Virusi ka hyrë më herët/ Thirrja e OBSH: Hetoni rastet e mëparshme

0
131

The Guardian
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se një studim i shkencëtarëve francezë, që sugjeron se një person ishte infektuar me Covid-19 që më 27 dhjetor, nuk ishte ‘befasues’ dhe i nxiti vendet që të hetojnë çdo rast të hershëm të dyshimtë.
Covid-19, siç u emërtua më vonë, u raportua për herë të parë nga autoritetet kineze te OBSH më 31 dhjetor dhe nuk besohej se ishte përhapur në Europë deri në janar.
“Kjo i jep një pamje krejt të re gjithçkaje,” tha zëdhënësi i OBSH, Christian Lindmeier në një konferencë të OBSH në Gjenevë.
“Gjetjet mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë qarkullimin e mundshëm të virusit Covid-19,” shtoi ai, duke thënë se raste të tjera të mundshme të mëparshme mund të shfaqen pas rishikimit të mostrave.
Studiuesit franzezë, të udhëhequr nga Yves Cohen, analizuan sërish mostrat e 24 pacientëve që kishin rezultuar negativ për gripin para se Covid-19 të kthehej në pandemi.
Rezultatet treguan se një burrë 43-vjeçar, i lindur në Algjeri, por që jetonte në Francë prej shumë vitesh dhe punonte si peshkatar, ishte infektuar me Covid-19 një muaj përpara rastit të parë të raportuar në Francë.
Cohen tha se është akoma herët për të thënë se pacienti, udhëtimi i fundit i të cilit në Algjeri ka qenë në gusht 2019, ishte ‘pacienti zero’ i Francës.
Studiuesi thanë se mungesa e një lidhje me Kinën dhe mungesa e udhëtimeve sugjerojnë se sëmundja po përhapej në popullatën franceze që në fund të dhjetorit 2019.
Franca, ku kanë vdekur pothuajse 25 mijë persona nga 1 marsi, konfirmoi tre rastet e para më 24 janar.
Lindmeier inkurajoi vendet e tjera që të kontrollojnë të dhënat për rastet e pneumonisë me origjinë të paspecifikuar në fund të vitit 2019, duke thënë se kjo do sjellë një panoramë të re të shpërthimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here