Vetitë e hudhrës ,njihuni me disa të dhëna interesante për të

0
335

Nga Koco Mosko

DISA TE DHENA PER HUDHREN
Hudhra ben pjese ne familjen Zambakore(Liliaceae L.), Gjinia Qepore(Allium L.), specia Hudhër (A. sativum L.). Eshtë një nga perimet më të herëshme, që njeriu e ka përdorur për ushqim dhe mjekim. Si vend prejardhje e bimës hudhrës janë përcaktuar Azia Qëndrore dhe Mesdheu. Mendohet, se është përdorur në këto vende, qysh nga koha e neolitit si aromatizues, ushqim dhe erëz. Kohët e fundit është zbuluar një papyrus, që daton 3500 vjet përpara, ku paraqiten këshillime për hudhrën si shëruese për 22 sëmundje; si ato të zemrës, anemia, tumoret, etj.. Ne Greqinë dhe Romën e lashtë, hudhra përdorej si frikësues(repel
ent) për akrepat, për mjekimin e plagëve të kafshimit nga qeni, për kurimin e fishkëzës së urinës, për sëmundjen e leprozës, etj. Gjithashtu përdorej për ushtrinë dhe gladiatorët, për fuqi e guxim në dyluftime.
Hudhra dhe kripa, si në Ballkan ashtu edhe në vendet e tjera në Evropë janë përdorur për të mbajtur larg krijesat e këqia dhe në tërësi të keqen. Sipas mitologjisë, pasi djalli u zhduk nga Kopshti i Edenit, në gjurmët e tij të majta mbiu hudhra dhe në gjurmët e djathta mbiu qepa. Këtu besoj se zë fill shprehja që përdorim shpesh ne shqiptarët: “nga hudhra, nga qepa” kur duam të themi majtas ose djathtas.
Hudhra në Ballkan dhe vendet e tjera në Evropë, përdoret për të luftuar ‘syrin e keq’. Dy tre thelpinj u vendosen fëmijëve të mbarë, nuseve, madje edhe dhëndurëve, krushqve e njerëzve të suksesshëm e të ekspozuar në publik. Shpesh, shtëpive nëpër dyer u vendoset një varg me hudhra, për të larguar të keqen, xhindet. Një varg me hudhra u vendosen edhe hardhive, pemëve me prodhim të mbarë, arave me bimë të selitura, për te larguar ‘syrin e keq’ apo te keqen. Kur shohim ndonjë gjë të mirë e të bukur, shpesh thuhet “hudhra, hudhra” që do të thotë: vendos hudhra që ta mbrosh nga ndonjë e keqe.
Parizianët thonë se do të kenë shëndet të mirë gjatë vitit, në qoftë se do të hanë hudhër me gjalpë, gjatë muajit maj. Në trevën e Gjirokastrës. Për 1 maj, ndaj të gdhirë, duhet të haje esëll pak hudhër të njomë, që fëmijëve u a vendosnin prindërit ndën nënkrese, duke ju thënë se kjo bëhej për të qenë të fuqishëm e me shëndet të mirë gjatë gjithë vitit. Çastet më të bukura dhe më të brishta në jetë, siç janë femijëria, martesa, gëzime të tjara apo fatkeqësi, njeriu ka besim dhe kërkon mbrojtjen e hudhrës; kjo e mbështjell këtë bimë me misticizëm.
Në vitin 1858, Louis Pasteur (1822-1895), vërtetoi se hudhra vret bakteret; ashtu si penicilinë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur penicilina ishte me sasira jo të mjaftueshme, ushtritë britanike dhe ruse përdornin lëng hudhre të holluar si antiseptik për dezinfektimin e plagëve për të parandaluar gangrenat. Albert Schweizer (1875-1965), në fillim të shekullit të 20, hudhrën e ka përdorur në Afrikë për të shëruar njerëzit nga tifo dhe kolera.
Për shumë vite,anglezët dhe amerikanët e kanë shmangur hudhrën nga përdorimi, për shkak të erës së keqe. Në Angli, në shek. XVII, zonjave dhe gjykatësve nuk u lejohej të hanin hudhër. Por tani, gjërat për britanikët dhe amerikanët kanë ndryshuar. Në vitin 2017, SHBA prodhoi 232 mije ton hudhra, një shifër rekord e viteve të fundit. Në kontinentin amerikan, hudhra është sjellë nga spanjollët e portogezët. Përditë e më shumë po fiton terren në guzhinën amerikane dhe është objekt studimi i mjekësisë moderne.
Për 4000 vjetët e fundit të historisë njerëzore, hudhra është përcaktuar si një mrekulli, dhuratë e çmuar e natyrës. Ky super ushqim, i ardhur nga lashtësitë, gëzon popullaritet e vëmendje të veçantë në rritje edhe nga mjekësia moderne. Përmban më se 200 përbërje kimike, shumica me veti shëruese ndaj sëmundjeve dhe infeksioneve të ndryshme. Hudhra është vrasëse për 23 lloje bakteresh duke përfshirë salmonelën e stafilokokun. Vrasëse e më se 200 kërpudhave, kohët e fundit është zbuluar se ka veti edhe kundër viruseve. Per hudhren ne bote jane kryer mbi 800 studime shkencore.
Dobitë e hudhrës janë të shumta, shpesh edhe kontradiktore. Mjekësia, studimet rreth hudhrës i ka përqëndruar në sëmundjet që vështirësisht shërohen me ilaçe,
 Përdorimi i hudhrës ul sëmundjet kardiovaskulare
. Ndihmon ne uljen e shkallës së kolesterolit, të shtypjes së lartë të gjakut. Mundëson parandalimin e atakut.
 Kundër të ftohtit, gripit. Hudhra përmirëson funksionin imunitar, kështu që rritet qëndrueshmëria ndaj këtyre sëmundjeve. Ngrënia e 2-3 thelpinjëve hudhre në ditë, parandalon këto sëmundje.
 Kundër kancerit. Hudhra ka aftësinë për të pakësuar formimin e qelizave kancerore. Bllokon përbërësit që shkaktojnë formimin e kancerit dhe ngadalëson rritjen e qelizave të tumorit. Hudhraështë veçanërisht e dobishme në bllokimin e kancerit te gjirit, stomakut, prostatës, fshikëzës së urinës.
 Përdoret në kuzhinë për të rregulluar dhe përmirësuar shijen e shumë gatimeve. Ne industrinë e konservave, për të përmirësuar shijen dhe të luftojë infeksionet e baktereve dhe kërpudhave.
 Përdoret si frikësuese ndaj mushkonjave dhe disa dëmtusve të tjerë të bimëve.. .
Ka edhe një fjalë të urtë domethënëse:
“Nje kokërr molle në ditë, doktor nuk më panë sytë.
Disa thelbinj hudhër, sëmundje kurrë.
Shumë dietistë porositin që të bëhet kujdes ne lidhje me marrjen e një sasie të madhe hudhre në ditë, sepse mund të ngacmojë rëndë sistemin tretës dhe mund të shkaktojë alergji trupore. Një dozë ditore prej 1 deri në 3 thelpinj hudhër të freskët është e nevojshme për shëndet të mirë. Por në çdo rast, më e mira është këshillimi me mjekun.
Kohet e fundit hudhra nga raftet e guzhinës, po shkon drejt rafteve të farmacive. Duke u nisur nga vlerat e shumta dobiprurese qe ka kjo bime, industria ushqimore dhe farmaceutike, kane hedhur ne treg shumllojshmeri produktesh ne forme pudre, lëngu vajor, pomade, pilulash, tableta etj.. Jo të gjitha janë të çertifikuara e të studjuara. Gary L Huber MD, Drejtor në Institutin e Ushqimit Teksas, porosit: Mos harroni se pjesa më e madhe e efekteve pozitive të hudhrës është e mbështetur në përdorimin e freskët, natyral..
Vërehet se sipërfaqja e mbjellë dhe prodhimi i hudhrave në botë, kanë pasur rritje vitet e fundit. Vetëm 60 vende njiheshin si prodhues tradicionalë të hudhrës, por tani selitet në rreth 100 shtete, dhe prirja është në rritje Më tepër gjen përdorim si përmirësuese në recetat e gatimit, në industrinë e konservimit të ushqimeve dhe në mjeksi.
Keto 10 vjetet e fundit në botë, si sipërfaqja dhe prodhimi jane rritur ndjeshem. Kemi nje rritje te siperfaqes prej rreth 500 mije ha. Ne vitin 2017 u prodhuan mbi 28 milion ton hudhra ose mbi 12 milion ton me shume se ne vitin 2006. Vendet qe prodhojne me shume jane Kina, India, Korea, Egjypti, Rusia, Spanja, ShBA, etj
Në troje shqiptare ka shumë ekotipe, me veti te mira dhe unike, por më të përmendurat janë hudhra e: ‘Korçës’, ‘Pukës’, ‘Dhrovjanit’, ‘Milotit’, etj. T’i ruajmë e të kujdesemi për këto vlera, të përzgjedhura në shekuj nga mjeshtrat tanë. Nuk ka asnje arsye qe Shqipëria keto vitet e fundit te importoje mesatarisht per çdo vit rreth 600-800 ton hudhra, sasi kjo qe vjen duke u rritur. Keto vitet e fundit ka dale se prodhimi hudhrave te importit eshte i ndotur me pesticide te demshme per shendetin. Shqiperia keto 10 vjetet e fundit ka prodhuar mesatarisht 6 mije deri ne 15 mijeë ton hudhra. Prodhimi ka ardhur duke u rritur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here