Trishtuese, ndërron jetë mësuesja gjirokastrite

0
191

Nga Tonina Hido

Mësuesja e nderuar, me “mirënjohjen” e thellë jo vetëm të sistemit arsimor të Gjirokastrës e rrethinave të saj, por të cdo brezi nxënësish e familjesh që takoi e bashkëpunoi gjatë 33 viteve shërbimi elitar, në mënyrë konstante na ka mbledhur sot për një cast mësimi në heshtje të plotë, sepse na tha “lamtumirë” fizikisht.

Vetëm fizikisht, pa e besuar askush sepse mësuese Sofi Voda, kundër ligjeve të natyrës, perceptohej në rradhën e njerezve që nuk duhet të vdesin, janë të pavdekshëm. Gjithë jeta e saj, harruar vetveten për t’iu kushtuar me gjithë shpirt, mendje, ndërgjegjshëm, shkollës e nxënësve pa kursim, provojnë se njerëz të tillë nuk vdesin, edhe kur zoti dhe ligjet e natyrës i thërrasin pa qejfmbetje.
Është një pavdekësi e maleve dhe ajrit, të Labovës së Zhapës dhe gjithë Odries; është rrënja familjare: Qendro-Voda, me fisnikëri dhe kontribute atdhetare që i ndihmon; mësues model qytetarie dhe shërbimi; është rruga e ndritur Vrisera, Frashtan, “29 Nëntori” sot “Cajupi shkollë ushtrimore “Drita” , Pedagogjike “Pandeli Sotiri” , janë dhjetra faqe dosje shënimesh, anketimesh, të Institutit të Studimeve Pedagogjike në Tiranë, të Ministrisë së Arsimit në vite, të seksionit të arsim- kulturës në rreth, të kabinetit pedagogjik dikur, të cilat ruajnë si referencë pararoje mendimi novator, eksperimentues të metodave të reja në mësimin dhe edukimin e nxënësve brezash , gjer në mbledhjen e fjalës së rrallë krah drejtuesve të paharruar të brezit të saj, që e kuptonin detyrën seriozisht.
Këto vlera e mëkuan pranë mësuesve të Labovës me shkollën e denjë shqipe të kohës; e mëkuan mësues të ndritur, shkencëtarë të fushës dhe etikës së komunikimit në të mesmen pedagogjike “Pandeli Sotiri” , më vonë për studimet e larta në degën gjuhë-letërsi.
Vlerat ja mëkoi vetë mjedisi arsimor I shkollave dhe kuadrit, me të cilët punoi për të njehësuar hapin e më së mirës; prandaj mësuesit nuk vdesin, sepse kanë gdhendur atdhe-dashurinë pa hije, diturinë e vërtetë , sjelljen qytetare dhe mirësinë për t’i dëgjuar e nderuar njerëzit edhe kur nuk mendon si ata.
Këto vlera të shkollës me të cilat na përshëndet sot Sofi Voda, si mësuese, qytetare, mike dhe shoqe në situata të vështira, që nuk lëndoi me fjalë dhe veprime të pamatura kërkënd, e bëjnë të gjallë gjithmonë.
Edhe gurët e Varoshit, kur shkonte krenarisht pa harruar të përshëndeste secilin, edhe mësuesit me debatet e punës që mbaronin me shëtitje dhe qerazma bujare të saj edhe brezat që kanë uruar me nderim cdo 7 Mars më vete. Aq më tepër familjarët, Evjenia me Vilmën , nipër e mbesa, Vasilika afër saj gjer në fund, të gjitha shoqet e të njohurit e shumtë që përjetojnë dhembjen e largimit Tënd, e dashur Sofi Voda, nuk të themi lamtumirë!
Ti mbetesh mes nesh, me kujtimet e vlerat e një mësueseje-ikonë brezash!
Të kesh dritë pranë prindërve, gjyshërve, vëllezërve tuaj e të kuvendosh me mësueset e Ushtrimores që ikën para Teje, por jeni shkruar në historinë e arsimit të qytetit tonë.
Jugunews.net shpreh ngushellime te sinqerta familjes se mesueses se nderuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here