Si po e bllokon Balla dhe Balluku rrugën Kardhiq-Delvinë

0
175

Një nga prioritetet kryesore të Rilindjes ka qenë rruga Kardhiq-Delvinë, e cila do të shkurtonte distancën nga Tirana në Sarandë me rreth 60 minuta. Por, prej 1 viti, ky projekt është stopuar për shkak të përplasjeve të forta për lotin kryesor, ku përfshihet edhe një tunel.
Lufta nuk po bëhet për rrugën, por për kompaninë që do e ndërtojë!
Gazeta SHQIP raportoi pak ditë më parë, se eksponentë shumë të fuqishëm të mazhorancës po lobojnë për llogari të një kompanie që ka marrë pjesë në këtë tender, duke kanalizuar procedurat jo në rrugë ligjore. Ndërhyrjet e njëpasnjëshme kanë sjellë që institucionet e tenderimeve, por edhe të drejtësisë, të pengojnë ndërtimin e një vepre aq të mirëpritur nga të gjithë.
Ne investiguam procedurat e këtij tenderi, ku në konflikt janë dy firma “Vëllezërit Hysa” dhe “Gjoka Konstruksion”. Kjo e fundit ofroi disa milionë euro më pak në këtë tender, por çuditërisht nuk u shpall fituese, pasi ish-drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, realizuan procedura të dyshimta për këtë tender në momentin që pritej të lidhej kontrata me fituesin, raporton gazeta shqip .
Qato dhe Balluku tentuan me çdo mënyrë që të shpallnin fituese kompaninë “Vëllezërit Hysa”, megjithëse kjo kompani do e ndërtonte shumë më shtrenjtë se kompanitë e tjera.
Për këtë skandal dha dorëheqjen Sonila Qato si drejtore e ARRSH-së. Megjithatë brenda pak javëve u rehabilitua si këshilltare pranë Ministrisë së Infrakstrukturës, që drejtohet Balluku. Pikërisht këto lëvizje tregojnë se Belinda Balluku është zyrtarja e parë që mbron ngushtësisht interesat e kompanisë “Vëllezërit Hysa”.
Balla lobon për vëllezërit e arrestuar!
Sipas burimeve brenda ARRSH, lobuesi i dytë dhe kryesor në favor të kompanisë “Vëllezërit Hysa” është Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Gjatë hulumtimit të SHQIP, rezulton se firma “Vëllezërit Hysa” ka fituar shumicën e tenderave të mëdhenj në qarkun e Elbasanit, qark në të cilin Balla kryeson listën e deputetëve por dhe kontrollon pothuajse çdo institucion.
Balla ka përzgjedhur emrat e krerëve të bashkisë së Elbasanit, Cërrikut, Peqinit, Belshit, Librazhdit dhe Përrenjasit. Dhe, pikërisht këta kryebashkiakë i kanë dhënë tendera disa milionë euro, kompanisë “Vëllezërit Hysa”.
Kulmi arriti gjatë kohës që kjo firmë ishte nën akuzë, pasi kishte gllabëruar nga buxheti i shtetit miliona euro dhe nuk kishte investuar asnjë qindarkë për rrugën e Gjinarit.
Dy pronarët e firmës Agron dhe Kujtim Hysa, u akuzuan se kishin konsumuar elementët e veprës penale të “Vjedhjes”, pasi rreth 1.1 miliardë lekë ishin zhdukur nga kompania “Vëllezërit Hysa”.
Para pak muajsh, edhe një raport i KLSH-së nxorri zbuluar bashkinë e Belshit, pasi kishte lejuar që firma private të vendoste llaç e tulla të skaduara. Në këtë raport thuhet se, firma që ka bërë këto punime, është “Vëllezërit Hysa”. KLSH ka kontrolluar rreth 10 projekte të rilindjes urbane, të kryera në shkelje të rënda në Belsh, ku dëmi shkonte në 4.3 miliardë leke, nga të cilat 800 milionë në fushën organizative të projekteve.
Por nuk mbarojnë me kaq problemet e kompanisë “Vëllezërit Hysa”. Para pak muajsh, kjo kompani ishte nën hetim nga prokuroria e Tiranës për skandalin e Unazës së Re. Akuzat ishin sepse “Vëllezërit Hysa” kishte paraqirur një ofertë fiktive, në të tre lotet e ndërtimit të kësaj rruge, duke u përdorur si koperturë në tenderin e paracaktuar.
Megjithatë, edhe në këtë proces kjo firmë ia hodhi paq! Ashtu si edhe për rrugën e Gjinarit, ndërtimin e Rilindjes Urbane në Belsh, apo edhe për të gjitha favorizimet në qarkun e Elbasanit.
Mburoja e fortë politike nga Taulant Balla dhe Belinda Balluku, ka sjellë zmbrapsjen e të gjitha institucioneve ndaj kësaj firme, aq sa të gjjtha procedimet penale dhe administrative pezullohem sa hap e mbyll sytë.
Dhe, në të gjitha këto afera, mbetet tepër i dyshimtë fakti se kompania vijon të marrë pjesë në tendera sikur asgjë të mos kishtë ndodhur. Në kushte normale të një shteti ligjor, masa më minimale ndaj një kontraktori privat do të ishte përjashtimi nga e drejta për të marrë pjesë në procedura prokurimi.
Jo vetëm kjo ska ndodhur, por sot që flasim “Vëllezërit Hysa” nëpërmjet Ministres Balluku dhe socialistit Taulant Balla, prej një viti po bllokojnë ndërtimin e rrugës Kardhiq – Delvinë, një aks tejet i rëndësishëm rrugor për qytetarët shqiptarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here