Vrasjet , Nano mbledh drejtoret e qarqeve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit , Gledis Nano ka thirrur në mbledhje Drejtorët e Qarqeve, e para për këtë vit. Mbledhja është thirrur për të dhënë objektivat për nisjen e vitin të ri.

Në fokus të takimit të parë për vitin që sapo ka nisur ka qenë marrja e masave të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.

Nano ka renditur katër porositë e tij të cilat janë:

-Thellimi i veprimeve hetimore, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

-Bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente, për marrjen në kohë të informacioneve për personat me precedent kriminal që kthehen nga jashtë shtetit dhe mbajtjen nën kontroll të tyre, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.

-Intensifikimi i kontrolleve në territor, për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, bllokimin e automjeteve të vjedhura, kontrolle në varreza makinash e servise makinash ku mbahen të fshehura apo çohen makinat e vejdhura, që më pas bëhen pjesë e ngjarjeve kriminale.

-Parandalimi i aksidenteve rrugore, duke intensifikuar kontrollet me makinën inteligjente, me radarët, mjete e paloguara, ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, duke filluar menjëherë edhe me këmbësorët që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Më tej ai bëri të ditur se sot fillojnë në terren 443 kursanët e rinj, për të cilët Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga drejtorët vendorë, që t’i përkrahin dhe t’i motivojnë për të kontribuuar sadopak në përmirësimin e mëtejshëm të performancës së Policisë së Shtetit.

Gjithashtu ai shtoi se gjatë muajit janar, në të gjitha drejtoritë do të zhvillohen analizat vjetore dhe për këtë Drejtori ka kërkuar nga drejtuesit e DVP-ve, që të nxirren problematikat, me qëllim marrjen e masave për t’i zgjidhur ato.

Kujtojmë se pasditen e djeshme në Tiranë u shënua viktima e parë për vitin e ri, pas një atentati të organizuar që la edhe katër të plagosur rëndë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment