VIDEO/Probleme në Gjirokastër si pasojë e motit të keq

Mjaftoi pak orë shi në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës për të rikthyer një situatë alarmante në disa zona, e madje duke shkaktuar bllokim rrugësh dhe përmbytje.

Sipas informacioneve të marra nga Prefektura e Gjirokastrës raportohet se situata paraqitet problematike vecanërisht në Bashkinë e Gjirokastrës ku si pasojë e rreshjeve të shumta ka patur bllokime të disa grykderdhjeve të përrenjeve, si tek Shkolla e Mesme Pedagogjike, Ura e Lumit si dhe rreth rrotullimi i stadiumit nga ana e poshtme apo dhe në lagjen “Dunavat”. Bëhet me dije gjithashtu se në Virua si pasojë e bllokimit të kanalit shkarkues të ujërave në këtë liqen, shumë inerte kanë vërshuar në sipërfaqen e vreshtave dhe në afërsi të banesave, ndërkohë një banesë në lagjen “Palorto” ka patur probleme me depertimin e ujit si pasojë e catisë së zbuluar.

Problematika të tjera në Bashkinë e Gjirokastrës janë evidentuar edhe në Njësinë Administrative të Lazaratit ku ka pasur bllokim të rrugës që lidh dy lagje në këtë njësi si pasojë e bllokimit të përroit të Sopotit, ndërkohë është djegur edhe një banesë nga energjia elektrike. Në njësinë Administrative Picar rruga hyrëse për në këtë fshat është bllokuar si pasojë e rënies së gurëve dhe po punohet për rehabilitimin e dëmeve.

Edhe rruga Kolonjë-Golem është e bllokuar. Në Njësine Administrative Cepo rrëshqitja e një masivi dheu ka bllokuar aksin rrugorë Taroninë-Fushëbardhë. Në njësinë administrative Lunxhëri raportohet për bllokim rrugësh nga prurjet e inerteve. Ndërsa situata në Bashkisë e Tepelenës nga rreshjet e dendura gjatë natës u bllokua rruga që lidh Njësinë Administrative Kurvelesh me qytetin e Tepelenës. Po në këtë bashki ka patur rrëshqitje të dherave në aksin rrugorë Uji Ftohtë-Gjirokastër.

Të njëjtat informacione dhëna nga Prefektura e Gjirokastrës për situatën e krijuar pas rreshjeve të dendura të shiut bëjnë me dije se situata paraqitet normale në Bashkinë e Libohovës, Memaliajt, Dropullit dhe Përmetit. Ndërkohë në Bashkinë e Këlcyrës si pasojë e shkarkesave elektrike rezultat i motit të keq, është djegur rrjeti elektrik si dhe pajisjet elektrike të një banese në fshatin Kuqar.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment