Vendosja e tendave të diellit dhe rrjetave kundër mushkonjave vetëm me lejen e bashkisë

Prej ditës së djeshme çdo subjekt, i cili kërkon të pajiset me leje apo të paraqesë deklaratë paraprake për kryerje punimesh, është i detyruar të dorëzojë aplikimin për leje dhe dokumentacionin shoqërues nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, parashikon se për kryerjen e punimeve të brendshme si: përforcimi i strukturave mbajtëse të brendshme, hapja dhe mbyllja e dyerve të brendshme, krijimi, eliminimi ose ndryshimi i mureve ndarës (jombajtës) të brendshëm, i mjediseve për shërbime higjienike dhe realizimi i impianteve të reja higjieno-sanitare dhe të ngrohjes/ftohjes duhet të njoftohet sistemi elektronik i lejeve.

Ndryshimet e fundit ligjore parashikojnë që çdo person që kryen punime për ndërhyrje të jashtme si: rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese, pastrimi i fasadave, riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave dhe vitrinave (duke përfshirë përdorimin e materialeve të ndryshme), pa ndryshuar karakteristikat e tilla si forma, ngjyra nuk duhet të pajiset me leje ndërtimi, por duhet të njoftojë para se të nisë punën.

Ndërhyrjet për të cilat duhet njoftuar

  1. Rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese.
    2. Pastrimi i fasadave.
    3. Riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave dhe vitrinave (duke përfshirë përdorimin e materialeve të ndryshme), pa ndryshuar karakteristikat e tilla si forma, ngjyra, dizajni dhe dimensionet e pjesëve të hapura dhe transparente.
    4. Zëvendësimi i pjesshëm i mbulesës së çatisë, pa ndonjë ndryshim të formës, pjerrësisë dhe karakteristikave të veshjes.
    5. Riparimi dhe zëvendësimi i ulluqeve e oxhakëve, edhe me materiale të ndryshme.
    6. Riparimi i ballkoneve, tarracave dhe basamakëve apo barrierave mbrojtëse.
    7. Vendosja e hekurave mbrojtës në dritare.
    8. Vendosja e tendave të diellit dhe rrjetave kundër mushkonjave.
    9. Sistemimi i oborreve.
    10. Riparimi i rrethimeve ekzistuese.

Dokumentet që duhet të depozitojë personi i interesuar

  1. Formulari i deklaratës
  2. Dokumenti që vërteton pronësinë e tij apo të drejta të ligjshme për pasuri private ose publike, për strukturën që ka në përdorim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  3. Projekti teknik i realizimit të punimeve, i firmosur nga projektues të licencuar.

Brenda 5 ditëve nga dorëzimi i deklaratës paraprake për kryerje punimesh, nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, autoriteti vendor përgjegjës kryen verifikimet e nevojshme dhe në rast se konstaton mosrespektimin e kushteve dhe kërkesave ligjore që rregullojnë deklaratën paraprake të punimeve, e kundërshton atë me vendim të arsyetuar.

Në mungesë përgjigjeje nga autoriteti vendor përgjegjës, brenda afatit 5-ditor, konfirmimi konsiderohet i dhënë në heshtje dhe sistemi gjeneron aktin përkatës dhe njofton deklaruesin për mundësinë e fillimit të punimeve.

Sistemi elektronik i lejeve
Sistemi i lejeve shërben si pika e vetme, ku paraqitet elektronikisht kërkesa për leje, sipas legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit dhe realizohet procesi i bashkërendimit ndërinstitucional, gjatë procedurës së shqyrtimit të kërkesave. Nga ky sistem realizohet monitorimi i lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet përgjegjëse të qeverisjes vendore dhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Leja e zhvillimit

  1. Dokumenti i lejes së zhvillimit i paraprin lëshimit të lejes së ndërtimit për ndërtime të reja nga autoritetet vendore dhe përmban, në nivel njësie:
    a. Përdorimin e tokës dhe strukturat e lejueshme.
    b. Intensitetin e ndërtimit.
    c. Koeficientin e shfrytëzimit të tokës për ndërtim.
    ç. Lartësinë maksimale në metra.
    d. Distancat.
    dh. Gjelbërimin publik.
    e. Parkimin.
    ë. Fragmentin e hartës në gjendjen ekzistuese, që pasqyron edhe lidhjen me infrastrukturën në zonë.
    f. Informacion rreth kufizimeve apo kushtëzimeve të veçanta në pronën përkatëse.
    Dokumentacioni për pajisjen me leje zhvillimi
    1. Dokumentet e vetme që duhet të paraqesë pronari ose zhvilluesi për t’u pajisur me leje zhvillimi janë si më poshtë:
    a) Kërkesa për leje, sipas formatit të aplikimit, të përcaktuar në këtë rregullore dhe në sistemin elektronik të lejeve.
    b) Dokument që vërteton të drejtat pasurore të pronës/ave që marrin pjesë në zhvillim dhe nëse ka, kopje të marrëveshjes për pronën.
    c) Mandatpagesa e tarifës së aplikimit.

 

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment