Zemërimi që mund të sjellë ndryshime politike

0
130

Nga Red Varaku

Situata në zonat e goditura nga tërmeti është në prag shpërthimi. Raportohet që me qindra familje kanë mbetur në mes të katër rrugëve, të braktisur në mëshirë të fatit, pa asnjë ndihmë dhe përkrahje.

Ndihmat, që bujarisht u dërguan në sasi të jashtëzakonshme nga të gjithë shqiptarët, veçanërisht ata të Kosovës, po grabiten pabesisht nga një tufë grabitqarësh me pushtet.

Njerëzit që po merren me shpërndarjen e tyre perceptohen si njerëz të diskretituar dhe që nuk përfaqësojnë askënd.Shteti ka kapitulluar totalisht, ndërsa qeverisja lokale është në kolaps të plotë. Për më tepër, shumë përfaqësues të qeverisë akuzohen se po përfitojnë nga kjo tragjedi e rëndë.

Edhe në kuptimin e administrimit të ndihmave, ka të dhëna që administrimi është selektiv në njerëz dhe zona. Prioritet janë vetëm ata që kanë teserën e partisë dhe disa zona, ndërkohë që të tjerët janë lënë në harresë dhe mëshirë të fatit.

Kjo ka bërë që shumë banorë të revoltohen dhe të shpërthejnë në akuza të drejtpërdrejta kundër qeverisë.

Në vend që kjo katastrofë të kthehej në një mundësi të artë për qeverinë të rehabilitonte veten, ajo rezultoi në një shtim dhe thellim të pakënaqësisë me qeverisjen.

Situata po del jashtë kontrollit. Kryeministri e di që shpatullat e tij janë shumë të lodhura për t’ia dalë i vetëm kësaj situate.

Ai e ka të qartë që episode të tilla, kur administrohen keq, sjellin detyrimisht ndryshime politike radikale.

Ai e ndjen këtë prag revolte në çdo takim ku shkon, sepse qytetarët po ia plasin në sy të vërtetën e hidhur. Ai është i terrorizuar nga ky fakt, sepse ai e ka të qartë, që ky zemërim, që po zien si llavë, mund të rritet me shpejtësi dhe të shpërthejë si vullkan ditët në vijim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here