TI ”DERDIMEN”

0
214

Nga Red Varaku                                                                                                            Ti “derdimen”!*

Ti nuk ke ideologji, prandaj shijon vetëm spektakël, i cili në fakt “prodhon vetëm nënshtrim dhe impotencë mendore”. Ti e ke të pamundur të ndash iluzionin që ndërton propaganda nga realiteti. Ti bie shumë lehtë prè e propagandës, e cila ndez eufori dhe zjarrmi brenda teje, duke shtypur çdo mendim që buron nga nevoja për liri.

Përmes imazheve, tumaneve, mirazheve, instalacioneve, sloganeve dhe klisheve, ti mendje e vogël dhe karakter i dobët, që të josh ideja e një realiteti rrëzëllitës dhe kompleks, krijon kushte për inkuizicion masiv të gjithkujt që guxon të kontestojë realitetin ku ti jargavitesh dhe vegjeton. Sepse propaganda krijon një lloj ekstaze kolektive drithëruese dhe të fut ty, në një gjendje amnezie fatale.

Sepse, ti je i varur ndaj imazheve të manipuluara me mjeshtëri nga mjeshtrat e lavazhit, masazhit dhe propagandës, të cilat të serviren përmes nuancave ambigue dhe të bëjnë ty konfuz, sepse ti parapëlqen narrativa sempliste, parapëlqen një lloj silazhi haluçinant propagandistik spektakolar, diarre komentesh rrjetesh, merimangash. Ti o i paditur preferon më shumë iluzionin e një jete të lumtur, sesa të vërtetën e një jete të vetmuar.

Ti je viktimë e një propagande të maskuar si ideologji, viktimë e aromës dhe yshtjes së qofteve dhe birrës, kanabisit dhe eurove, kazanit dhe tepsisë, timonit dhe euforisë, silazhit dhe tallazhit, “amballazhit”. Ti nuk e kupton që përdoresh si mish për top. Në fund të ditës, pas amnezisë, jeton përsëri në ankthin që krijon rreziku permanent i një kolapsi total financiar, jeton në ankthin e një epoke pa të ardhme, në ankthin dhe ngricën që vjell vetmia.

Por, magjia e pilulave dhe e spektaklit të rikthen përsëri në gjendje amnezie, në një fantazi irracionale, përmes pseudo-ngjarjeve të njëpasnjëshme, fotokopje bardhezi të njëra-tjetrës. Me një ritëm dhe shpejtësi, të papërballueshëm për trurin tënd të vogël, i cili mbetet thjesht soditës i një realiteti, që ka ngrirë në cikle ngjarjesh të krisura, pa kuptim, ndaj magjepsjes së të cilit është dorëzuar pa kushte, siç i është gjunjëzuar pa kushte iluzionit vezullues që krijojnë mjeshtrat e spin-it, predikuesit sharlatanë, klloun-artistët e spektakleve, dhe një industri e tërë argëtimi e cila sugjeron forma nga më absurdet të arratisjes shpirtërore.

“Fake news”, debatet sterile, serialet trushpëlarës nuk të ofrojnë më ide sepse idetë ty të lodhin. Ato ofrojnë vetëm argëtim dhe shalë-ma(e)sazhe për ty, sepse ti je i obsesionuar me sipërfaqësoren, aparencën, dritat, fishekzjarret, shkëlqimin. Emisione me opinione të balancuara dhe informacion të besueshëm, pothuajse nuk egzistojnë më ,dhe kjo falë teje. Të gjitha informacionet janë kthyer promocione dhe marketing, të punuara hollë nga “piarët e inxhinjerimit social” vetëm për ty.

Ti je i mpirë dhe nuk reagon , sepse tashmë ti nuk ndjen më asgjë ngaqë të kanë futur në një gjendje anestezie totale. Ti nuk arrin të dekonstruktosh realitetin ku ndodhesh, ndaj e ke të pamundur të ndash iluzionin që ndërton propaganda nga realiteti, ngaqë të mungojnë konceptet intelektuale për të kuptuar kompleksitetin e problemeve me të cilat po përballesh sot.

Si pasojë, ngaqë shumica tashmë janë si ty ,të “shpëlarë trush” ,po shkojmë me shpejtësi drejt një kolektiviteti të sëmurë dhe të pakujtesë me një impotencë mendore të pashembullt, një shoqëri që ka humbur kuptimin e vetvetes dhe atë të vetë jetës, ku individët nuk janë tjetër veçse “copa mishi me dy sy “!

*derdimen* -term i përdorur nga sociologu Ergys Mërtiri në artikullin, ‘Koncerti i Ermal Metës tregoi sa derdimen jemi si popull’.

(Një artikull i ripërpunuar dhe i risjellë në formë tjetër!)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here