VIDEO/Plasi në Këlcyrë, 30 objekte drejt rrafshimit, pronarët e tyre gati për vetflijim

0
159

Mungesa e transparencës mes Bashkisë së Këlcyrës dhe pronarëve të 30 objekteve që do të rrafshohen në qendër të këtij qyteti, ka cuar në revoltë dhjetëra banorë.

Në orët e mesditës së sotme, hyrja në godinën e Bashkisë është bllokuar për shkak të prezencës së madhe të qytetarëve që kanë dashur të takohen me kryetarin e Bashkisë Klement Ndoni. Ky i fundit për banorët që u prishen pronat dhe banesat e tyre, ka vepruar kundër interesave të tyre dhe vec kësaj nuk ka qenë transparent me projektin. Për banorët e irrituar nga plani urbanistik që u rrafshon pasuritë e paluajtshme të tyre, vendimet për prishjen janë arbitrare dhe selektive.

Ata pretendojnë se prishja e pronave të tyre ka prapavijë politike dhe ndërmerret për interesa okulte mes kryebashkiakut të Këlcyrës dhe personave të lidhur me pushtetin qëndror. Vlera e kompensimit të objekteve që do të prishen, nuk është as sa 1/10 e investimit të kryer dhe për këtë, tubuesit kanë kërkuar vlerësimin sipas cmimeve të tregut të sotëm imobilar. Mirëpo këto kërkesa janë refuzuar kategorikisht dhe këtu qëndron konflikti mes protestuesve dhe kryetarit të Bashkisë Klement Ndoni. Ky i fundit nuk ka mbërritur sot në zyrën duke i’u shmangur një ballafaqimi me masën e irrituar.

Mesditën e nesërme, një përfaqësi e protestuesve, do të takohen me kryebashkiakun e Këlcyrës ku do të njihen me hapat e mëtejshëm. Në të gjitha rastet, banorëve që i’u shembet prona, kanë premtuar se do të vetflijohen në rast se objektet nuk do të vlerësohen sipas cmimit të tregut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here