Vangjeli, ky antikrahinor, ky antilab i thekur, ky Don Kishot i Jorgucatit

Nga Arqile Garo

Dëgjoni se çfarë orjentimi japin sejmenët e Vangjelit për votuesit e tyre Dropullitë:

U thonë pra ata të “mençurit”, këtyre, neve domethënë “budallënjve” që do vijmë nga “Gërqia” për të votuar:

Partitë e plakura, lexo PS, PD, nuk respektojnë minoritetin pse në listat e tyre kandidatët minoritarë janë në vend të pestë e të tretë respektivisht.

A thua se nuk ishte PS që e mori Vangjelin dhe nga një hiçasgjë që ish, e bëri atë që na kapardiset sot. Dhe nuk do rri të numëroj këtu armatën e ministrave, zv.ministrave e drejtorëve minoritarë, se do më duhej një faqe muri e tërë.

A thua se nuk ishte PD që Spiro Kserën e ngjiti në maja ku ai nuk u mbajt dot.

Ecim më poshtë:

Po votuat PS thotë “intelektuali” nga Jorgucati, del deputet labi (i keq, i poshtër, antigreku, plotësim i imi) doktori okulist Flamur Golemi nga Fushëbardha.

Po votuat PD më zi, se del deputet labi lazaratas (u bu bu ja ca më i keq ky, antikrishti, shënim prapë i imi) profesori i diplomuar në Francë, Roland Bejko.

Ndërsa po votuat LSI del deputete e dyta në listën e LSI, labja (e mira, e ndritura, shënjtorja, hyjnesha, filogrekja edhe njëherë shënim i imi) Ediola Braha nga Tepelena (?!)

Ky është mejtimi i thellë e i pjekur i Vangjelit për Labërinë që për njëzetë vjet e voton dhe e mban aty ku ngrefet e krekoset si Ngjel.

Se po të ishte për votat që merr në Dropull, Vangjeli do bëhej deputet aty afër kalendave Greke (lër t’ja spjegojë ndonjëri se ç’janë ato).

Tani se përse dy lebërit e parë janë të “këqinj” e të pavotueshëm, ndërsa kjo, labja tjetër është e “mirkë” dhe e votueshme (?!) këtë gjë vetëm një mendje Evangjel (m)istike mundet të na e çkoqitë.

O ju, miq të mi nga Labëria a mund të ma sqaroni dhe mua këtë logjikë, se unë kaqë mende kam?

Ju, që e respektuat, e nderuat, i hapet dyert e shtëpive, e votuat, i duruat pordhën Jorgucatiste, a mund të më ndriçoni edhe mua trutë, se mbeç në mes të territ e nuk po i jap dot dum?

Pse nuk bëkan për deputetë Flamur Golemi e Roland Bejko, porse na bëka kandidatja e LSI-së?! (Nuk kam kurrfarë gjëje me zonjën, nuk e njoh fare dhe shpresoj e uroj që CV e saj të jetë po aq e pastër dhe e ndershme, politikisht gjithmonë, sa ajo e partisë ku aderon).

Më jepni një isharet or vëllëzër, që të mund të dal nga ky hon se unë vetë, aha, i ngrita duart përpjetë.

Sepse në këtë kontekst unë, si votues “helen i vorioepirit”, pse mos mendoj ndryshe?

T’ i jap votat PD përshembull, të bëjë ajo tre deputetë e të dalë miku im Kosta Barka në parlament?!

Ose të marr një yxhym me PS e t’ i bëjë kjo pesë deputetë që të jetë në parlamentin e ardhshëm akademikja Artemisa Dralo?!

Pse?

Sepse që të dy këta që përmenda, si edhe “lebërit” që thashë ca më lart, kanë background dijesh dhe profesionale, që Vangjeli nuk i kap dot sikur të jetojë sa Mathusala (Spjegojani!)

– Po LSI?-do thoni ju.

– Prapa diellit! Në opozitë!-do përgjigjem u.

 

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment