Vështrime mbi Revolucionet në Rusi

Nga Panajot Çakalli

Lufta e Parë Botërore (1914-1918) ishte një prej konflikteve më të dhunshme, më të tmerrshme dhe më shkatërrimtaret në Historinë e Njerëzimit. Në të morën pjesë 38 shtete në të cilat jetonin ¾ e njerëzimit. E nisur me pretekstin e vrasjes në Sarajevë, Lufta e Madhe nisi në sfondin e ngritjes së “reve të zeza” të nacionalizmit të skajshëm, imperializmit, militarizmit dhe krijimit në fund të aleancave të fshehta : Antantës dhe Bllokut Qëndror.

Fuqitë e rreshtuara në aleancat e sipërpërmendura u përballën në këtë luftë dhe u ingrauan në të , secila fuqi e madhe për arsyet e veta. Lufta e Parë Botërore ndryshonte nga të gjitha luftërat e mëparshme, sidomos për armatimin novator që u përdor.

Historiania M.Macmillan e quan intervalin kohor, në të cilin zhvilloi punimet Konferenca e Paqes në Paris (janar-qershor 1919) si gjashtë muaj që ndryshuan botën në fakt, sikundër dhe vet ajo e shtjellon në vijimësi të veprës së saj,  bota kishte ndryshuar rrënjësisht pikërisht për shkak të luftës. Ky konflikt i përbotshëm shërbeu si katalizator i procesit të ndryshimit historik. Perandoria Ruse ishte njëra prej tyre.

Prej kohësh sundimi shekullor i Romanovëve në Rusi kishte hyrë në krizë. Autokracia cariste me të gjitha tiparet e saj ishte jo-koherente me shek.XX në të gjitha fushat, në plan politik, ekonomik, social e kulturor. Pa dyshim mjaft ndryshime kishin ndodhur në Rusi që nga likujdimi i bujkrobërisë në vitin 1861, një akt ky që i hapi rrugë zhvillimit të kapitalizmit. Madje edhe fillimi i shek.XX e gjen Rusinë si një fuqi shumë të rëndësishme ekonomike në rang global, por pavarësisht këtij progresi, prapambetja e Rusisë në raport me fuqitë e tjera të mëdha mbetej e madhe.

Nëse do të konkretizonim, psh të ardhurat për frymë në vitin 1913 ishin 102 rubla dhe për këtë ajo renditej e pesta në botë, por Gjermania e kishte 292 rubla -tri herë më të lartë, Franca 355 rubla-gati katër herë më të lartë, Britania e Madhe 463 rubla-afro 5 herë më të lartë dhe SHBA 695 rubla per capita -shtatë herë më të lartë se ato në Rusi.

Lufta e përshpejtoi dhe e thelloi në ekstrem krizën e carizmit: militarizimi i ekonomisë, humbjet e mëdha njerëzore në Frontin Lindor përballë Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, mungesa e ushqimeve bazë për popullatën krijoi një terren social tepër të acaruar. Vetëm në vitet 1912-1914 pati një rritje të madhe të grevave nga 2032 në 3504, me pjesëmarrje nga 725.000-1.250.000 vetë.

Në këto kushte nuk ka asnjë arsye që revolucionet në Rusi të konsiderohen si rastësi apo. si rrufe në qiell të hapur. Revolucioni nuk ishte domosdoshmëri siç argumentojnë marksistët ortodoksë (dogmatikë), por i natyrshëm siç provon dhe vërteton procesi historik.            

Pas një muaji protestash, grevash të përgjithshme dhe revoltash për bukë, demostrimi i 8 marsit 1917 në Petrograd u kthye në protestë të dhunshme ndërkohë që ushtria u bashkua me popullin. Cari urdhëroi shpërndarjen e Dumës, por ajo refuzoi dhe këto veprime e tensionuan edhe më tej situatën. Më 12 mars ndodhën dy ngjarje shumë të rëndësishme: u formua qeveria e përkohshme me në krye princin liberal Lvov dhe Sovjeti i Deputetëve Punëtorë, Fshatarë e Ushtarë në Petrograd. Më 15 mars, Car Nikolla II abdigoi në emër të vëllait, Mihail Aleksandroviçit, por Mihaili nuk e pranoi kurorën. Ky ishte fundi i carizmit në Rusi.

Sigurisht që fuqitë aleate të Antantës i përshëndetën keto zhvillime në Rusi duke e quajtur Rusinë e post-revolucionit një demokraci e re përkundër Bllokut Qëndror. Qeveria e Përkohshme e Princit Lvov në dekleratën e saj të datës 16 mars 1917 pas parashtrimit të tetë pikave me përmbajtje thellësisht demokratike, me një zotim të qartë drejt rrugës së konstitucionalizmit perëndimor, e mbyll qëndrimin e saj me fjalinë se ajo nuk ka ndër mend të përfitojë nga gjendja e luftës për të vonuar realizimin e masave reformuese të sipërpërmendura.

Në këtë dokument nuk jepej asnjë qëndrim mbi angazhimin e Rusisë në luftë. Ajo manifestohet në telegramin e ministrit të jashtëm N.Miliukov dërguar përfaqësuesve të Antantës të 18 marsit 1917 shprehet se Rusia do të vazhdojë angazhimin e saj në luftë sikundër Regjimi i Vjetër, madje në mënyrë të pandërprerë e të palëkundur.

Mirëpo Qeveria e Përkohshme e kishte të pamundur të ushtronte plotësisht vullnetin e

saj pasi ajo kishte një pushtet pa forcë, dhe Sovjetët ishin një forcë pa pushtet. Në këtë kontekst në Rusi mbëriti Lenini, i cili deri në atë moment kishte qëndruar në Zvicër. Më 8 Prill 1917 ai niset për në Petrograd duke kaluar mespërmes Gjermanisë, siç thotë dhe historiani Paul Johnson , me garancinë e gjeneralit Ludendorf, por edhe me kushtin se nuk do t’i fliste asnjë sindikalisti rrugës.

Menjëherë pas kthimit botoi artikullin “Detyrat e proletariatit në revolucionin e sotëm”, që u bënë të njohura si Tezat e Prillit. Leitmotiv i tij ishte shndërrimi i Revolucionit Demokratik në Revolucion Socialist. Një risi në këtë shkrim të tij është rëndësia e madhe që ai i kushton Sovjetëve të Deputetëve Puntorë e Ushtarë. Vet ai i shikonte Sovjetët si embrione të revolucionit proletar. Bolshevikët hodhën në këtë kohë parrullat “tokë-punë e bukë paqe”, sllogane mjaft joshëse për popullsinë ruse. Kështu rradhët e tyre u shtuan vazhdimisht dhe për pasojë fituan dhe shumicën në Sovjetin e Petrogradit. Bolshevikët nxorrën një tjetër sllogan: “Tërë tokën fshatarëve e gjithë pushtetin Sovjetëve”. Por parrulla “Poshtë Lufta” gjatë gjithë kohës ishte më popullorja e më masivja.

Rusia e kishte të pamundur të përmbushte detyrimet e saj krah aleatëve të saj dhe këtë e kishte pranuar publikisht edhe Kerenski në një intervistë për gazetën”The Associated Press”, të datës 3 Nëntor 1917: “Rusia ka luftuar në mënyrë të vazhdueshme që nga fillimi. Ajo shpëtoi Francën dhe Anglinë nga katastrofa në fillim të luftës. Ajo është e dërmuar nga tensioni dhe pretendon me të drejtë [të saj] se aleatët tani mbajnë mbi supe barrën. “. Pyetjes nëse Rusia ishte jashtë luftës, Kerenski u përgjigj duke e quajtur pyetjen si qesharake. “Rusia– u shpreh Kryeministri- filloi luftën për Aleatët. Kur ajo ishte duke luftuar, Anglia po bëhej gati dhe Amerika vështronte”.

Kjo intervistë ishte vetëm pesë ditë para Revolucionit të Tetorit (Nëntorit) 1917. Pas pushtimit të Pallatit të Dimrit dhe marrjes së pushtetit nga Komiteti Ushtarak Revolucionar i kryesuar nga Lenini (7 nëntor 1917), Kerenski u largua nga selia e Qeverisë së Përkohshme i maskuar si grua, ndërsa vendi i tij u bë atdheu i sëmundjes më të egër ideo-politike në histori: bolshevizmit dhe komunizmit.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment