Teorikisht dhe praktikisht

Nga Artan Hoxha 

Bashkimi Europian shpalli dje dokumentin lidhur me procesin e zgjerimit në të cilin përfshihet edhe çëshjta e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, krahas çështjeve përkatese me vendet e tjera të Ballkanit dhe Turqinë (dokumenti 10555/18, ENLARG 41, COWEB 102).

Nga shqyrtimi i dokumentit, veçanërisht paragrafi 54 i tij, dilet në përfundimin se Shqipërisë i

është premtuar një farë periudhe për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare, jo më afër se fundi i vitit 2019, por kjo do të ndodhë vetëm kur të jetë arritur në përfundimin se janë plotësuar kushtet e mirëpërcaktuara të rrugëtimit 18 mujor. Verifikimi i plotësimit të kushteve do të bëhet jo vetëm nga Komisioni Europian por edhe nga Këshilli Europian e gjithashtu edhe nga parlamentet kombëtare të vendeve anëtare që e kanë këtë procedurë.

Zgjatja e këtillë e afatit për nisjen e negociatave dhe kushtëzimi i mëtejshëm i këtij rrugëtimi me kushte të vjetra (pra, të paplotësuara në sasi e cilësi) dhe kushte të reja (p.sh. rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e ardhëshme) bën të pakuptimtë çdo festë e propagandë qeveritare.

Gjithsesi, një datë tentativë, si një copë kulaç, është dhënë me shumë shumë debat e ngurrim, e bashke me të edhe plot kushte si kërbaç. Metodë universale, e vjetër sa bota, por që funksion e s’ka tjetër më të mirë. Tek e fundit e pavarësisht opinioneve u krye edhe një tjetër hap procedurial. Mund të thuhet se de jure jemi paksa me afër Bashkimit Europian.

Por, çështja me problematike janë kushtet dhe natyra e tyre. Nga kushtet e vëna kuptohet se sa afër apo më mirë sa larg jemi nga realiteti politik, institucional, ligjor, ekonomik europian.

Afërmendësh që, sa më shumë përparon de jure procesi i integrimit me BE aq më afër e aq më e ngjashme në thelb duhet të jetë edhe gjendja de facto e sistemit politik, institucional, ligjor, ekonomik i vendit kandidat krahasuar BE. Sa më afër procedurialisht aq me fine çështjet e mbetura për t’u adresuar.

Kjo nuk po ndodh me Shqipërinë. Kushtet e hiperpotencuara lidhur me luftën kundër krimit të

organizuar e drogës që kanë shoqëruar në rritje e theksim vlerësimin dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE në vitet e qeverisjes rilindëse dalin e mjaftojmë për të vënë në pah se de facto kushtet mbi Shqipërinë kanë të bëjnë gjithnjë e më shumë me themelet dhe shtyllat e sistemit jo më finiturën e tij.

Nën qeverisjen rilindëse po ndodh që sa më shumë i afrohemi BE de jure aq më larg saj mbesim de facto. Si puna e asaj barcoletës ku djali pyeti babain për diferencën mes termit ‘teorikisht’ mes termit ‘praktikisht’.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment