VIDEO/Breshëri bën kërdinë në Tepelenë, dëme të papara në prodhimtari bujqësore

Koha e keqe një ditë më parë, ka shkatërruar të mbjellat në fshatrat e zonës së Luftinjës në verilindje të Tepelenës. Me dhjetëra ha tokë bujqësore të mbjella me kultura të ndryshme si grurë, hasëll, misër janë rrafshuar totalisht si pasojë e furisë së breshërit që ka qenë i pandalshëm në orët e mbasdites së djeshme.

Kanë mjaftuar vetëm 30 minuta breshër që të mbjellat të bien në tokë dhe prodhimi i fermerëve të kësaj zone të shkatërrohet plotësisht.

Sipas tyre, humbjet përllogariten në disa dhjetëra milionë lek pasi dëmet kanë qenë të pakrahasueshme me ndonjë situatë të përngjashme. Breshëri ka qenë kokërmadh aq sa ka dëmtuar ha të tërë të mbjella me vreshtari, apo dhe drurë frutorë si dardhë, mollë, ullinj si dhe domate, patate, spec etj.

Të gjendur përballë kësaj situate aspak normale dhe kapricioze të motit, banorët e zonës, kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve bujqësore të cilat nga ana e tyre, kanë ardhur dhe vlerësuar dëmin menjëherë sapo janë informuar. Inspektimi i kryer nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, ka rezultuar se dëmet në të mbjella kanë qenë katastroafle cka ka privuar konsumatorët e kësaj treve apo dhe të gjithë rrethit, nga prodhimet e stinës.

Fermerët nga ana e tyre, kanë kërkuar asistencë nga autoritetet për këtë rast të jashtëzakonshëm, ndërkohë që nuk dihet nëse ata do të mbështeten financiarisht për prodhimet e sivjetshme që i mori breshëri.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment