Të gjithë njerëzit e Presidentit

0
165

Nga Gentian Gaba 

Nëse të gjitha ngjarjet që janë ngritur në skenën e politikës përgjatë javëve të fundit do të  përdoreshin për skenarin e një filmi, titulli i tij do të duhej të ishte ‘Të gjithë njerëzit e Presidentit’ (All the President’s Men).

Përtej Atlantikut ky film është xhiruar prej kohësh, 1976, me në qendër skandalin e bujshëm të Watergate, i cili çoji në rrëzimin e presidentit republikan Richard Nixon, i detyruar të japë dorëheqje në verën e vitit 1974.

Veçse në rastin tonë, paradoksalisht, është pala e përgjuar që kërkon shkarkimin e Presidentit nëpërmjet procesit të ‘impeachement’, term që i referohet dorëzimit të akuzave formale ndaj kreut të Shtëpisë së Bardhë. Prej njerëzve të përfshirë në ato përgjime, Shqipëria po përjeton një krizë të gjatë dhe të thellë politike. Një krizë që ka marrë formën e një ‘Nyje Gordiane’, e cila rritet pas çdo ngatërrese që mazhoranca krijon në përpjekje për të rritur pushtetin e saj.

Më e fundit është ajo për të kapur Gjykatën Kushtetuese, nëpërmjet makinacioneve antiligjore të ekspozuara nga Presidenti dhe opozita. Qëllimet janë të qarta, mbrojtja e më shumë se njëzetë ligjeve antikushtetuese që mazhoranca ka prodhuar në mënyrë të qëllimshme gjatë mungesës së garantit të Kushtetutës.

Për të frenuar këtë përpjekje, Kreu i Shtetit ka thirrur një tubim mbasditen e sotme. I pari i këtij lloji i thirrur nga një President, si një barrikadë njerëzore për t’ju kundërvënë këmbënguljes tinëzare për të jetësuar sërishmi partinë shtet.

Brishtësia e argumenteve të mazhorancës ndaj akuzave të Presidentit, ndaj të cilave janë përgjigjur me sulme ad personam por jo me arsyetime ligjore, tregon pakorrigjueshmërinë e  grupimit politik të drejtuar nga Edi Rama. Kërkojnë që qytetarët të habiten nga thirrja e Presidentit, të cilit nuk i kanë rrëzuar dot argumentet ligjore, por jo nga guximi i Ramës për t’i rënë gjoksit nga maja e gërmadhave në të cilin ka katandisur shtetin e së drejtës. Kërkojnë që opinioni publik të mos habitet se në tre ditët e fundit është ndeshur edhe njëherë me personazhe si Ulsi Manja, protagonist i pandëshkuar i dosjes së Dibrës, që të premten priste të akuzuarin Dvorani në Komisionin Hetimor ndaj Kreut të Shtetit; Vangjush Dakon, protagonist i përgjimeve të dosjes së Shijakut, të cilin një ditë më parë e votuan në krye të Asamblesë së Partisë Socialiste; ose Agim Kajmakun, që livadhis lirshëm nëpër kryeqytet, ndërkohë që, nga Pallati i Kongreseve, Rama kërcet dhëmbët ndaj krimit. O tempora, o mores!

Andaj në pamundësi për të gjetur rrugën institucionale, me këtë karikaturë që është sot demokracia nën hyqmin e Rilindjes, duket se rruga, ka mbetur instrumenti i vetëm për t’u kthyer te e drejta. Vetëm ‘shpata’ qytetare, pra pjesëmarrja dhe ndërgjegjësimi sa më i gjerë, mund të zgjidhë këtë ‘Nyje Goridane’.

Thirrja e Presidentit ka krijuar jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit; i janë përgjigjur intelektualë, artistë, shkrimtarë, publicistë, sportistë dhe qytetarë të thjeshtë, të majtë e të djathtë. Në shesh do të jetë edhe Opozita, për të cilën mbërritja te kjo ditë nuk përfaqsëson gjë tjetër vecse kulmimin llogjik të asaj ndaj të ciliës po lufton prej më shumë se shtatë vitesh. Anipse shkelësit e Kushtetutës dhe votuesit e Metës si President Republike u përpoqën të nxisin një garë brenda rreshtimit opozitarë, prevaloi Kushtetuta. Sot është dita e saj, jo e llogarive politike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here