Tenderi 2,8 miliardë lekë për uniformat/ Policët: Këmisha nuk hekuroset, bluzave u dalin stemat

Veshja e përditshme në punë do të vijojë të jetë një makth për punonjësit e Policisë së Shtetit megjithëse për to u shpenzuan 2.8 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Lëvrimi i tenderit për uniformat e Policisë së Shtetit ku pritej se situata do të ndryshonte, por kjo nuk ndodhi.

Kur ka kaluar vetëm disa javë që uniforma e re është marrë në dorëzim, policët kanë konstatuar probleme, të cilat ua vështirësojnë shërbimin. Kreu i sindikatës së policëve Sadedin Fishta thotë se specifikimet teknike të kësaj uniforme nuk përshtaten me vendin tonë.

“Këto uniforma sot, nga pjesa më e madhe e policisë nuk mund të jenë në kushte normale për të kryer detyrën në gjendjen komode. Ankesat e punonjësve të policisë është për këmishat, sepse është e pamundur që këto këmisha që përdorin policët të hekurose pas larjes. Bluzat në momentin që lahen, sapo t’ja kalosh hekurin sipër, i hiqen stemat. Jeleku peshon mbi 1 kg. Ankesa ka edhe për këpucët se nuk janë për kushtet e Shqipërisë. Nuk janë këpucë veore.” tha Sadedin Fishta për News 24.

Kreu i Sindikatës i bën apel Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat të marrë në konsideratë ankesat e punonjësve të policisë dhe të nisë hetimet.

“Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm duhet të fillojë hetimin ndaj cilido strukture, kur ka ankesa ndaj punonjësve të policisë. Ne si sindikatë do ta adresojmë njëherë te shërbimi për personat përgjegjës.” tha Fishta.

Ndër të tjera Fishta kërkon të verifikohen specifikimet teknike që janë vendosur nga komisioni i ngritur në policinë e shtetit po ashtu edhe nga komisioni që ka bërë kolaudimin e uniformës dhe e ka marrë atë në dorëzim për të parë nëse kompania prodhuese ka zbatuar me përpikëri kriteret e kërkuara.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment