Thellohet deficiti i skemës së pensioneve

Sipas të dhënave zyrtare të ISSH, në vitin 2018, deficiti i skemës së pensioneve arriti 45.8 miliardë lekë, duke u rritur me 1.7% në krahasim me vitin 2017.

Rezultatet negative në reduktimin e deficitit në skemën e pensioneve erdhën nga shpenzimet më të larta për pensione se arkëtimet nga të ardhurat prej kontributeve. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore për pensionet arritën në 125 miliardë lekë më 2018, me një rritje vjetore 5.2%.
Deficiti i skemës së pensioneve është frenuar më së shumti nga reforma e pensioneve, që ka rritur moshën e daljes në pension e për rrjedhojë ka frenuar numrin e pensionistëve të rinj në skemë.

Vlera e deficitit në skemën e pensioneve është gati dyfish më e lartë se në vitin 2013, edhe pse në skemë janë shtuar 180 mijë kontribuues të rinj që nga 2013. Ekspertët në ISSH thonë se, pa reformën do të kishim thellim të mëtejshëm për shkak se numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, skema e pensionit në Shqipëri nuk është e balancuar financiarisht. Kjo paqëndrueshmëri financiare është rezultat i rritjes së shpejtë të masës së pensioneve para pak viteve. Shkaqe të tjera janë numri i ulët i kontribuuesve, mosdeklarimi i pagës reale, numri relativisht i lartë i pensionistëve krahasuar me moshën e re të popullsisë, mosha e ulët e pensionistëve si rezultat i daljes së parakohshme në pension në fillim të viteve ‘90 dhe mosha e ulët e daljes në pension për disa kategori të veçanta, ndryshimet demografike, niveli i papunësisë dhe niveli i lartë i emigracionit i forcave të punës.

Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve në vend e për pasojë, nevojën për fonde shtesë ndaj arkës së pensioneve. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për vitin 2016, numri i personave në pension arriti në 611,544 persona, me një shtesë prej mbi 12 mijë e 600 pensionistësh nga 2015-a.

Numri i pensionistëve arriti në 635,700 persona vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në skemë janë shtuar 14 mijë e 500 pensionistë të rinj, duke bërë që numri i pensionistëve të zgjerohet me 2.3% në raport me një vit më parë. Ekspertët pohojnë se numri i pensionistëve po rritet nga viti në vit për shkak të plakjes së popullsisë. Bumi i lindjeve në vitet ‘50-‘60 tani ka moshën e pensionit. Rritja do të ishte edhe më e lartë po të mos rritur koha e daljes së pension me pesë vite për gratë.

Me gjithë rritjen e numrit të pensionistëve, qeveria synon të mbajë shpenzimet për pensionet në kontroll, madje t’i ulë ato në periudhë afatmesme.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment