VIDEO/Konkurrenca e pandershme në treg, shqetëson pronarin e punishtes së qumështit

0
169

Ndoshta mund të jetë rast i rrallë apo i lokalizuar në jug të vendit që një i ri të braktisë Mbretërinë e Bashkuar dhe të rikthehet në vendlindje për të celur një biznes prodhues. Kjo ndodh në Këlcyrë ku një ish emigrant në perëndim, është kthyer për të ringjallur biznesin prodhues të lënë trashëgimi nga të parët e tij.

Shkëlqim Muhaj theu tabunë dhe u kthye në vendlindje për të prodhuar djath apo dhe nënproduktet e tjera të qumështit duke vijuar kështu traditën familjare.

Punishtja e tij konsiderohet jo vetëm më modernia në Këlcyrë, por nga më modernet në jug të vendit për shkak të kapacitetit prodhues, teknikës së përdorur, instrumentet purifikuese por edhe teknologjisë së kohës. Shqetësimi i Shkëlqimit mbetet konkurrenca e pandershme që qarkullon jo vetëm në Përmet, por në të gjithë jugun.

Vaksinat tek të imtat qumështi i të cilave është lënda kryesore, kryhen nga blegtorët jo në kohën e duhur dhe kjo krijon anomali shumë serioze tek konsumatori i djathit. Autoritetet shtetërore nevojiten të ndërhyjnë për të ndalur këtë katastrofë thotë Shkëlqimi pasi përpunimi i qumështit kryhet në kushte skandaloze tek ato baxho që nuk kanë as kushtet elementare të higjenës për të mos folur për garantimin e produktit. Rrjedhimisht, konsumatori gjendet i pambrojtur-thotë ai.

Biznesi i Shkëlqimit është familjar, pasi në të gjenden të punësuar ai, i ati, e ëma, vëllai, motra, bashkëshortja etj. Sipas tij, kjo është më e sigurtë pasi punohet me merak dhe se ky është dhe celësi i suksesit. Sërish i riu që la Anglinë për Këlcyrën, e vë theksin tek kontrollet që duhet të ushtrojnë institucionet shtetërore tek ato punishte, që tërheqin qumësht të pakontrolluar dhe madje ai ka sjellë në vëmendje edhe një rast sesi refuzoi të blinte një sasi të madhe qumështi pasi ishte i bombarduar me vaksina në kohën e sezonit të mjeljes. E nëse ai e refuzoi, dikush tjetër e mori-shprehet duke ripërsëritur konkurrencën e pandershme nga e cila dëmtohet drejtpërdrejt.

Ky është një prej rasteve që ndodh në jug të vendit kur një i pasionuar pas këtij zanati pothuajse në zhdukje, largohet nga perëndimi për në Shqipëri, ndërkohë që ndodh e kundërta për shumë të tjerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here