Zhduket pllaka përkujtimore për Musine Kokalarin në Gjirokastër

0
197

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) njofton zhdukjen e pllakës përkujtimore në murin e shtëpisë së disidentes Musine Kokalari, Gjirokastër . Pllaka në përkujtim të qëndresës dhe disidencës së Musine Kokalarit ndaj diktaturës komuniste shqiptare u vendos në murin e shtëpisë se saj më 16 qershor 2021, me iniciativë të IDMC dhe Fondacionit Konrad Adenauer (KAS). Në ceremoni ishin të pranishëm të përndjekur politikë dhe 50 nxënës e mësues nga e gjithë Shqipëria. Qëndresa e saj për të mos pranuar regjimin totalitar shërben si burim frymëzimi për të rinjtë, të cilët nuk e kanë përjetuar diktaturën komuniste dhe kanë pak njohje për të. Megjithëse shtëpia e Musine Kokalarit është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I, pas një zjarri të rënë disa vite më parë, ajo është kthyer në një rrënojë dhe është lënë në harresë totale nga pushteti lokal dhe drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore. Përveç indiferencës për ta restauruar dhe kthyer atë në muze, siç ndodh me figura të nivelit të Musine Kokalarit në vende të tjera ish-komuniste, në Gjirokastër mungon edhe çdo shenjë konvencionale për të orientuar turistin apo të interesuarin drejt shtëpisë ku jetoi Musine Kokalari dhe familja e saj që u përndoq nga regjimi. Shkulja dhe zhdukja e kësaj pllake përkujtimore tre muaj pas vendosjes së saj, tregon se mbështetësit e regjimit enverist janë ende aktivë dhe të vendosur kundër promovimit të disidencës antikomuniste. Shtëpia e Musine Kokalarit do duhej të shërbente si një vend pelegrinazhi për një rini të orientuar drejt vlerave demokratike dhe mendimit kritik që një personalitet si ajo përfaqësonte.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here