VIDEO/Eskalon situata në Këlcyrë, kryebashkiaku konfirmon shembjen e 30 objekteve, banorët paralajmërojnë përshkallëzime

Banorët që preken nga plani i ri urbanistik i qytetit ku i’u prishen banesat dhe bizneset e tyre, janë përballur mesditën e sotme me kryebashkiakun Klement Ndoni. Ky i fundit ka mbërritur në zyrë nën masa të forta sigurie nga Policia për të shmangur ndonjë tension të mundshëm nga banorët që e prisnin jashtë godinës.

Një përfaqësi e banorëve një ditë më parë, kishte kërkuar takim me kryebashkiakun e Këlcyrës për të marrë sqarime rreth projektit që shemb 30 objekte në qendër të qytetit. Sot kryebashkiaku i Këlcyrës në prezencë të medias, ka pritur përfaqësinë e banorëve të cilët nga ana e tyre patën kërkuar anulimin e projektit që shemb objektet.

Mirëpo kur përgjigja ka qenë e prerë prej kryebashkiakut të Këlcyrës që projekti nuk mundet të anulohet dhe se banesat dhe objektet e tjera të biznesit do të shemben, ka ardhur tensioni. Ofendime dhe epitete karshi Ndonit kanë qenë të zakonshme përgjatë momenteve kritike aq sa është dashur ndërhyrja e policëve bashkiakë për të shmangur ndonjë episod dhune.

Ndërkaq kryetari i Bashkisë së Këlcyrës, në një prononcim për mediat, mohon që të ketë pasur dëgjesë publike me banorët që i’u preken pronat, por njëkohësisht garanton se ata janë njoftuar për veprimet që do të ndërmerren me pronat e tyre.

Banorët në kushtet e tashme, përgatiten për intisifikimin e protestave deri në anulimin e plotë të projektit që shemb pronat e tyre, ose në të kundërt ata kërkojnë kompensim real me vlerën investuese.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment