen më të lartë renditet Maqedonia me 3% të popullsisë që jeton me më pak se 1.25 dollarë në ditë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here