Venstpils turpëron Luftëtarin, kualifikimi një ëndërr

Në takimin e kthimit zor se ka ndonjë që beson se Luftëtari kalon në turin e dytë. Humbja 5-0 në Letoni me Ventspils i ka vënë “vulën” gjithçkaje.

Një ndeshje me dy tablo, në të parën bluzinjtë ishin katastrofë, kurse në të dytën pati një reagim të skuadrës së Kostic, që goditi edhe tranversën me Shkurtajn, por nuk e realizoi golin e nderit. Në fund pati një episod të dyshimtë për gol të Luftëtarit, por arbitri mendoi se topi nuk kishte kaluar vijën fatale dhe gjithçka u mbyll 5-0 në favor të Venstpils.

Rezultati flet vetë me pesë gola të pësuar dhe vetëm një tentativë e Shkurtajt nuk janë asgjë. Mbrojtja lë për të dëshiruar, ndryshimet e pësuara duken se kanë ndikuar negativisht dhe skuadra bluzi është e palidhur.

Autori i katër golave Akiniemi vallëzonte dhe e ndalën vetëm në mënyrë të parregullt, një herë Janiçiç dhe një herë nga Xhekson ku shkaktuan penalti që u kthyen në gola. Ndërkohë që sulmuesi 19-vjeçar nigerian shënon edhe me kokë e këmbë në aksione. Tosin shënoi një prej golave në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë vendasit tërhiqen dhe presin gjirokastritët të cilët janë aktivë, por pesë golat e 45 minutave të para të lojës rëndojnë shumë. Erjon Vucaj provon të shënojë, por ndalet nga portieri vendas. Shkurtaj del të gjejë rrugën e rrjetës, nuk ka gol, pasi më parë ishte akorduar faull.

Më pas vlonjatin e ndali traversa, kurse në një rast tjetër pretendoi për penallti. Përpjekjet nuk mjaftuan dhe në fund dolën të mposhtur. Kualifikimi? I pamundur!

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment